F1: Hamilton fiton edhe Çmimin e Kanadasë, i dyti renditet Rosberg

Lewis Hamilton ka triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Kanadasë, në Montreal, duke e udhëhequr këtë garë që nga fillimi i saj deri në fund. Menjëherë pas britanikut u rendit piloti tjetër i “Mercedes”, Nico Rosberg, ndërsa e plotësoi podiumin Valtteri Bottas, piloti i “Williams”.

Kimi Raikkonen me “Ferrari”, zuri vendin e katërt, por ndoshta për të mund të kishte shkuar edhe më mirë nëse nuk do të kishte bërë atë gabim në xhiron e 28, kur doli nga pista.

Ndërkohë një garë mjaft të mirë zhvilloi piloti gjerman i “Ferrarit”, 4 herë kampioni i botës, Sebastian Vettel,i cili u rendit i pesti pas eliminimit një ditë më parë nga provat zyrtare, duke e nisur këtë garë nga vendi i 18.

Pas kësaj fitoreje, Hamilton, vazhdon të thellojë ende diferencën nga ndjekësi më i afërt shoku i tij i skuadrës, Rosberg, duke e çuar në 17 pikë. Gara e ardhshme e Formula 1 do të zhvillohet më 21 Qershor në Austri.