Fraiburg rinovon për dy vjet më shumë kontratën me Abrashin

461
Sigal

Siguria që të ofron në mesin e fushës është e padiskutueshme dhe Fraiburg nuk ka dashur të privohet nga kjo mundësi. Ekipi gjerman ka nëshkruar kontratën e re me lojtarin shqiptar Amir Abrashi.

Lajmin e ka bërë publik vetë klubi i Bundesligës, nëpërmjet një njoftimi që ka zyrtarizuar firmën e re të mesfushorit 26 vjeçar, i cili ka luajtur 46 ndeshje me Fraiburgun që nga vera e vitit 2015 duke shënuar 4 gola.

“Amiri është zhvilluar shumë mirë me ne dhe i shton komponentë të vlefshëm lojës tonë me forcën dhe sjelljen e tij. Ai është një pjesë e rëndësishme e skuadrës tonë dhe presim me padurim që të vazhdojë bashkëpunimin”, u shpreh drejtori sportiv i klubit, Johen Saier.

Zgjatja e kontratës është pritur gëzim edhe nga vetë lojtari: “Deri tani në Fraiburg kam plotësuar të gjithë pritshmërinë dhe e shoh të ardhmen time sportive si pjesë e Fraiburgut. Unë e ndjej veten mjaft rehat këtu dhe e di që kam shumë për të bërë me këtë skuadër”, janë fjalët e futbollistit shqiptar.

Edhe pse është bërë ç’mos që të mos dalë asnjë detaj për kontratën e re, është mësuar se Abrashi ka firmosur deri në vitin 2020 me këtë klub. Kontrata e mesfushorit shqiptar përfundonte në verën e vitit 2018, por falë këtij rinovimi të ri të marrëveshjes, ai jo vetëm ka garantuar të ardhmen e tij, por edhe ndryshimin e parametrave financiarë të kontratës, të cilët kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm.

Në këto negociata Abrashi ka qenë i përfaqësuar nga vëllai i Xherdan Shaqirit, që është njëkohësisht edhe agjenti i tij.