Flet Masimiliano Allegri: Pjanic i “vdekur”, të eliminuar nëse do të luanim të mërkurën

419
Sigal

Pas humbjes së rëndë ndaj Atleticos 2-0 në duelin e parë në Champions League, Juventus kërkon që ta harrojë menjëherë ndaj Bolognës. Për transfertën në “Dall’Ara”, trajneri Massimiliano Allegri ka disa dyshime për formacionin që do të hedhë në fushë, ndërkohë që ka zbuluar se ekipi i tij nëse do të luante në mesjavë, me siguri që do të eliminohej në Champions.

“Sfida e kthimit do të jetë një mbrëmje e madhe. Nuk e di nëse do të kalojmë, por ne do të japim gjithçka. Kemi 20 ditë për ta përgatitur këtë ndeshje, pasi do të luhet më 12 mars. Të luanim tani, do të ishte gabim. Nëse do të luhej të mërkurën, do të eliminoheshim me siguri, ndaj dhe duhet kohë. Çdo ditë duhet të ndërtojmë një peshë për të arritur në kondicionin më të mirë, më 12 mars.

Më mirë të kalojmë një situatë të tillë, sepse duhet të fitojmë me çdo kusht. Është pjesë e futbollit. Nuk ka nënvlerësim, të fitosh është e vështirë. Edhe të fitosh kampionatin nuk është e thjeshtë, pasi kemi triumfuar në 7 kampionate radhazi. Kështu janë këto ndeshje. Në Madrid në minutën e 79-të, pas një pjese të dytë shumë të keqe, ndeshje ishte 0-0, dhe duheshin dy goditje standarde për të përmbysur situatën. Në duelin e kthimit duhet të bëjmë më mirë, por kjo nuk do të thotë se po zhvillojmë një sezon të shëmtuar.

Emergjenca në mesfushë? Kam dy mesfushorë e gjysmë, sepse Pjaniç është gjysmë i vdekur. Duhet të bëjmë një ndeshje agresive. Ky është hapi i parë nga tre ndeshjet deri te sfida e Championsit. Me siguri që do të luajë Perin, më pas do të shoh nëse do të luajë Chiellini.

Ronaldo? Roli i tij është i njëjtë. Është futbollisti më i mirë në botë, i cili i jep qetësi skuadrës. Në Madrid ka bërë mirë dhe është mirë fizikisht. Do të shohë nëse do të luajë, pasi varet se si do të jenë të tjerët. Mund të luajnë së bashku CR7, Dybala, Mandzukic dhe Bernardeschi”, deklaroi Allegri në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Bolognës.