Flet për “Telegraf” trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro: Bashkë me skuadrën, edhe sulmi po kolaudohet

474
FLAMURTARI/ Nga Veria e Greqisë, flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës vlonjate, ja kujt i jep përparësi në këto përgatitje
Nga Agron KAJA
Skuadra e Flamurtarit ka nisur dje pjesën e dytë të fazës përgatitore, këtë herë në veria të Greqisë. Pasi u përgatit dy javë në Maqedoni, ku edhe zhvilloi disa ndeshje miqësore, dje ekipi vlonjat ka nisur përgatitjet në tokën greke, edhe pse me mungesa. Me skuadrën bashkohen sot Kamara dhe Sidibe, ndërsa lojtari nga Mali, Toungara, do të qëndrojë në Vlorë. Por, ajo që tërheq më shumë në bisedën e gazetës “Telegraf” me trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro, është reparti i sulmit, për të cilin ai ka bërë jo vetëm kritika, por edhe stërvitshmëri extra, për të kapur ritmin e pjesës tjetër të skuadrës. “Mund të them se jemi në pikën më kulmore të përgatitjeve tona, pasi i nisëm ato në Vlorë, shkuam në një cikël dyjavor në Maqedoni, e po kështu do të bëjmë këtu në Greqi. Deri tani skuadra ka marrë një formë të mirë, por ende ka punë, sepse vazhdimisht kemi patur edhe afrime të reja, të cilët ende nuk janë përshtatur mirë me grupin”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Shpëtim Duro, nga kampingu stërvitor në Veria të Greqisë, ku skuadra do të zhvillojë një cikët stërvitor dyjavor, të shoqëruar edhe me ndeshje miqësore. Vlonjatët kanë udhëtuar me autobus për më shumë se 8 orë deri në Verria, por që sipas Duros, kjo ka qenë e programuar dhe të gjithë e kishin të qartë se çfarë lodhje sillte ky udhëtim. “Nuk mendoj se është diçka e jashtëzakonshme, edhe pse bëhet fjalë për futbollistë. Por, me të mbërritur këtu, skuadra është akomoduar dhe asnjeri prej futbollistëve nuk pati ndonjë problem të veçantë gjatë gjithë rrugës. Nesër (sot) na bashkohen edhe dy afrikanët Kamara dhe Sidibe, ndërsa futbollisti nga Mali do të qëndrojë në Vlorë, do të bashkohet me skuadrën në datën 30 gusht”, vazhdoi më pas tekniku i Flamurtarit, Shpëtim Duro. Por, duke qenë se ditë më parë në Vlorë ai i kishte kushtuar vëmendje punës me sulmuesit, dje deklaroi se pret shumë nga Bushiç dhe Alvesh. Për të sjellë reagimin më të mirë të lojtarëve të sulmit, tekniku ka vendosur edhe rregulla “extra”, që sipas tij duket si një “terapi” speciale, pasi pritshmëritë më të mëdha janë pikërisht për Danilo Alveshin dhe Tomislav Bushiçin. “Ata cilësohen si sulmuesit më kryesorë të ekipit të Flamurtarit, por që në kampionatin e kaluar, të dy së bashku nuk bënë më shumë se 15 gola. “Për ti motivuar më shumë të dy këta sulmues, unë u kam kërkuar që së bashku, deri në fund të kampionatit të kenë shënuar 24 gola, pra nga 12 seicili. Këto janë shifra që të dy këta sulmuesa të mirrëfilltë do ti kapin, prandaj edhe unë pres dhe shpresoj se do të jenë protagonistë në këtë repart. Ju kam thënë se me mbrojtjen e mesfushën merrem unë, por ata duhet të mbledhin forcat, pasi ndeshjet fitohen duke shënuar”. Në sezonin e kaluar ku Flamurtari shpëtoi nga rënia në Kategorinë e Parë vetëm në ndeshjen e fundit, shënoi 42 gola në 36 javë, ndërsa pësoi 34, një mestare kjo që Duron e shqetëson për sezonin e ri.
Sigal