Sigal

Të dielën, Atalanta dhe Interi do të jenë protagonistët e ndeshjes së mesditës. Një ballafaqim në “Atleti Azzurri”, tek i cili Nicola Ventola është një “ish” i dyfishtë. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, ish-qendërsulmuesi i njohur foli për sfidën në fjalë.

Kur u pyet se cili është favorit, ai preferoi t’i flasë zemra: “Shpresoj që Interi të fitojë. Në Milano kam mbërritur si fëmijë, duke e ndarë eksperiencën time me një ekip yjesh, ku bënin pjesë Baggio, Zamorano, Recoba, Ronaldo dhe Vieri. Kjo ishte konkurrenca ime”.

Dikur ishte një sulmues i klasit të parë, ndërsa tani sheh me dëshirë që Interi mbështetet tek Mauro Icardi, siç ndodhi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. “Mund të përmirësohet në lojën pa top, por në zonën kundërshtare është i nivelit të lartë, – tha ai për kapitenin zikaltër. – Këtë e tregoi edhe të martën, kundër Barcelonës. Një goditje, një gol”.

Pyetja që lind pothuajse spontanisht është vetëm një: A do të luante dot Icardi në Interin e tij? Ish-sulmuesi nuk ka asnjë dyshim: “Jo, atje ishin Ronaldo dhe Vieri. Icardi do të ishte një rezervë. Luksoze, por një rezervë”.

Së fundi, Ventola analizoi punën e Interit deri më tani, me vendin e dytë në kampionat: “Skuadra ka cilësi, ka startin më të mirë të viteve të fundit. Natyrisht, për titullin e ka të vështirë, sepse Juventusi është ndoshta skuadra më e mirë në Europë, jo më në Seria A. Bardhezinjtë e kanë nisur një rrugë të caktuar vite më parë, ndërsa ajo e Interit është në fillim”.