Formacionet e mundshme, Danimarkë-Francë/ Deshamp i qartë: Asnjë nder danezëve

173

Franca është kualifikuar për 1/8-at e Botërorit, por sidoqoftë do të përpiqet të fitojë edhe ndeshjen e fundit në grup, ndaj Danimarkës, sot në orën 16.00. Premtimi vjen nga Didie Deshamp, që në konferencë për shtyp, jo vetëm konfirmon dëshirën për fitore, por edhe siguron që të tijtë nuk do të bëjnë asnjë llogari në kuadër të turit pasardhës.

Ju jeni kualifikuar, Danimarkës i mjafton një pikë. Luani për barazim?
Nuk do të ndihmojmë danezët. Objektivi ynë është të fitojmë grupin dhe për këtë qëllim kemi në dispozicion dy rezultate. Kurrë nuk do t’i thosha skuadrës time që të luajë për 1 pikë. Danimarka do të luajë për fitore dhe nuk dua që ekipi im të ketë dyshime për rezultatin.

A nuk mendoni se do të ketë më pak intensitet?
Në fjalimet e mia nuk kam përmendur kurrë fjalën kursim energjish. Temperaturat, orari apo kundërshtari mund të na detyrojnë për një ritëm më të ulët, por nuk do të jetë një kërkesë e imja. Sa më herët të luajmë, aq më e vështirë bëhet për të gjitha, jo më kot ndeshjet e darkës janë më të ndezura. Ju thoni se të gjithë meritojnë të luajnë.

formacionet5

Në cilat kritere do të bazoheni për të bërë formacionin?
Kur zgjedh lojtarët mbaj parasysh disa parametra, mbi gjendjen e tyre fizike, mbi minutat që kanë luajtur, nëse vijnë nga ndonjë dëmtim apo nëse janë të ndëshkuar me kartonë të verdhë. Nëse ka ndonjë moment kur unë mendoj për të kursyer lojtarët, është pikërisht kur shoh këto aspekte, por ndaj Danimarkës nuk do të jetë momenti për llogari.

Cilat janë rreziqet që ju kanosen nëse bëni shumë zëvendësime në krahasim me dy ndeshjet e para?
Thelbësore për mua është që të jemi një ekip konkurrues në raport me objektivat tanë. Asnjë trajner nuk do të mundte të luante gjithmonë me të njëjtin formacion. Jo më kot kam një ekip me 23 lojtarë dhe nëse ndonjëri prej tyre aktivizohet, kjo ndodh sepse të tilla janë nevojat dhe jo për t’i dhuruar kënaqësinë e debutimit. Rreziqe nuk ka, sepse këtu janë futbollistë që i kanë treguar vlerat e tyre. Ata meritojnë të luajnë që të gjithë, ndaj nëse do të mundja do t’i aktivizoja të gjithë njëherësh, por ja që rregullat nuk më lejojnë.

Çfarë duhet të mendojë Mendi nëse nuk luan kundër Danimarkës? Nuk keni frikë se mund ta humbisni kështu një lojtar?
Unë nuk jam aspak i shqetësuar, megjithatë mund të pyesni vetë Benzhamën (Mendi) kur ta takoni.

DANIMARKA
Age Hareide nuk është njeri kompromisesh dhe si i tillë nuk do të mjaftohet vetëm me një pikë në ndeshjen e sotme ndaj Francës. Trajneri norvegjez i Danimarkës i ka të qarta kërkesat për skuadrën e tij dhe përfiton nga konferenca për shtyp për të vendosur pikat mbi “i”:

“E njohim pozicionin tonë dhe e dimë se do të na duhet vetëm një pikë për t’u kualifikuar, por kjo nuk do të thotë që barazimi është objektivi ynë. Franca është një skuadër me vlera, së cilës do të mundohemi t’i marrim kreun e grupit pavarësisht se shorti nuk rezervon asnjë ekip të lehtë, cilado qoftë pozita jonë. Nesër (sot) do të luajmë për tri pikë, pa bërë llogari dhe pa u interesuar se çfarë po bën Australia ndaj Perusë”.