Franci Aleksi: Jam në vitin e Rekordeve Kombëtare, në Tarragona do synoj më të mirën

659
Nga Agron KAJA
POST KAMPIONAT/ Atmosfera e Kampionatit Kombëtar që u zhvillua “Te Stela”, është ende e “gjallë”, flasin për “Telegraf” rekordmenët 
Ky vit kalendarik ka nisur me rekorde kombëtare për ju, do ta quanit si vitin e rekordeve për garat që do të zhvilloni?
Unë e nisa me rekord kombëtar në turneun e Herzegnovit në Malin e Zi në garën 200 m stil i lirë, e vazhdova me rekordin tjetër në muajin mars në turneun ndërkombëtar në Greqi, e po kështu në këtë Kampionat Kombëtar. Duke i marrë të tria veprimtaritë, janë 6 thyerje rekordi, të cilin ju po e quani si vitin e rekordeve për mua.

Jeni shpallur notari më i mirë për meshkuj në Kampionatin Kombëtar të Notit, si ndjehet Franc Aleksi 24 orë pas këtij eventi?
Natyrisht që ndjehem i lumtur që realizova të gjitha pritshmëritë e mia për këtë Kampionat, por edhe i obliguar për më shumë në veprimtaritë pasardhëse. Kësisoj, po mbaj premtimet që i kam deklaruar publikisht, se në këtë vit çdo garë që do të zhvilloj, do të ketë rekord të ri.

E nisët që në ditën e parë me 2 rekorde Kombëtare, e po kështu në ditën e dytë, mos janë “shumë” rekorde?
Në fakt, kohët rekord që regjistrova në garat e Kampionatit Kombëtar, unë siç ua deklarova më sipër ishin në pritshmëritë e mia. Për synimet e mia , rekordet kombëtare bëhen pedana e fuqishme për të arritur edhe më lart, pse jo edhe ndonjë rezultat në niveleve ndërkombëtare.

Duke qenë pjesëmarrës edhe në turne ndërkombëtarë, si e bëni krahasimin me veprimtaritë kombëtare?
Në fakt, neve këtu në Shqipëri na mungon paksa infrastruktura, ndërsa për sa i përket organizimit, unë do të thosha se federata jonë e notit ka standarde të niveleve të mira. Këtë e kam konstatuar vit pas viti, kryesisht në 3-4 vitet e fundit, ku ndryshimet cilësore janë më të prekshme.

Gjithë këtë sukses që keni arritur, kryesisht gjatë këtij viti, kujt ia dedikoni?
Për mua rruga e sukseseve ka vite që është shtruar, dhe këtu falënderoj, së pari familjen time për mbështetjen që më jep, trajnerët me të cilët i përgatit thyerjet e rekordeve, pse jo edhe komunitetin e notit, përkrahja e të cilëve për mua është një motiv më shumë në çdo garë.

Cilat janë synimet më të afërta tuajat për këtë vit sportiv?
Duke qenë se unë do të marr pjesë në garat e Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Tarragona të Spanjës më 22 qershor, deri më 1 korrik të këtij viti, synimi im është që aty të përmirësoj kohët rekord kombëtar, ndoshta, edhe ndonjë kohë që të afrohet në nivelet ndërkombëtare.
Në fakt, neve këtu në Shqipëri na mungon paksa infrastruktura, ndërsa për sa i përket organizimit, unë do të thosha se federata jonë e notit ka standarde të niveleve të mira. Këtë e kam konstatuar vit pas viti, kryesisht në 3-4 vitet e fundit, ku ndryshimet cilësore janë më të prekshme
REKORDET KOMBËTARE TË FRANC ALEKSIT
KAMPIONATI KOMBËTAR, 21-22 PRILL 2018
Garat Rekordi Ishte
200 m St.Lirë 1.56.26 1.56.28
400 m St.lirë 4.01.44 4.03.07
800 m St.Lirë 8.22.87 8.29.19
1500 m St.lirë 15.49.53 16.11.03
Notarët më të mirë të Rinj
Femra: Sonja Kapedani EAGLES 1032 pikë
Meshkuj: Frenc Bërdaku Teuta 1355 pikë
Notarët më të mirë të Rritur
Femra: Nikol Merizaj Tirana 1315 pikë 
Meshkuj: Franci Aleksi i EAGLES 1398 pikë 
Frenc Bërdaku: Në çdo garë të vitit, do synoj rekorde e podiume 
Durrsakun shtatshkurtër, por me një shkathtësi të admirueshme në pishinë, Frenc Bërdakun, Kampionati Kombëtar i notit e rikonfirmoi si një kampion e rekordmen të padiskutueshëm. Franci zhvilloi 4 gara dhe 2 stafeta, dhe në të gjitha këto ishte në podiumin e fituesve, por në dy garat e tij të preferuara, 400 m dhe 1500 m stil i lirë, ai theu rekordin kombëtar për të Rinj, madje në 1500 m me 20 sekonda. “Në këtë Kampionat Kombëtar”, me objektivat që kisha, jam në rregull. Por, nuk mendoj se po kënaqem deri këtu, sepse ky vit ka shumë veprimtari, në të cilat unë synoj që të jem pjesë e rekordeve, apo edhe e podiumeve”, ishte kjo deklarata e Bërdakut, dhënë dje për gazetën “Telegraf”, mendim të cilin e mbështetën edhe dy trajnerët, Gjergj Ngresi dhe Eduart Bërdaku.
REKORDET KOMBËTARE TË FRENC BËRDAKUT
KAMPIONATI KOMBËTAR, 21-22 PRILL 2018
Garat Rekordi Ishte
400 m St. lirë 4.02.23 4.04.42
1500 m St. lirë 16.03.09 16.23.30
Sigal