Flet për “Telegraf” gazetari sportiv Elert Yzeiri: Komentimi sportiv, përgjegjësi profesionale dhe pasion

688
Sigal

 

 

SPORTISTËT E EKRANIT/ Flet për “Telegraf” gazetari sportiv Elert Yzeiri, ish-basketbollisti
që “braktisi” sportin për ekranin, sot i pa “shfrytëzuar” sa duhet

 

 

Nga Agron KAJA

 

Ka edhe një herë parë për gazetarët, a mundemi që në këtë
bashkëbisedim të flasim për “qarkun” tuaj jetësor e profesional?

Ju falënderoj që më jepni mundësinë të flas për veten, edhe pse e kam pak të
vështirë. Profesioni na ka detyruar që të flasim e të shkruajmë për të tjerët,
si personazhe në sport e kudo, por e shoh se qenka e vështirë.

Më parë një
sportist profesionist e më pas një gazetar sportiv, cilat ishin lidhjet tuaja
me sportin?

Lidhja ime me sportin ka qenë e hershme, sepse që në fëmijëri jam marrë
aktivisht me sportin, si një basketbollist, duke u bërë pjesë e ekipeve zinxhir
të Elbasanit, e deri në ekipin e të rriturve, përkah emrave të rëndësishëm, si
Arben Xhyra, Artan Xhufka, Ferdinand Sharra, Edmond Biçoku, Alfred Isak etj.

Një karrierë e
shkurtër në vite, sipas jush pse i thatë “jo” kaq shpejt?

Ashtu erdhën rrethanat. Kam qenë vetëm 25 vjeç atëherë dhe mjafton të them,
se e kujtoj me nostalgji atë periudhë të artë, e cila në kujtesën time do të
mbetet e pashlyer.

E kujton Elerti
nisjen e karrierës në gazetarinë sportive shqiptare?

Kur shokët e mi luanin ende luftash me
armët e vitit 1997, krejt rastësisht në një takim me aktorin Pirro Kita m’u
krijua mundësia të bëj provë si komentator. Mjaftuan vetëm pak minuta që ‘ligjërimi’
im të bindte Pirro Kitën, që atë kohë ishte drejtuesi i televizionit lokal të
Elbasanit ETV. Më pas bëra edhe një prezantim në ekran dhe, që nga jo kohë,
fillova të kisha një lidhje më të ngushtë me gazetarinë, ndërsa isha ende duke
studiuar për Gjuhë-Letërsi.

Ndoshta Pirro Kita ju ka “injektuar” gazetarinë, për ta bërë
më pas profesion që do t’ju shmangte edhe nga sporti apo jo?

Angazhimi në gazetari dhe televizion, patën një ndikim shumë të madh tek unë
dhe gradualisht më duhej të hiqja dorë nga një impenjim tjetër i jetës,
basketbolli. Kështu ndodhi, dhe ai start do të sillte këtë ndryshim në jetën
time; nga fusha e basketbollit në studiot televizive.

Dhe “emigrimi” në Tiranë ju dha mundësinë që të
afroheshit më shumë me profesionin e gazetarit?

Në këtë kohë fillova të lëviz drejt Tiranës, ku një lidhje me Radio BBC në
shqip  më dha mundësinë që të afrohem më
shumë me gazetarinë. Fillova të lexoj më shumë dhe të impenjohem më shumë me gazetarinë,
por njëkohësisht edhe me pasionin tim të madh, si komentator sporti.

Në fillimin e viteve 2000, ju në ekranin e Telesportit u
prezantuat si një gazetar “alla NBA”, ndikonte ende te ju basketbolli i fushës?

Në vitin 2002, m’u dha mundësia të kaloj në televizionin TeleSport, ku përfshirja
ishte akoma edhe më e madhe. Me komentin e ndeshjeve të futbollit, por edhe
basketbollit të NBA, si edhe një sërë programesh televizive analitike. Për mua
të qenët një basketbollist, më ka ndihmuar në përjetimin e lojës për ta sjellë
atë si gazetar në ekran, e besoj se për një komentues ky detaj ka shumë rëndësi.

E quani një vlerësim kalimin nga një gazetar-komentator në
drejtor i Televizionit TeleSport?

Në vitin 2004 mua më besohet detyra e drejtorit të këtij televizioni, detyrë
të cilën e kam mbajtur deri në vitin 2005. Edhe pse ka qenë një periudhë e
shkurtër kohe, unë e kam quajtur si një vlerësim të punës sime në atë
televizion, e më pas si një përvojë në rrugëtimin tim në hapësirën mediatike.

Kalimi më pas në Top Media, mund të quhet si një shkollë
në shkallë më të larta karriere?  

Unë të gjitha lëvizjet që kam bërë në karrierë, më shumë i kam quajtur si
vlerësime që më janë bërë nga profesionistë të fushës. Dhe në vitin 2006 unë  emërohem si shef i redaksisë së sportit në
gazetën Shqip, në të cilën punova për një vit, ndërsa në janarin e vitit 2007
thirrem për t’iu bashkuar projektit të Top Medias, si kryeredaktor i Top News.

Bashkëpunimi me themeluesin e këtij institucioni mediatik,
të Madhin Dritan Hoxha, duket se ka hedhur për themelet e një “ndërtese” të
fortë profesionale?

Së pari, unë e kujtoj me nostalgji dhe respekt zotin Dritan Hoxha, sepse ka
qenë një nga njerëzit që më ka vlerësuar më shumë në karrierën time në media. Dhe
një vit më vonë, ai më besoi drejtimin e televizionit Top News, detyrë të cilën
e mbaj edhe sot.

Gjithsesi, duke e sjellë në memorie këtë periudhë, ju nuk
i jeni ndarë gazetarisë sportive?

Nuk mund të ndodhte ndryshe. Gjatë kësaj, kohe angazhimet e mia kanë qenë të
pandërprera me sportin, si një analist në platformën Digjitalb, si edhe komentator
i garave të Formula 1 dhe ndeshjeve të ndryshme të futbollit.

Duke ju veçuar stilin e veçantë të transmetimit të
Formula 1, pranoni tu quaj sportivisht: start dhe finish i një gare speciale në
ekran?

Ju edhe si rubrikë në gazetën “Telegraf” e keni titulluar “Sportistët e
Ekranit”. Besoj se shkon edhe për këtë dukuri që po e evidentoni, e cila mua
asnjëherë nuk më josh për të frenuar në pasionin që kam për garat e Formula 1,
por edhe për të gjithë sportet e tjerë.

Gjatë kësaj vere, ju moderuat në Top Channel një program
sportiv të këndshëm, si mendoni se e finalizuat këtë emision?

Top Channel është një televizion i madh që përfshin çdo sektor të jetës, ndërkohë
që sportit në përgjithësi e futbollit në veçanti i kushton rëndësi me gjithçka
që sjell në ekran. Dhe, gjatë verës së vitit 2016 unë jam angazhuar në një
program sportiv në Top Channel, së bashku me Ervin Skelën dhe Bledi Shkëmbin,
dy ish-futbollistë të Kombëtares sonë të futbollit. Shikueshmëria dhe
vlerësimet kanë qenë profesionalisht të mira.

Kësisoj siç po tregoni, duket se keni shkruar një CV, të
cilën profesionalisht do ta quaja elitare në tregun mediatik shqiptar. E
mendonit të tillë?  

Nuk e kisha menduar, se do të bëja një rrugëtim të tillë, megjithatë kam pasur
një besim të jashtëzakonshëm te vetja, si edhe një mbështetje titanike nga
familja ime.

Ndërsa për konstatimin tuaj si “elitar”, këtë besoj se shikuesit ma kanë dhënë
nga ekranet e tyre.

Kujtoni ndonjë moment që ju ka lënë më
shumë mbresa, kujtime apo emocione më të veçanta nga starti i karrierës në
gazetarinë sportive, e deri më sot?

Kam shumë moment të bukura në këtë rrugëtimin tij jetësor, por nëse do të
zgjidhja si më të rëndësishmet, janë padyshim një transmetim live nga Ukraina në vitin 2005, një
barazim mes Shqipërisë dhe Ukrainës që e kam transmetuar nga stadium Meteor në
Dnjepropietrovsk. Por edhe në vitin 2014, kur në Xhenova ndodhesha në tribunën
e gazetarëve me miqtë e mi Shakohoxha e Xhihani.  Moment i këndimit të himneve ka qenë një
emocion i jashtëzakonshëm. Mbi 30 mijë shqiptarë këndonin himnin italian, kur më
parë kishin kënduar duke qarë himnin shqiptar.

Mund t’ju kërkoj një konkluzion të shkurtër të konceptimit të profesionit të
gazetarit?

Gjithnjë në jetë jam shtyrë nga një shprehje e famshme e të madhit Muhamed
Ali: “Nëse do të bëhesh një kampion, duhet të ndjekësh kampionin”. Të bësh gazetari
në Shqipëri nuk është e lehtë, aq më shumë në kohën që po jetojmë. Nuk mjafton
vetëm talenti për të bërë këtë profesion, sepse duhet shumë punë e sakrificë,
duhet më shumë impenjim, duhet të lexosh e të kërkosh shumë.

 

 

Somario

Kujtoj vitin 2014, kur në Xhenova ndodhesha në tribunën e
gazetarëve me miqtë e mi; Shakohoxha e Xhihani.  Moment i këndimit të himneve ka qenë një
emocion i jashtëzakonshëm. Mbi 30 mijë shqiptarë këndonin himnin italian, kur më
parë kishin kënduar duke qarë himnin shqiptar

 

 

Somario

Të bësh gazetari në Shqipëri nuk është e lehtë, aq më shumë në kohën që po
jetojmë. Nuk mjafton vetëm talenti për të bërë këtë profesion, sepse duhet shumë
punë e sakrificë, duhet më shumë impenjim, duhet të lexosh e të kërkosh shumë për
atë që do të servirësh tek shikuesit e lexuesit

 

 

Elert Yzeiri

Datëlindja:
30/01/1977

Vendlindja:
Elbasan

Arsimimi: Fakultetin
Gjuhë Letërsi

Sport i
ushtruar: Basketboll

Profesioni: Gazetar

Hyrja në
gazetari: janar 1998

Karriera në
Gazetarinë Sportive: Ka nisur në vitin 1998

Skuadrat ku ka
luajtur: Elbasani të Rritur, në periudhën 1996-2002

Detyra  gazetarisë: Drejtor i Top News dhe drejtor i
komunikimit elektronik në Top

 

 

E veçantë

Duke qenë një tifoz i Holandës, Elerti ia
ka vënë djalit të tij emrin Uesli, sikundër është mesfushori i “tulipanëve” Uesli
Shnajder. Ka edhe një detaj tjetër që Elerti me qetësinë e seriozitetin e tij
nuk na e tregoi, pasi djali i tij ka lindur më 10.10.2010 dhe Shnajderi mban
numrin 10 në fanelë. Kjo është lidhja kaq e ngushtë e tij me futbollin holandez

 

 

VLERËSIME

Dritan Shakohoxha: Gazetar i kompletuar, nuk vegjeton

“Unë personalisht ndjehem mirë kur sot e shoh Elert Yzeirin në këto nivele,
sepse jam nga të parët që i kam dhënë mundësinë të punonte në televizion dhe ai
eci shumë mirë. Me atë çka ai tregon profesionalisht, mua më ka pëlqyer dhe më
pëlqen, sepse me atë çka ka shprehur në të gjitha emisionet apo komentete
sportive ku ka marrë pjesë, ka treguar se është një gazetar sportiv me nivel.
Pse jo, unë e quaj Elertin edhe si një nga gazetarët më të mirë në gjithë
median shqiptare, ku veç performancës profesionale ai nuk është nga ata të
quajtur “gazetarë” që shohin nga lekët çdo gjë që bëjnë. Ai është i veçantë në
përgjegjësitë që merr dhe i del për zot gjërave, nuk vegjeton. Në përgjithësi,
në kurrikulën e tij, unë Elert Yzerin e quaj një gazetar shumë të kompletuar,
por që nuk është shfrytëzuar sa duhet”.

 

 

Albana Xhihani: Basketbollist e komentator i talentuar

“Me Elertin na ka njohur profesioni i gazetarit sportiv rreth 15 vite më
parë, ku të dy kemi qenë reporterë të lajmit sportiv në televizione të ndryshme
këtu në Tiranë. Atëherë takoheshim shpesh dhe bisedonim më shumë për
profesionin, dhe unë dalloja që Elerti përveç pasionit, tregonte edhe nivel në
trajtimin e lajmit apo të çdo momenti që shfaqte në ekran. Nga ajo kohë dhe
deri tani, unë e vlerësoj Elert Yzeirin për saktësinë që ka, në atë çka ai
thotë në çdo emision apo transmetim. Duket shumë i vëmendshëm në detajet dhe
sinqerisht e them se këto bëjnë edhe diferencën e nivelit të tij me homologë të
tjerë. Sinqerisht, kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm dhe unë ndjehem shumë
mirë kur Elertin e kam të ftuar në panel në emisionin që drejtoj në SuperSport.
Gjithçka që ai thotë, profesionalisht është i kompletuar”.

 

 

 

KOMBËTARJA

Tramexani lë Shqipërinë për Zvicrën

Largimi i Paolo Tramexanit nga Kombëtarja shqiptare e futbollit si zëvendës
i De Biazit, u paralajmërua ditë më parë në mediat italiane, ndërkohë që dje ai
personalisht e ka konfirmuar këtë largim. Tashmë ish-ndihmësi ndihmësi i Xhani
De Biazit do të marrë drejtimin e skuadrës së Luganos në Super Ligën zvicerane
të futbollit. Këtë lajm dje e ka bërë të ditur Radio Televizioni Zviceran RSI,
sipas të cilit, Tramexani do të marrë drejtimin e kësaj skuadre, duke e lënë
postin që mbante në kombëtaren shqiptare. Vetë skuadra e Luganos, ditën e hënë
zyrtarizoi largimin e trajnerit Manzo, që i hap rrugën Tramexanit, i cili dje
ka udhëtuar për në Zvicër dhe sot paradite pritet të takohet me drejtuesit e
skuadrës për të firmosur marrëveshjen. Njëherësh, Tramexanit do t i duhet që të
prishë kontratën me FSHF-në, ku kishte edhe detyrën e drejtorit të ekipeve
kombëtare, por edhe atë me RAI-n, ku bashkëpunonte si komentator. Kontrata do të
jetë me afat 2.5 vite dhe ndihmësin do ta ketë ai në dorë për ta zgjedhur.
Duhet thënë se Lugano renditet në vendin e 8-të të Super Ligës zvicerane, në një
pozicion që më shumë e orienton nga mbijetesa.