Flet Shaqiri pas shkarkimit: E hidhur, por Kukësi do fitojë

466
Pas shkarkimit nga detyra, Artim Shaqiri flet për herë të parë me statusin e ish trajnerit të Kukësit. 41-vjeçari nga Struga, pas rreth 48 orësh nga shkarkimi, tregon për mënyrën se si është informuar për vendimin e presidentit Safet Gjici, por rrëfen dhe marrëdhëniet me tifozët dhe skuadrën. Shaqiri konfirmon atë që është bërë publike në media, teksa lajmin e shkarkimit e ka mësuar në rrugën e kthimit në autobuz. “E pranova vendimin e presidentit edhe pse është i hidhur. Janë gjëra që ndodhin pasi është më e thjeshtë të heqësh një trajner sesa tërë ekipin. Rrugës gazetarët më morën në telefon dhe po më pyesnin për shkarkimin. Aty mora shefin e klubit, i cili pasi foli me presidentin më konfirmoi që gjithçka është e vërtetë. Nuk kam çfarë të kundërshtoj pasi presidenti është ai që merr vendimet”, ka thënë fillimisht Shaqiri. Shaqiri ishte trajner i Kukësit që nga fillimi i sezonit duke udhëhequr skuadrën deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, si dhe duke qenë për një pjesë të madhe të sezonit në krye të klasifikimit. Strugani eviton të komentojë gjendjen shpirtërore pas këtij vendimi duke shprehur bindjen se ekipi i tij do të arrijë të fitojë trofeun e dytë më të rëndësishëm, një sukses i mundshëm në të cilën ai vetë ndjehet pjesë. “Nuk dëshiroj të komentoj si ndjehem, por më vjen keq që nuk vazhdova deri në fund pasi kemi edhe finalen e Kupës. Një objektiv e arritëm me finalen e Kupës dhe kam besim tek lojtarët që kam udhëhequr. Do ta marrin Kupën dhe do të shënohet edhe emri im aty pasi unë e drejtova ekipin deri në finale. Këtë ekip nuk e ndërtova unë, por i pranova si shokë. Pika kryesore është grupi dhe me ta jam sjellë si shok jashtë fushe”. Pas shkarkimit, Shaqiri u largua menjëherë në drejtim të Strugës për t’iu bashkuar familjes, teksa në kryeqytet erdhi për një takim të fundit me skuadrën dhe për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen me klubin. “Erdha në Tiranë me qëllimin të përshëndetem me lojtarët, pasi kemi kaluar momente pozitive dhe negative së bashku. Edhe ata vetë nuk e prisnin një vendim të tillë. Erdha gjithashtu me qëllimin të ndërpres marrëdhënien midis klubit dhe meje. Do bëj edhe një takim me tifozët, Armatën e Veriut, pasi realisht kanë qenë lojtari ynë i 12 dhe dëshiroj t’i falënderoj”. Prej kohësh përflitej për një ftohje të marrëdhënieve midis ish trajnerit Artim Shaqiri dhe presidentit Safet Gjici, i cili i kishte kërkuar dorëheqjen kohë më parë, për të evituar pikërisht vazhdimin e kontratës deri në fund. Por në këtë pikë duket që respektimi i kontratës deri në fund mund të kthehet në një cështje edhe pse vetë Shaqiri beson tek mirëkuptimi midis palëve. “Besoj se do të zgjidhet pa problem kjo kontratë”.
Sigal