FLET TRAJNERI “LEGJENDË” I PARTIZANIT DHE KOMBËTARES ASTRIT GREVA

773
Nga Agron KAJA

Astrit Greva: Basketbolli shqiptar në dy sistemet, me ndryshime në tregues që sot ia kanë humbur shkëlqimin
DOSIER/ Ja si vjen në gazetën “Telegraf”, trajneri “Legjendë” në basketbollin e meshkujve të Partizanit dhe Kombëtares, preferencat për të nga ish-politikanët e kohës, familja me basketbollin dhe gjendja e koshit shqiptar sot
Këto radhë në gazetën “Telegraf”, janë pak për Astrit Grevën, madje shumë pak për këtë “Legjendë” të gjallë në basketbollin shqiptar. Takimi me Profesorin nuk ishte i vështirë, edhe pse ai udhëton shumë, së bashku me bashkëshorten e tij, ish-basketbollisten e 17 Nëntorit dhe të Kombëtares, Terezina Greva (Radoja). Të dy së bashku ishin dje në fokusin e kësaj bisede, të cilët me kujtimet e tyre të freskëta e plot nostalgji, bënë të rikthehen në kujtesën e tyre pjesë të karrierës sportive. Edhe pse e nisëm bashkëbisedimin me Profesor Astritin, doli si “pa dashje” se, Terezina javën e ardhshme feston 75-vjetorin e ditëlindjes, dhe ai ia kushton pikërisht bashkëshortes së tij këto radhë në gazetën tonë. 
Të shkruash për një “Legjendë” është detyrim e respekt, por sa do të flasë Astrit Greva për veten e tij?
Natyrisht që unë mund të flas shumë, por nuk do të isha i sinqertë nëse nuk do ta filloja me një falënderim për gazetën tuaj, e cila shpesh boton profile të figurave në sportin shqiptar. Për mua ka qenë një karrierë e gjatë 32 vjeçare, por edhe një karrierë që vazhdon ende, tashmë me fëmijët.

Sa i kthjellët jeni në kujtesë për karrierën tuaj sportive sot, kur me “ndrojtje” ju besoj se jeni 82 vjeç?
(Qesh). Në jetë, rëndësi ka se si ndjehesh, jo se sa vite ke në pasaportë. Gjithsesi, kujtoj se unë e nisa sportin në shkollën: “Avni Rustemi” me të rinjtë e Tiranës. Kemi dalë Kampionë Kombëtarë, dhe për mua aty nisi rruga e gjatë, e bukur dhe e vështirë me basketbollin në vendin tonë.

Karrierën sportive e keni zhvilluar më shumë në sistemin e kaluar, keni pasur vështirësi, dhe cilat ishin, sipas jush?
Probleme edhe kishte, se nuk ishin të gjitha gjërat “kampione” si skuadra që unë drejtova. Isha 21 vjeç (1957) kur m’u besua drejtimi i skuadrës së Partizanit për meshkuj, pasi në atë vit, trajneri Naim Pilku shkoi për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe për fat të mirë, u përzgjodha unë si zëvendësues i tij.

Partizani i asaj kohe ishte skuadra më e mirë në basketboll për meshkuj, kishit mbështetjen e drejtuesve të kohës?
Partizani atëherë varej nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ishte një faktor plus, pasi interesohej për të gjitha llojet e sportit që kishte në varësi. Ndikimi i saj ishte shumë pozitiv dhe motivues, e këtu unë mendoj se ka qenë një nga treguesit e sukseseve që Partizani ka arritur në atë periudhë.

Po ju si trajner, keni qenë i preferuar nga politikanët e asaj kohe në takime e biseda, dhe çfarë kujtoni si më të veçantë?
Për mua, më shumë kujdes dhe interes tregonte Petrit Dume, dhe jo vetëm për basketbollin, e më pas, edhe Muharrem Kokomani. Unë i kujtoj si njerëzit që e dashuronin dhe e ndihmonin sportin, dhe, nëse do të shtoja këtu edhe Besim Fagun, do thosha se ishte një treshe intelektualësh të përkushtuar për sportin e Partizanit.

Thuhet se keni marrë shpesh edhe dhurata, që për kohën ishte rreptësisht e ndaluar, sa është e vërtetë?
Çfarë dhurata mendoni ju? Atëherë nuk kishte lirshmëri si sot, por kishte varfëri në materialet sportive. Këto kanë qenë dhuratat, kryesisht këpucë e bluza, pra materiale sportive. Kujtoj në Belgjikë në vitin 1990 kur luajtëm me Pilsen, pas ndeshjes na futën në një magazinë këpucësh, sepse atëherë kishte mangësi në tregun shqiptar. Kaq!

Në periudhën që e drejtuat Partizanin, çfarë veçoni më shumë: Ndeshjet në Shqipëri apo ato jashtë shtetit?
Të gjitha ndeshjet kanë pasur të veçantat e tyre, si këtu në Shqipëri, por dhe me skuadrat e huaja që jemi ndeshur në atë kohë. Brezin me të cilin unë punova si trajner, mund ta quaj pa frikë si “të Artë”, dhe të gjithë ata kanë treguar nivel e kulturë të lartë, në lojë e jashtë saj.

Ju keni trajnuar emra të mëdhenj të basketbollit shqiptar në vite, si i kujtoni bashkëpunimet me ta?
Atëherë u krijua një traditë, ku rol kishte, i Madhi Agim Fagu, i cili ishte lojtar dhe trajner te Partizani. Ai harmonizonte shumë mirë punën mes shokëve e trajnerit, dhe rreth tij u afruan shumë basketbollistë të tjerë të talentuar, të cilët e çuan stafetën e Partizanit fitues, vit pas viti.

Nga figura të politikës, biznesit e sportit sot, cilët kujtoni si më të veçantë?
Të jem i sinqertë ata janë shumë, por së pari sjell në kujtesë Edi Ramën, sot Kryeministër, Ilir Trebickën biznesmen, apo Auron Taren historian. Për të gjithë ruaj konsideratat më të mira, sepse kanë qenë basketbollistë të talentuar, por edhe djem të mirë në shoqërinë e kohës. 

Edi Ramën e sillni se sot në kujtesë është Kryeministër i Shqipërisë apo se realisht ishte i tillë?
Për mua, Edi Rama atëherë ishte basketbollist i mirë. Lojtarët shtatlartë i kishim të pakët në atë kohë, dhe Edi ishte plotësisht i nevojshëm për markues i kundërshtarit dhe për topat në tabelë. Dukej që ishte më i preokupuar për artin, por për mua mbetet një basketbollist i mirë.

Sot që Rama është Kryeministër i Shqipërisë, mban kontakte me ju?
Që nga koha që ai është zgjedhur Kryeministër, në çdo Vit të Ri apo ditëlindje, nëse nuk vjen dot vetë fizikisht, dërgon dhurata. Kjo është vlerësuese për mua e familjen time, e po ashtu mbetet edhe dhënia e pensionit të veçantë për mua, të cilin kishin mbi 10 vite që ma vononin.

Po emra të veçantë, të cilët kanë qenë për ju më evidentë në lojë e jashtë saj, mund të kujtoni?
Ndoshta do të duhen shumë faqe gazete, sepse ka qenë një plejadë talentesh, por së bashku me Agim Fagun, përmend R. Kuqo, P. Bushati, K. Zaçe, K. Mushi, E. Terihati, P. Leka, P. Papa, G. Çaçi, E. Prifti e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po i përmend në këto radhë. 

Çfarë ju ka mbetur më shumë në kujtesë për karrierën tuaj në drejtimin e basketbollit te Partizanit dhe të Kombëtares?
Për një trajner, çdo detaj që kujtohet sot, ka qenë i veçantë. Duke i risjellë në kujtesë, bënin diferencën talentet, veçohej interesimi i Ministrisë së Mbrojtjes, i Klubit Partizani, por edhe interesimi i jashtëzakonshëm i sportdashësve. Sot nuk mblidhen në një ndeshje futbolli, aq sa e ndiqnin Partizanin në Pallatin e Sportit.

E kujton Astrit Greva ndeshjen e parë dhe ndeshjen e fundit në karrierë?
Po, më kujtohet ndeshja ime e parë si trajner, ka qenë në vitin 1958, Partizani-Lokomotiva e Durrësit. Isha këmbëmbarë, sepse ndeshjen e fitoi Partizani, ndërsa e fundit në vitin 1991, në mbyllje të sezonit. Në këtë segment karriere, janë sa e sa ndeshje kombëtare e ndërkombëtare, pafund, nëse do të shprehesha kështu.

Po ndeshja më e bukur, e njëherësh ndeshja më e dobët, cila ka qenë për ju?
Më të bukurat janë të shumta, si këtu në Shqipëri, ashtu edhe në takimet ndërkombëtare. Në Shqipëri, rivalitet më i madh ka qenë me 17 Nëntorin (sot Tirana), me Vllazninë e Dinamon. Por, jashtë Shqipërisë fenomenale ka qenë fitorja jonë me ARIS-in e Selanikut.

Pse e veçoni këtë ndeshje me ARIS-in e Selanikut si fenomenale?
Sepse ne fituam me skuadrën që në përbërjen e saj kishte basketbollistët më të mëdhenj të kohës. Ndeshja u luajt në Athinë, sepse ata e kishin të dënuar fushën e tyre dhe fitorja jonë ndaj të madhit Nikos Galis me shokë, atëherë u vlerësua si një kulm për basketbollin shqiptar të meshkujve.

Ju sot jeni 82 vjeç, nëse ju kërkohet, a riktheheni në bankinë?
Unë edhe sot që po flasim së bashku, jam aktiv me basketbollin. Sezone më parë, kam drejtuar Goga Basket dhe Teutën për meshkuj, dhe sot jam konsulent i trajnerëve të këtyre skuadrave. Ndërsa kam një grup fëmijësh që i përgatis me shumë pasion e vullnet. 

Duke qenë se bashkëshortja juaj, Terezina, feston ditëlindjen e 75-të të saj këtë muaj, e keni një mesazh jete për të, që nga njohjet e para e deri më sot?
Mesazhi më i mirë është që të jemi sa më shumë vite bashkë, me fëmijët e pasardhësit e tyre. Tashmë ne jetojmë me kujtimet e largëta në kohë, por të afërta në dashurinë e respektin mes nesh, dhe këtë jemi munduar që t’ua kultivojmë edhe fëmijëve tanë, Albit dhe Eldës.

Kur shikoni sot një ndeshje basketbolli në Shqipëri e jashtë saj, si e krahasoni basketbollin e kohës suaj?
Sigurisht që kohët kanë ndryshim të madh. Pozitive, është rritja e shtatlartësisë së lojtarëve, ndërsa cilësia e lojës lë shumë për të dëshiruar. Në kohën tonë, kur luanim me skuadrat më të mira të Evropës, fitonim dhe humbisnim, ndërsa sot është vështirë të përfaqësohemi me një skuadër universitare.

ASTRIT GREVA
Datëlindja: 03.09.1936 
Vendlindja: Vlorë 
Arsimimi: Diplomuar në ILKF “Vojo Kushi”, Tiranë 
Lidhjet me basketbollin: Në vitin 1955 me të rinjtë e Tiranës 
Karriera si trajner: Në periudhën 1959-1991, në 26 vite trajner i Partizanit meshkuj, dhe në 6 vite për femrat. Gjatë kësaj periudhe, për 21 vite edhe trajner i Kombëtares shqiptare në basketboll meshkuj. Me këto skuadra është shpallur 27 herë Kampion Kombëtar, dhe disa trofe të kohës.
Mban titullin: “Trajner i Merituar i Sportit”
Për kontribute në sport, trajtohet me pension të veçantë nga shteti shqiptar
Aktualisht: Në pension, trajner me një ekip fëmijësh në Tiranë
Bashkëshortja Terezina Greva (Radoja)
Me Astritin, familja dhe basketbolli u bënë të pandarë
Në bisedën me Astrit Grevën, mësuam se bashkëshortja e tij, Terezina Greva (Radoja), një ish-basketbolliste e Tiranës dhe e Kombëtares, javën e ardhshme feston 75-vjetorin e lindjes. Por kultura e kësaj shkodraneje, nuk e çon fokusin te vetja, duke qëndruar në madhështinë e karrierës së bashkëshortit të saj. “Unë kam mbaruar Liceun Artistik, sepse vija nga një familje muzikantësh në Shkodër. Me Astritin jam dashuruar në shkollën e mesme, dhe që atëherë nuk jemi ndarë së bashku, me basketbollin që edhe sot na mban në tension fizik. Duke pasur bashkëshort trajnerin më të madh të asaj kohe në basketboll, unë kisha edhe përgjegjësitë e familjes, por të dy së bashku them se ia dolëm në të gjitha sfidat e jetës. Edhe fëmijët tanë Albi dhe Elda, kanë padyshim rolin e tyre në familjen tonë, e cila u krijua, u rrit dhe vazhdon të jetë e fortë, së bashku me basketbollin”, ishte kjo deklarata e Mjeshtres së Merituar të Sportit, Terezina Greva (Radoja).
Familja “Greva” mund të quhet “dinasti” në basketbollin shqiptar, sepse veç Astritit i trajner, me basketboll është marrë edhe bashkëshortja e tij Terezina, një sportiste e elitës së kohës. Ajo ishte edhe nënë, kuptohej se sa vështirësi kishte, por ajo i përballoi të gjitha ngarkesat duke ja bërë më të lehtë angazhimin Astritit me skuadrën. Realisht, vlerat e Terezinës në familjen Greva mbeten të tilla edhe sot, ndërkohë që djali Albi dhe vajza e tyre Elda, e ndoqën rrugën sportive të prindërve, kishin talent, pasion, pasi atalindën dhe u rritën në ambientet me basketbollin. Luajtën deri në nivele me të rinjtë, madje vajza Elda luajti disa vite me Skavolinin në Itali dhe me Kombëtaren e të rejave, ndërsa, Albi për shumë vite ka qenë gjyqtar Ndërkombëtar i basketbollit në Shqipëri.
Profesori për tre ish-basketbollistë
Agim Fagu
Ai ka qenë e mbetet një ndër basketbollistët më të mirë të Shqipërisë. Ka qenë një basketbollist i madh, që për vlerat ende nuk mund të krahasohet me dikë sot.
Gazmend Çaçi
Gazi ka luajtur në një periudhë tjetër, pas Fagut, por ka qenë ndër lojtarët më të kërkuar nga klubet e huaja, sepse luante në çdo pozicion. Basketbollist me aftësi të lindura.
Ermal Kuqo
Ishte një basketbollist shqiptar i suksesshëm edhe në nivel ndërkombëtar, falë gjenit të tij. Sepse babai i tij, Roberti, ishte anëtar i Partizanit dhe Kombëtares të kohës.
Sigal