Frikë nga incidentet në Maqedoni, rritet siguria për lojtarët e Kombëtares shqiptare

133
Frika nga incidentet e natyrës nacionaliste gjatë udhëtimit neper Maqedonisë me autobus, ka detyruar FSHF-në të marrë masa pa precedent për kuqezinjtë. Skuadra është nisur në drekë drejt Shkupit dhe si asnjëherë më parë, bashkë me të kanë udhëtuar drejt Maqedonisë edhe forca të një kompanie sigurie private të kontraktuar nga FSHF, të cilët do të shoqërojnë kudo lojtarët në shtetin fqinj.
“Është një autokolonë me forca policie që na shoqëron, por edhe një furgon me forca të sigurisë private, që do ta shoqërojnë skuadrën si në rezidencën në Shkup, ashtu edhe në Strumicë”, tregoi Shefi i Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun në FSHF, Gerti Çarçani.
Ai konfirmoi njëkohësisht se ekipi do të kalonte natën në një rezidencë në Shkup, ndërsa gjatë ditës së nesërme do të vazhdonte udhëtimin po me autobus drejt Strumicës.
“Skuadra do të akomodohet në Shkup. Do të pushojë sot dhe mëngjesin e së hënës do të udhëtojë drejt Strumicës. Parashikohet një udhëtim i gjatë, ku ekipi do të shoqërohet gjatë gjithë kohës nga forcat e policisë, fillimisht deri në pikën kufitare dhe më pas nga forcat maqedonase deri në Shkup. Gjithçka është e qetë, gjithçka është normale”, tha Çarçani.