Foto Strakosha: “Kjo Shqipëri ka të ardhme!”

533
Sigal

Trajneri i ekipit Kombëtar U-19 flet për “Telegraf” pas suksesit në turneun ndërkombëtar të Italisë

Foto Strakosha, trajneri i ekipit Kombëtar A, tha gjatë një interviste ekskluzive për “Telegraf” se, kishte marrë sinjale pozitive nga paraqitja e skuadrës në turneun ndërkombëtar të Italisë, ku përballë ishin disa nga emrat e njohur të futbollit europian të moshave, si Italia (vendase), Rusia dhe Greqia. Në tri ndeshje, Shqipëria fitoi 2-0 me Greqinë, barazoi 1-1 me Italinë dhe humbi 1-0 me Rusinë. Këto ndeshje u zhvilluan edhe në kuadër të përgatitjeve të eliminatoreve të ardhshme të Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe, takime që do të luhen në Bullgari, më 12-17 nëntor 2013. “Qëllimi ynë është që, deri në momentet e fundit, pra fillimit të eliminatoreve të Euro U-19 (2013-2014) të përzgjedhim lojtarët të cilët janë në gjendjen më të mirë të mundshme, për të përfaqësuar ekipin Kombëtar. Pra, kemi filluar të mendojmë që tani”, – tha Strakosha, ish-kapiteni i Kombëtares (73 ndeshje) dhe një nga portierët më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria. “Për momentin, unë gjykoj se kemi disa futbollistë të mirë dhe në të ardhmen do të kalojnë në sitë dhe shumë të tjerë. Jam i bindur se, disa për momentin e justifikuan besimin dhe thirrjen për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar për turneun e Italisë”. Në lidhje me objektivat në eliminatoret e Europianit, ku Shqipëria është një  në një grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë, Strakosha përgjigjet më një batutë: “Oreksi vjen duke ngrënë”…

 – Zoti Strakosha, ekipi Kombëtar U-19 i futbollit mori pjesë në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar, në vazhdën e përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian të asaj moshe. Përse i shërbeu ju dhe ekipit ky turne?

– Mendoj se, çdo grumbullim apo ndeshje, me qëllime të përcaktuara qartë i shërben konsolidimit të skuadrës që unë drejtoj. Jemi në vazhdimësi seleksionimesh të disa futbollistëve, përveç atyre që i kishim në dispozicion në eliminatoret e Europianit, ndeshjet e të cilit u luajtën në Vlorë gjatë tetorit të vitit të kaluar. Tetë prej atyre lojtarëve ishin të vitlindjes 1995. Duhet të shikonim edhe futbollistë të tjerë. Qëllimi ynë është që, deri në momentet e fundit, pra fillimit të eliminatoreve të Euro U-19 (2013-2014) të përzgjedhim lojtarët të cilët janë në gjendjen më të mirë të mundshme, për të përfaqësuar ekipin Kombëtar. Pra, kemi filluar të mendojmë që tani.

 – Çfarë do të veçonit nga lojtarët e thirrur?

 – Unë nuk do të doja t’i kushtoja rëndësi këtij fakti dhe kundërshtarëve. Personalisht, i vë rëndësi mënyrës sesi luajmë dhe bashkëpunojnë në grup lojtarët, të cilët aktivizoj. Për momentin, unë gjykoj se kemi disa futbollistë të mirë dhe në të ardhmen do të kalojnë në sitë dhe shumë të tjerë. Jam i bindur se, dis për momentin e justifikuan besimin dhe thirrjen për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar për turneun e Italisë. Besoj se, për të tjerët ka nevojë për më shumë punë.

– Kundërshtarët ishin emra të mëdhenj të futbollit europian të moshave, Rusia, Italia apo dhe Greqia. E nisëm me një humbje mininale 0-1 me Rusinë. Si do ta gjykonit paraqitjen e lojtarëve tanë?

Kam një vlerësim të dyfishtë. Ashtu siç mund të jem i kënaqur për disa gjera pozitive që krijuan çunat, në të kundërt me ngeli një keqardhje, ndërkohë që konstatova dhe një mërzitje te lojtarët, pasi ishte e vetmja ndeshje që, edhe me barazimin nuk mund të isha i kënaqur. Ishte një ndeshje ku luajtëm bukur; krijuam superioritet në qarkullimin e topit; krijuam raste të shumta për të shënuar, por u ndëshkuam nga Rusia me një gol, të cilin rallëherë e shohim. Por, futbolli i ka këto.

 – Një barazim i bukur 1-1 me Italinë vendase dhe me një traditë. Duhet të jeni i kënaqur apo jo?

 – Nuk mund të them se, bëmë një lojë perfekte, në raport me atë që krijuam kundër Rusisë. Por, me Italinë luajtëm më të vendosur, patëm disa momente shumë të mira, patëm mundësi për të realizuar më shumë se një gol. Gjithsesi, ajo që unë e gjykoj më pozitive, është paraqitje taktike e skuadrës, si del ekipi në lojë, përpara portës, mënyra e të komunikuarit midis lojtarëve, pasi disa prej tyre luajtën për herë të parë së bashku, pasi vijnë nga ekipe të ndryshme. Pra, e theksoj se, për mua më e rëndësishme është fakti sesi komunikojnë midis tyre lojtarët. Në këtë aspekt, deri diku jam i kënaqur. Qëllimi im kryesor është të krijoj një grup që, di të bashkëpunojë me njëri-tjetrin.

– Dhe erdhi shpërthimi ndaj Greqisë, në atë fitore 2-0. A e konsideroni edhe si një shpërblim të punës së kryer?

 – Nuk më pëlqen ta konsideroj kështu. Unë kënaqem, kur djemtë kënaqen. Dhe në këtë rast, kënaqësia është e përbashkët. Kënaqësia ime është kur arrijmë rezultatin, dhe të parët që e reflektojnë atë janë sportistët.

– Strakosha, a mund të themi se tashmë e kemi krijuar një bazë të mirë të Kombëtares U-19?

 – Nuk dëshiroj të nxitohem në këtë konstatim, por them se kemi futbollistë të rinj që kanë merita dhe cilësi, për t’u parë dhe përkushtuar. Besoj se, deri në prag të eliminatoreve të Europianit (nëntor 2013), do të kemi seleksionuar ata lojtarë që do të formojnë dhe grupin që do të përballojë ndeshjet zyrtare të radhës. Kur e mora këtë detyrë para një viti, unë e kisha të qartë misionin tim të dyfishtë: pra, nuk do të isha vetëm një trajner, por dhe një seleksionues i mirëfilltë. Unë e respektoj fort këtë. Nuk dua të bëj vetëm seleksionime lojtarësh, por dhe t’i mësoj ata të luajnë bukur dhe me egon për të arritur suksese.

 – Edhe pse na ndajnë disa muaj nga eliminatoret e radhës, duke u nisur edhe nga përvoja e atyre të fundit, të zhvilluar vetëm tre muaj më parë (tetor 2012), në Vlorë dhe Fier, besoj se synoni më shumë përballë ekipeve të tilla si Bullgaria, Greqia dhe Sllovakia?

– Pa dyshim, oreksi vjen duke ngrënë apo jo? (qesh).

 De Biazi: “Përgëzime Strakosha!”

 Trajneri i Kombëtares A të Shqipërisë, italiani Xhani De Biazi, e përgëzoi homologun e tij të përfaqësueses U-19, Foto Strakosha, pas paraqitjes së mirë në turneun e Italisë. “Përgëzime Strakosha. Më të vërtetë tri paraqitej të bukura”, – i tha De Biazi, në një nga kafet pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. De Biazi shoqërohej nga menaxheri i Kombëtares shqiptare, ish-golashënuesi i njohur Alban Bushi. Në bisedë ndodhej edhe shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi.

 Bilanc i sukseshëm në Romë

 Shqipëria bëri një paraqitje të pëlqyeshme në turneun ndërkombëtar të Romës, ku përballë kishte Rusinë, Greqinë dhe Italinë. Ky turne është organizuar nga Federata Italiane e Futbollit e cila në kuadër të marrëveshjes që ka me Federatën Shqiptare të Futbollit ftoi edhe ekipin tonë përfaqësues U-19. Shqipëria grumbulloi 4 pikë në tri ndeshje duke bërë një figurë të mirë me nivelin e saj të lojës. Kombëtarja U-19 humbi ndeshjen e parë 1-0 me Rusinë, por me një lojë të mirë të zhvilluar. Në takimin e dytë barazoi 1-1 me Italinë (humbi 8-7 me 11-metërsha). Golin për Shqipërinë e shënoi kosovari Gavazaj. Kombëtarja U-19 e Shqipërisë mposhti dje me rezultatin e pastër 2-0 Greqinë e asaj moshe, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut miqësor ndërkombëtar, të zhvilluar në Romë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Foto Strakosha treguan një nivel të pëlqyeshëm loje, duke shënuar dy gola qysh në pjesën e parë: fillimisht me anë të Ymerajt, ndërsa më pas falë një autogoli të grekut Vasilidis. Ndonëse në këtë avantazh edhe në pjesën e dytë gjithçka u zhvillua në gjysmëfushën e skuadrës greke dhe lojtarët tanë humbën disa raste shumë të mira për shënim, madje duke goditur dy herë shtyllën e portierit helen. Trajneri i skuadrës tonë përfaqësuese, Foto Strakosha, ka grumbulluar në këtë skuadër kandidatet e mundshëm të ekipit kuqezi. Disa prej tyre janë nga kampionati kombëtar i moshës U-19, ndërsa të tjerët vijnë nga Italia, Greqia, Zvicra etj.

 Turneu Ndërkombëtar i Romës

Romë, 15-17 janar

15.01.2013

Shqipëri-Rusi   0-1

16.01.2013

Shqipëri-Itali 1-1

Shënues: Gavazaj

17.01.2013

Shqipëri-Greqi 2-0

Shënues: Ymeraj, Vasilidhis (aut.)

  Eliminatoret e Europianit U-19

 Ekipi Kombëtar U-19 shqiptar do të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe. Shqipëria ka rënë në një grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë. Ndeshjet do të luhen në datat 12-17 nëntor 2013.

 EURO U-17 2014

RAUNDI I PARË KUALIFIKUES

Grupi 1

Bjellorusia, Rumania, Finlanda, Shqipëria*

Ndeshjet do të luhen në Shqipëri,

nga 18-23 tetor 2013

EURO U-19 2014

RAUNDI I PARË KUALIFIKUES

 Grupi 6

Greqia, Sllovakia, Shqipëria, Bullgaria*

Ndeshjet do të luhen në Bullgari,

nga 12-17 nëntor 2013

 Sërish në prill kundër Italisë

 Me Italinë ne do të luajmë një ndeshje tjetër miqësore, kjo e programuar në muajin prill. Është një kthim vizite, kjo dhe në frymën e marrëveshjes midis dy federatave. Italia U-19 është një skuadër e njohur për ne, pasi me të ne jemi ndeshur tri herë në dy vitet e fundit, dy ndeshje miqësore, po në Itali (maj 2011), në kohën kur Shqipërinë U-19 e drejtonte Skënder Gega, dhe një herë në eliminatoret e Europianit, kur ai u zhvillua në vendin tonë, në Vlorë dhe në Fier dhe ku morën pjesë edhe Belgjika me Bjellorusinë.

 Turneu ndërkombëtar i U-17

 Në muajin shkurt do të zhvillohet një turne në vendin tonë, ku do të marrin pjesë edhe Sllovenia me Kosovën. Me Slloveninë do të zhvillojmë dy ndeshje. Edhe këto ndeshje janë në kuadër të përgatitjeve të asaj Kombëtare për eliminatoret e Europianit 2013-2014, ku Shqipëria do të jetë në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Siç dihet, ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë, nga datat 18-23 tetor 2014.

 Miqësore

Shqipëri-Gjeorgji, më 6 shkurt

 Shqipëria e “Madhe”, ajo e drejtuar nga Xhani De Biazi do të luajë një ndeshje miqësore me Gjeorgjinë, takim i planifikuar më 6 shkurt 2013, në “Qemal Stafa” (ora 19:00). Kjo do të jetë miqësorja e gjashtë me italianin në bankinë. Vitin e kaluar Shqipëria humbi 2-1 me Gjeorgjinë (në Tbilisi), por me portierin Samir Ujkani që priti dy penallti. Një ndeshje e humbur më shumë si pasojë e gabimeve të gjyqtarit. Më 22 maj, Shqipëria luajti një miqësore të rrallë me Katarin, një takim i zhvilluar në Madrid. Kombëtarja fitoi 2-1 me golat e Elis Bakajt (46’) dhe Erjon Bogdanit (50’). Pesë ditë më pas, më 27 maj, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren me Iranin, në Stamboll, falë një goli të Emiljano Vilës (60’). Më 15 gusht, Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj Moldavisë, dhe me Kamerunin, po 0-0 në Gjenevë (21 nëntor) De Biazi ka një bilanc pozitiv në ndeshjet miqësore: dy fitore, dy barazime dhe një humbje.