Flet Dragan Xhajiç: Në Beograd nuk u luajt futboll

565
Dragan Xhajiç, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit serb dhe ballkanas, në vitet 60-70, në një rrëfim ekskluzive për SuperSport tregon jo vetëm karrierën e tij, por dhe ngjarjet që kanë ndodhur në stadiumin e Partizanit të Beogradit më 14 tetor të vitit të kaluar, atje ku Serbia priste kombëtaren tonë. Ai njihet si një prej simboleve të klubit më në zë të futbollit serb, Crvena Zvezda, që në 1991 në Bari fitoi Kupën e Kampioneve. Një sukses që Xhaiç e cilëson si më të madhin e futbollit ballkanas. Crvena Zvezda ka qenë një klub që ka marrë trofe shumë të rëndësishëm, dhe jo vetëm brenda kampionateve të ish-Jugosllavisë, por gjithashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Një klub që ka fituar në Evropë, por dhe që ka luajtur në Botërorin e klubeve në Tokio. Xhajiç kujton gjithashtu dhe përballjet e dikurshme me kombëtaren shqiptare, por dhe sfidat me Trepçen dhe Prishtinën në periudhën e ish-Jugosllavisë. “Një herë kam luajtur në Tiranë për eliminatoret e Evropianit dhe fituam me rezultatin 2-0, ndërsa në kthim kemi fituar 4-0 në Beograd. Me pas nuk jemi ndeshur më. Atmosfera ka qenë e mirë, përfaqësuesja jugosllave në atë kohë ishte shumë më mirë se ajo e Shqipërisë. Mbaj mend që në atë kohë Pano luante për Shqipërinë dhe ishte një ndër futbollistët më të mirë të përfaqësueses tuaj. Kur unë luaja ka pasur një sërë lojtarësh në zë nga Kosova që luanin në kampionatin kombëtar të Jugosllavisë për Trepçën, Prishtinën, ashtu siç ka edhe sot një numër të madh lojtarësh shqiptarë, apo dhe serbë që luajnë për klube të njohur evropiane. Gjithmonë kur shoh ndonjë ndeshje jam kurioz për lojtarët që luajnë në janë nga Tirana, apo Prishtina, por që asnjëherë nuk ka pasur probleme në atë kohë në ndeshjet e luajtura qoftë në Prishtinë, apo Beograd. Përballjet kanë qenë gjithnjë të forta, plot emocion dhe njëherë në një ndeshje midis Crvena Zvezda dhe Trepçes, që u zhvillua ne Mitrovicë, në nje stadium të mbushur plot, fituam me vështirësi 1-0”, nis të tregojë Xhaiç. Në Kategorinë Superiore aktivizohen shumë lojtarë serbë, në ndryshim kjo nga kampionati serb ku nuk gjen asnjë shqiptar të vetëm. Për Xhajiç faji për këtë është dhe i politikës. “Nuk mund të shprehem shumë për këtë, pasi ky është një problem politik, jo sportiv. Një çështje që politika duhej t’i jepte zgjidhje, por përderisa të jetë e përfshirë edhe në sport është e vështirë që futbollistë nga Kosova, apo Shqipëria, të luajnë në Serbi. Besoj se askush nuk do të donte që kjo të ndodhte, por që nuk mund të them më shumë”. 
Ndeshja e 14 Tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë krijoi jo pak tension mes dy vendeve, dhe jo vetëm në planin futbollistik. Serbët vitet e fundit kanë qenë shpeshherë nën akuzë për dhunën e tifozëve të tyre, sidomos në derbin mes Partizanit të Beogradit dhe Crvena Zvezdës. Për Xhajiçin dhuna e derbit, por dhe ngjarjet e Serbi-Shqipëri nuk kanë asnjë lidhje me lojën. “Partizani i Beogradit dhe Crvena Zvezda janë dy ekipet simbol të Serbisë dhe gjëra të tilla ndodhin pasi gjithmonë krijohet atmosferë, emocion edhe nga media. Nuk është e bukur te ndodhin gjëra të tilla në sport. Këtu të gjithë mendojnë se Serbia është e dëmtuar, që i janë marrë 3 pikët dhe që do t’i kushtojnë mos kualifikim për më tej, ndërsa Shqipërisë kërkon pikët e saj. Nuk do të doja që të jem unë arbitër, sepse nuk mund të gjykoj unë. Gjithë ndeshja ka pasur shumë emocion, pasi ishte e rëndësishme për të dyja skuadrat, por mendoj që diçka do të ndodhte edhe sikur të mos ishte droni. Disa do të thonë qe fajtorë ishte Shqipëria, disa të tjerë organizatorët që e kanë lejuar një gjë të tillë. Është fati i keq që ajo ndeshje nuk mundi të zhvillohej, por tani është e kotë qe të flitet më”, ka përfunduar Xhajiç. 
Beteja në KAS, Serbia nis mbrojtjen e 3 pikëve
Dje kanë filluar të hidhen hapat e parë drejt vendimit më të rëndësishëm për Shqipërinë e Futbollit, ndërsa në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendoset fati i ndeshjes së 14 tetorit, që u pezullua për shkak të incidenteve. Dita e Gjykimit ka nisur me palën serbe për t’i lënë vendin më pas Shqipërisë këtë të premte që të paraqesë argumentet e saj. Që në orët e para të mëngjesit serbët, të përfaqësuar nga një studio avokatie zvicerane, kanë kërkuar të mbrojnë fitoren 3-0 në tavolinë, por njëkohësisht synojnë edhe heqjen e tre pikëve si penalitet që morën nga Komisioni i Disiplinës dhe i Apelit në UEFA. Pala serbe i ka mëshuar fort te provokimi politik nëpërmjet dronit, teksa kanë përgatitur dhe një dëshmi të një ish-gjyqtari izraelit, i cili ka mbështetur akuzën e tyre. Qëllimi i palës serbe është që nëpërmjet kësaj dëshmie të “dredhojë” pushtimin e fushës nga tifozët e saj dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësueses kuqezi duke dashur të anashkalojë dhe faktin se Atkinson e ndërpreu ndeshjen për shkak të akteve vandale nga ana e tifozerisë vendëse dhe jo për dronin e hyrë në fushë. Pas dëgjimit të palës serbe, të premten do të jetë dhe radha e shqiptarëve, që do të përfaqësohen nga ekipi i avokatëve i kryesuar nga Artan Hajdari. Seanca dëgjimore e Shqipërisë do të nisë që në orën 8 të mëngjesit ndërkohë që për vendimin nuk dihet ende sesa duhet pritur për marrjen e vendimit. 
Sigal