FSHF-ja, “dhunë verbale” ndaj talenteve

515
Sigal

Vendimi ekstrem i Komitetit Ekzekutiv: “Kush refuzon ftesën pa arsye, nuk ftohet më në Kombëtare”

 Çdokush që do të refuzojë në të ardhmen ftesën zyrtare të ekipeve kombëtare (kryesisht A dhe U-21), pa ndonjë arsye thelbësore, nuk do të ftohet më për të veshur fanellën e Shqipërisë. Ky është vendimi më i ashpër që, mori dje Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare në mbledhjen e djeshme të tij. Kohët e fundit është bërë e modës që, lojtarë të rinj të talentuar, të cilët luajnë me klube të njohura në Europë, siç është rasti i Ilir Azemit në Bundesligën gjermane (me Grojther Fyrth) dhe Ergys Kaçes në Superligën greke (PAOK), të refuzojnë ftesat, edhe pse trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka folur dhe është takuar personalisht me ta. “Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi unanimisht rregullin që, në rast se një futbollist nuk i përgjigjet pa arsye ftesë, për t’u bërë pjesë e ekipeve kombeëare nuk do ta ketë më këtë mundësi në të ardhmen”. Mesazhi është i qartë dhe i prerë. Në të kaluarën rasti më flagrant ka qenë ai i mbrojtësit Mërgim Mavraj (sot lojtar i përfaqësues), i cili e refuzoi të paktën dy herë ftesat e Oto Bariçit dhe Josip Kuzhesë, përpara se të pranonte të luante nën urdhrat e Xhani De Biazit. Në fakt, lojtarët nga diaspora kanë bërë jo pak naze përpara se të pranonin të luanin për Shqipërinë, apo më saktë ta refuzonin atë në pritje të ndonjë ftese nga Gjermania, Greqia, Italia apo Zvicra, gjë që nuk ndodhën kurrë. Masa e marrë nga FSHF-ja, duket ekstreme, por mesa duket zyrtarët e “topkëmbës” shqiptare synojnë në nxitjen dhe shpejtimin e vendimeve të lojtarëve shqiptarë të formuar në Europë.

 KAMPIONATET “FASHISTE”

Tirana dhe Vllaznia mund të kenë respektivisht nga dy dhe një titull më shumë kampion, nëse Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare do të aprovojë raportin e Komisionit të Rishqyrtimit të Titujve Kampionë për vitet 1939-1942, dhe do t’i njohë si të ligjshëm ato. Brenda muajit shkurt (2013) do të paraqitet në Komitetin Ekzekutiv dokumentacionin përkatës që, vërteton njohjen apo mosnjohjen e tyre. Nëse Tirana do të merrte dy titujt e kampionateve të zhvilluar gjatë periudhës së pushtimi fashist të Shqipërisë, atëherë ajo do të shkonte në 26 tituj kampionë, ndërsa Vllaznia, në 10. Kampionati i vitit 1939 u luajt me pjesëmarrjen e 8 ekipeve të ndara në 2 grupe. Grupi A: Tirana, Rinia Korçare, Bashkimi Elbasanas, Dragoi Pogradec dhe Grupi B: Vllaznia, Besa, Teuta dhe Ismail Qemali. Ky kampionat përfundoi më 30 shtator 1939 me finalen Tirana-Vllaznia, me rezultatin 6-5 për KF Tirana, e cila u shpall për të 7-ën herë kampione. Kampionati i vitit 1940 nisi më 3 mars 1940 dhe u zhvillua sipas kriterit gjeografik: ekipet e veriut dhe ekipet e jugut të Shqipërisë. Në Grupin e Veriut bënin pjesë: Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Durrësi, ndërsa në Grupin e Jugut: Gjirokastra, Vlora, Berati, Korça. Finalja e këtij kampionati u luajt më 19 maj 1940 mes Vllaznisë dhe Korçës, ndeshje e cila përfundoi 2-1 për Vllazninë. Kampionati i viti 1942 përkon me një pjesëmarrje më masive, ku u përfshinë edhe tri ekipe kosovare. Në zonën e Veriut bënin pjesë: Prizreni, Shkodra, Peja, Prishtina. Në zonën e Mesme: Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ndërsa në zonën e Jugut: Berati, Korça dhe Gjirokastra. Kampionati përfundoi më 29 qershor me dy ndeshje finale mes Tiranës e Vllaznisë, të cilat prodhuan këto rezultate: 1-1 dhe 2-0 për Tiranën.

   LOGO E RE

Federata ka në plan të ndryshojë logon aktuale të FSHF-së, kjo me asistencën e UEFA-s. Përmirësime do të ketë edhe në faqen në internet, si dhe në marrëdhëniet me rrjetet sociale.

 STADIUMI

Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv u miratua edhe një fond prej 200 mijë eurosh, për vazhdimin e procedurave të përbashkëta me kompaninë supervizore nga Franca, nëpërmjet të cilës do të përzgjidhet kompania fituese që do të ndërtojë stadiumin e ri kombëtar, pas prishjes së “Qemal Stafës’. Në mbledhje u paraqit një informacion i detajuar për ecurinë e punës rreth projektit të stadiumit të ri. Një vendim tjetër ka të bëjë me caktimin e datës së Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së, të programuar për më 28 shkurt (ora 09:00, në Tiranë). KE-ja mori në analizë punën e kryer në Zyrat Rajonale te FSHF-se si edhe u lanë një sërë detyrash për organizimin, punën dhe zhvillimin e trajnimit dhe seleksionimin për të ardhmen.

 De Biazi: “Udineze, merr Berishën”

 Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhanni De Biazi, u ka sugjeruar drejtuesve të Udineses që të marrin portierin kosovar të Kalmarit, Etrit Berisha. De Biazi, duke folur për portalin italian “udineseblog.it”, ka lëvduar haptazi potencialin që ka Berisha. “Në fund do të doja të jepja një këshillë. Portieri i Kalmarit, Etrit Berisha, i datëlindjes 1989 ka mundësi të mëdha përpara dhe me siguri do të ecë shumë në karrierën e tij. Kush na mësonte futbollin na thoshte që nëse ke një portier të mirë, një mbrojtës të mirë dhe një sulmues të mirë ke një skuadër të mirë. Nëse ke një mesfushor të mirë ke një skuadër të shkëlqyer. Le të mendojë për këtë edhe Udineze”, ka thënë De Biazi.

 MIQËSORJA ME GJEORGJINË

Shqipëria do të luajë, më 6 shkurt një ndeshje miqësore me Gjeorgjinë. Kjo do të jetë ndeshja e parë e vitit 2013 dhe do t’i shërbejë trajnerit De Biazi për të parë gjendjen e skaudrës përpara takimit zyrtar me Norvegjinë, në mars.