Franci Aleksi dhe Spiro Goga, rekordmenë kombëtarë në Kopenhagen

1988
NOT, KAMPIONATI EVROPIAN/ “Shpërthejnë” kuqezinjtë tanë, noti shqiptar me kohë të reja në garën e 1500 m stil i lirë për të rritur e të rinj
Nga Agron KAJA
Dje ka qenë ditë e mbarë për notarët shqiptarë që marrin pjesë në garat e Kampionatit Evropian të Notit, i cili që nga data 13 dhjetor është duke u zhvilluar në Kopenhagen të Danimarkës, në pishinën 25 m. Dy Rekorde Kombëtare: një për të rritur dhe një për të rinj, të dy në distancën 1500 m stil i lirë, treguan se notarët tanë nuk ndjehen inferiorë në këtë pjesëmarrje. Dhe ata që kanë thyer këto rekorde kombëtare janë Franci Aleksi e Spiro Goga, të dy garuan në 1500 m stil i lirë, por në kategori të ndryshme. Sipas informacionit nga Kopenhageni, ku trajneri Arian Fetishi ka zbardhur gjithë situatën e garimit të notarëve tanë, dje të dy notarët rekordmenë, kanë qenë perfektë në garën e 1500 m stil i lirë, një garë e vështirë në të cilën ndërthuren shumë elementë përgatitorë. “Unë isha i sigurt se, në këtë Kampionat Evropian, notarët tanë kishin ardhur me vlerësim maksimal, që për ne sot (dje) përkthehej me thyerjen e dy Rekordeve Kombëtare. Nuk kam më shumë fjalë, por do të uroja suksese për nesër (sot), ku Binald Mahmuti e Keis Fetishaj do të garojnë në 50 m stil i lirë, ndërsa Franci dhe Spiro i mbyllën garat e tyre në këtë event”, ishte kjo deklarata e trajnerit të pasionuar Arian Fetishi, ndërkohë që edhe dy notarët rekordmenë, nuk e fshehën entuziazmin dhe optimizmin për rezultatet që arritën. Për Franci Aleksin që garoi në kategorinë e të rriturve, ky rekord erdhi pas “paralajmërimit” që ai bëri dje në gazetën “Telegraf”. “Unë ju deklarova në ditën e parë, se në garën 1500 m stil i lirë, shpresoj të thyej Rekord Kombëtar. Ndjehesha në formë të mirë për këtë garë, jam i lumtur që ja arrita qëllimit me këtë rezultat”, kështu deklaroi rekordmeni Aleksi, ndërkohë që, edhe Spiro Goga, i kategorisë së të rinjve, ndjehet i kënaqur për rekordin, edhe pse sipas tij thyerja ishte me shifra të ulëta. “Edhe pse koha e thyerjes së rekordit Kombëtar është në shifra të ulëta, unë ndjehem i gëzuar për përmirësimin që i bëra, ndjehem shumë i kënaqur që Evropianin e mbylla me Rekord Kombëtar”. Ndërsa për të treguar se notarët që garojnë në këtë event janë të përzgjedhur saktësisht dhe me meritë nga FSHN-ja, trajneri Fetishi falënderoi për mbështetjen që ju ka dhënë kjo federatë në vazhdimësi, e veçanërisht për këtë pjesëmarrje në Kampionatin Evropian. “Duhet të jem serioz e realist, sepse e shoh se, këto rezultate që po shënojnë notarët tanë në Kampionatin Evropian të Notit, veç punës së tyre individuale dhe ekipore, tregojnë edhe për mbështetjen serioze që jep FSHN-ja për notarët e talentuar, larg çdo paanshmërie e nënvleftësimi në përzgjedhjen për talentet e progresin e tyre”. Sot do të garojnë dy notarët: Binald Mahmuti e Keis Fetishaj, vetëm në në 50 m stil i lirë.


FRANCI ALEKSI
1500m stil i lirë (të rritur)
Koha Rekord 16.11.03
Rekordi mëparshëm 16.23.30
“Unë ju deklarova në ditën e parë, se në garën 1500 m stil i lirë, shpresoj të thyej Rekord Kombëtar. Ndjehesha në formë të mirë për këtë garë, jam i lumtur që ia arrita qëllimit me këtë rezultat”
5 notarë
Në Kampionatin Evropian të Notit në pishinë 25 m që po zhvillohet në Danimarkë, marrin pjesë edhe 5 notarë shqiptarë
2 rekorde
Në garën e 1500 m stil i lirë për meshkuj, u thyen edhe dy Rekorde Kombëtarë, Aleksi për të rritur dhe Goga për të rinj
SPIRO GOGA
1500 m stil i lirë (të rinj)
Koha Rekord 16.34.07
Rekordi mëparshëm 16.37.77
“Edhe pse koha e thyerjes së rekordit Kombëtar është në shifra të ulëta, unë ndjehem i gëzuar për përmirësimin që i bëra, i kënaqur që Evropianin e mbylla me Rekord Kombëtar”
Trajneri Eduard Cane: Rekordin e Francit e prisja
Edhe trajneri i Franci Aleksit, Eduard Cane, dje ishte i befasuar nga rekordi i thellë që theu notari që stërvitet prej tij. Sipas Canes, pritej Rekord Kombëtar, por jo me këto shifra. “Para nisjes në Kampionatin Evropian, Franci ishte i sigurt që do të arrinte rezultat të mirë, dhe kryesisht në garën 1500 m stil i lirë. Unë si trajner e prisja një rekord, por jo kaq të thellë, sepse është thyer me 12 sek 27, një rezultat shumë premtues për vetë Francin, por edhe për notin shqiptar. Merita është e Francit, sepse ai tregohet një notar model dhe me vullnet shumë të madh, në stërvitje dhe garë. Kjo i shërben shumë atij për shkollën dhe bursën në Amerikë”, kështu deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, Eduard Cane, trajneri i notarit rekordmen në Danimarkë, Franci Aleksi, i cili njëherësh uroi që rekordmeni të mbetet i tillë edhe pse do të vazhdojë studimet në Amerikë.


JANË ZHVILLUAR
Garat/ 13 dhjetor 2017
Notarët Koha Rend. 
100 m stil flutur
Binald Mahmuti 59.68 8
400 m stil i lirë
Franci Aleksi 4.07.93 8
Spiro Goga 4.14.58 9
Garat dje/ 14 dhjetor 2017 
Notarët Koha Rez. 
1500 m stil i lirë 
Franci Aleksi 16.11.03 RK
Spiro Goga 16.34.07 RK
200 m stil i lirë
Aleksandër Ngresi 2.01.71 
DO ZHVILLOHEN
Garat sot
15 dhjetor 2017 
50 m stil i lirë
Binald Mahmuti
Keis Fetishaj
Garat të shtunën
16 dhjetor 2017 
50 m stil flutur
Keis Fetishaj
100 m stil i lirë
Binald Mahmuti
Aleksandër Ngresi
100 m mix
Binald Mahmuti
Garat të dielën
17 dhjetor 2017 
50 m stil shpinë
Keis Fetishaj
Sigal