Sigal

Ashtu si gjithmonë, në prag të sfidës me ekipin e radhës, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde ka dalë në konferencë për shtyp, ku foli për ndeshjen në tërësi, mungesën e Messit dhe rivalin e tyre, Interin.

“Do të presim një kundërshtar në formë shumë të mirë. Ata kanë fituar shtatë ndeshje radhazi dhe nuk dorëzohen kurrë, ata kanë fituar shumë ndeshje në minutën e fundit. Do të jetë një sfidë e bukur, tre pikët do të jenë të rëndësishme për të avancuar në kompeticion”, shprehet Valverde në konferencën e shtypit.

“Ne kemi gjashtë pikë, aq sa Inter, por do të luajmë brenda dhe duam të shfrytëzojmë avantazhin e shtëpisë. Duam ta fitojmë këtë ndeshje shumë të rëndësishme”, vijoi më tej spanjolli.

Sipas Valverde, Messin nuk mund ta zëvendësojë një lojtar, e kësisoj është përgjegjësi kolektive.

“Messi? Padyshim që mungesa e tij do të ndikojë, por është gjithashtu një sfidë për ne, të provojmë nëse mund të fitojmë pa të në javët e ardhshme ku kemi disa ndeshje shumë të vështira. Mund të ndryshosh sistemin, por jo stilin e lojës. Kemi disa opsione por nuk dua t’i jap asnjë ndihmë Spalletti-t. Messi nuk mund të zëvendësohet nga një lojtar, do të jetë një përgjegjësi kolektive”, tha ai.