Franci Aleksi pranë rekordit Kombëtar, Binald Mahmuti përmirëson kohën

289
Nga Agron KAJA
NOT, KAMPIONATI EVROPIAN/ Filluan dje garat edhe për sportistët tanë, nga Kopenhagen për “Telegraf”, flet trajneri Arian Fetishi
Kontaktet e gazetës “Telegraf” me notarët dhe trajnerin pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Notit në pishinë 25 m, i cili nga dje po zhvillohet në Kopenhagen të Danimarkës, edhe dje kanë qenë të vazhdueshme. Menjëherë pas garës së 100 m stil flutur të notarit Binald Mahmuti, trajneri Arian Fetishi deklaroi për gazetën “Telegraf” se ai e përmirësoi kohën e tij në këtë garë, gjë të cilën e konfirmoi edhe vetë notari. Binaldi shprehet i kënaqur, jo vetëm me kohën, por edhe për përvojën që merr çdo notar në kompeticione të niveleve të tilla. “Për mua ishte një garë që e njoh mirë prej vitesh, dhe ajo që mbetet pozitive, është se unë e përmirësova kohën time personale. Por kjo garë, është edhe një eksperiencë e mirë, pasi këtu mëson shumë nga notarë të nivelit evropian. Në këto nivele, them se ne na duhet shumë punë për t’i arritur. Duke qenë se largohem për studime në Amerikë, falënderoj FSHN-në për këtë mundësi që më dha në këtë Evropian, duke qenë një eksperiencë e mirë për mua”. Ndërkohë, i dyti që garoi dje ishte notari Franci Aleksi, i cili së bashku me notarin tjetër Spiro Goga, notuan në 400 m stil i lirë. Për Aleksin, koha ishte shumë pranë të qindtave të sekondës larg rekordit tonë Kombëtar, ndërsa Goga, edhe pse i ri në moshë, priste më shumë në këtë garë. “U mundova të jepja më shumë në këtë garë, dhe më erdhi shumë keq që nuk arrita ta thyeja rekordin Kombëtar, vetëm për disa të qindtat e sekondës. Ndjehem në formë të mirë, dhe nesër (sot) në garën 1500 m stil i lirë, shpresoj të thyej rekordin Kombëtar”, kështu deklaroi notari Franci Aleksi, i cili ishte 17 sek larg vendit të parë dhe 12 sek larg vendit të dytë në këtë garë. Ndërkohë që, edhe notari Spiro Goga priste më shumë nga vetja në këtë garë, por edhe ai shpreson të përmirësohet në garat e radhës. “Për pjesëmarrjen time në këtë Kampionat Evropian të Notit isha përgatitur shumë, njëherësh edhe për garën sot (dje) prisja një rezultat më të mirë (400 m stil i lirë). Nesër (sot) do të garoj së bashku me Binaldin në garën e 1500 m stil i lirë, dhe shpresoj që të bëj një garë të mirë”. Sot, përsëri në garë do të jenë notarët Mahmuti e Goga, ndërsa para tyre do të garojë notari Aleksandër Ngresi në 200 m stil i lirë. 
Në garat dje, notarët Franci Aleksi e Spiro Goga, notuan në 400 m stil i lirë. Për Aleksin, koha ishte shumë pranë të qindtave të sekondës larg rekordit tonë Kombëtar, sot ai premton rekord në garën 1500 m stil i lirë
Garat dje/ 13 dhjetor 2017
Notarët Koha Rend. 
100 m stil flutur
Binald Mahmuti 59.68 8
400 m stil i lirë
Franci Aleksi 4.07.93 8
Spiro Goga 4.14.58 9
Garat sot/ 14 dhjetor 2017 
200 m stil i lirë/ Aleksandër Ngresi 
1500 m stil i lirë/ Franci Aleksi 
Spiro Goga 
Garat nesër/ 15 dhjetor 2017 
50m stil i lirë/ Binald Mahmuti
Keis Fetishaj
Garat të shtunën/ 16 dhjetor 2017 
50 m stil flutur/ Keis Fetishaj
100 m stil i lirë/ Binald Mahmuti
Aleksandër Ngresi
100 m mix/ Binald Mahmuti
Gara të dielën/ 17 dhjetor 2017 
50m stil shpinë/ Keis Fetishaj