Formacionet zyrtare/ Ja si do luajnë Shqipëria dhe Zvicra

509
Sigal

Tekniku italian do t’i besojë të njëjtës strategji që aplikoi edhe në fushatën kualifikuese. Pra, një skuadër e mbipopulluar në mesfushë, që ngre “digën” para mbrojtjes, me orientim të qartë difensiv të kuqezinjve. Më së pari mos pëso gol, është filozofia e De Biazit, pastaj të kapë çfarë të mundet në aspektin tjetër. Me një skemë 4-5-1, e cila në fazën sulmuese, kur topin e kemi ne, shndërrohet në 4-3-3, trajneri i kombëtares mendon se mund ta përballojë cilësinë individuale dhe kolektive të helvetikëve.

Berisha në portë, Cana dhe Mavraj në qendër, me Hysajn dhe Agollin, nga e djathta në të majtë, si pjesë e mbrojtjes, ky “gardh” ka për detyrë ta mbajë sa më larg rrezikun kundërshtar. Pak a shumë pjesë e këtij reparti do të jetë edhe Kukeli, në rolin e “filtrit”, vetëm se ai duhet edhe të nxjerrë skuadrën përpara, përmes shpërndarjes së topave. Aftësitë e tij mbrojtëse dhe kreative kanë bërë që të ulë në stol Kaçen, i cili spikati në miqësoren e fundit ndaj Ukrainës. Abrashi dhe T.Xhaka duhet të vrapojnë shumë dhe të mbyllin zonat në mesfushë, të ushtrojnë presing ndaj helvetikëve që në “embrion” të aksioneve të tyre. Pra, edhe detyrat e tyre janë shkatërruese. Lenjani dhe Roshi duhet të marrin krahun dhe të krosojnë për te sulmuesi i vetëm, Sadiku. Po ashtu, infiltrimi nga krahët drejt qendrës së zonës zvicerane është një “specialitet” i tyre.