Flet Armando Duka: Ne do ta kishim eliminuar Suedinë dhe do të ishim ne në Rusi

481
INTERVISTA/ Flet Presidenti i FSHF-së, ja skaneri i tij për vitin 2017, nga Kombëtarja e deri te zgjedhjet në Asamblenë e muajit mars 2018
E nisim nga kombëtarja që sapo mbylli sezonin. A ka një ndryshim të ekipit shqiptar nga ndeshjet eliminatore të Panuçit në këtë të fundit në miqësoren me Turqinë?
Nëse do të kthehemi dhe do të bëjmë një pasqyrë të të gjithë ndeshjeve eliminatore të Botërorit, mund të them që ka një grup ndeshjesh dhe ka pasur një periudhë që ka shfaqur gjithçka. Mund të jemi deri diku të kënaqur me objektivin. Kemi pasur oshilacionet tona, kemi pasur një lloj vetëkënaqësie pas ndeshjeve të Evropianit, e cila është reflektuar edhe në skuadër.

Pra kemi qenë edhe me fat, pasi mund të ishim ndëshkuar edhe më tej thoni ju…?
Besoj se kemi mundësi shumë më shumë se sa kemi dhënë në takimet e para kundër Maqedonisë, apo Litehnshteinit. Kaluam një periudhë shoku, periudhë e cila mori një kthesë pozitive në Izrael. Në ndeshjet e fundit, pasi kishim dalë nga mundësia për të pasur një kualifikim në Botëror, atëherë menduam të nisim menjëherë punën për më gjatë, me një trajner e staf të ri, për të parë drejt Euro 2020.

Është momenti për të thënë gjëra që nuk janë prekur më parë në raportin tuaj me De Biazin?
Jo tension, jo. Aspak. Natyrisht në një marrëdhënie pune ka mendime ndryshe, dhe le të themi edhe debate. Por, unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për De Biazin, për punën e tij, për mënyrën se si ka punuar, për kontributin e tij, për ndihmën që I ka dhënë ekipit në atë sukses historik të kombëtares shqiptare. Besoj se e njëjta gjë është edhe nga pala tjetër.

Dhe cili është opinionin i tij për atë ndeshje dhe për trajnerin?
I pëlqeu shumë ndeshja. I ka pëlqyer loja në Turqi dhe mënyra si luajtëm. Dua t’ju them që, në momentin që vendosëm të merrnim Panuçin, De Biazi kishte një mendim shumë pozitiv, dhe kishte konsideratën si një person me shumë energji që do ta çonte kombëtaren para.

Megjithatë, shumë pikë që mund të kishim, do të ishim ne dhe jo Italia përballë Suedisë?
Ne do ta kishim eliminuar Suedinë, dhe do të ishim ne në Rusi. Nëse do të shkonim në play off. Ne ndoshta e kemi vuajtur në një lloj mënyre peshën e fanellës të kundërshtarit tonë Italian në grup, pasi nëse nuk do e kishim vuajtur këtë gjë do të kishim pikë më shumë në grup. Por, gjithsesi nuk na kanë penalizuar vetëm pikët e ndeshjeve me Italinë, por edhe humbja me Izraelin në fushën tonë.

Kur u largua De Biazi, u krijua një ndjenjë, njësoj si në atë kohë kur vdiq Enver Hoxha. Sot, mendoni se kemi fituar një trajner të ri për ekipin kombëtar, si Panuçi?

Mendoj se mbi të gjitha kemi një institucion solid siç është ekipi kombëtar, që pavarësisht ndryshimit të emrave në bankinë, është një ekip që besojmë dhe na jep shpresë dhe me të cilin mund të shkojmë më larg se sa kemi shkuar der tani. Me këtë skuadër nuk shkojmë përballë asnjë kundërshtari si inferiorë tanimë, me përjashtimin e Spanjës që më duket si një planet tjetër. Sa larg mund të shkojë kjo kombëtare, duke patur parasysh edhe formatin e Ligës së Kombeve?
Nga pikëpamja e probabilitetit, mundësitë na janë shtuar. Rëndësi ka në radhë të parë, që ne tashmë hyjmë në çdo garë me objektivin e kualifikimit, dhe jo si vite më parë për një vend dinjitoz, apo për një humbje dinjitoze. Pra, jemi tashmë në këtë nivel. Dhe kjo skuadër kombëtare i ka mundësitë reale për të shkuar në një nga kompeticionet e rëndësishme sic është evropiani. 

Ka një plan afatgjatë FSHF-ja që kombëtarja jonë të jetë sërish në fazën finale të Euro 2020-ës?
Patjetër që po, dhe jo vetëm për Evropianin 2020, por edhe më tej. Ka një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë, për lojtarët që janë dhe për përgatitjen e skuadrës për të ardhmen. Për aktualen janë këta lojtarë dhe ata të ekipit kombëtar të U-21 që kurohen në mënyrë perfekte në shërbim të plotë të ekipit kombëtar. Ndërsa aspekti afatgjatë lidhet me projektet dhe prioritetet absolute të FSHF-së për futbollin e fëmijëve, në zbulimin e talenteve, dhe jo thjesht në të, por edhe në kultivimin e tyre. 

Ka edhe akuza se jeni favorizues i Skënderbeut dhe disa klubeve, për sa kohë jeni në krye të FSHF-së, sa qëndrojnë sipas jush?
Futbolli është garë, dhe kush nuk e fiton këtë garë ka pakënaqësitë e veta, kush e fiton mbetet i kënaqur. Realisht unë nuk jam tifoz i Skënderbeut, por jam tifoz i Vllaznisë, edhe pse Vllaznia s’ka pasur rezultate pozitive. 

Meqë përmendet “Arenën Kombëtare”, kujt ia atribuoni dështimin për mos marrjen e së drejtës së organizimit të Superkupës së Evropës? 
Për këtë organizim, ishin 9 stadiume në garë. Të vetmit ne ishim në garë me një projekt të papërfunduar, dhe kjo na penalizoi. Nuk është se nuk e dinim, apo nuk ishim koshientë për këtë, por më shumë e bëmë për të pasur atë gurin në radhë për edicionet e tjera. 

Ka një çarje midis klubeve në Superiore, kritikë ndaj FSHF-së dhe ndaj jush, pikërisht kandidatura e zotit Fino vjen nga klubet kritizere, pse?
Kritikë nga klubet për çështje sportive ka çdo javë, dhe pakënaqësitë pasojnë kritikat. Por, kur vjen momenti për të mbajtur një qëndrim total të situatës, atëherë ke qëndrimin tënd. Unë mendoj që qëndrimet kritike permanente janë në minorancë, dhe me qëllime të përcaktuara jo sportive. 

Çfarë ndodh me klubet me ndryshimin e qeverive?
Nuk ka ndodhur diçka, por ka ndodhur shumëçka, sepse kemi ndryshuar regjimin dhe nuk duhet ta harrojmë kurrsesi këtë. Ishim në një sistem të atëhershëm diktatorial ku klubet si Dinamo e Partizani financoheshin, menaxhoheshin e drejtoheshin nga ministri të pushtetshme të asokohe. Ishte e gjithë vëmendja e Qeverisë në to. Patjetër që do ishin skuadra të suksesshme, dhe nuk ishim në një sistem të ekonomisë së tregut. Ka shumë nostalgjikë, por kanë ndryshuar gjërat, sepse tani të gjitha klubet janë shoqëri aksionare dhe kanë të njëjtin shans të gjitha.

Pse është kaq e vëmendshme politika ndaj futbollit?
Politika është përgjegjëse për gjithçka në një vend. Nëse je korrekt në krijimin e kushteve dhe iniciativave për zhvillimin dhe progresimin e sportit, këtu nuk ka asgjë të keqe, dhe ne nuk mund ti themi “jo” politikës. Më pas, nga sporti politika mund të themi që ka benefitet e bardha që i ka e gjithë shoqëria. Benefitet politike, janë ku sporti, e aq më shumë futbolli, lidhet me aspektin elektoral. 

Në mars janë zgjedhjet e radhës në futbollin shqiptar, a do të merrni pjesë?
Sipas statutit të FSHF-së, në gjashtëmujorin e parë të çdo viti duhet të zhvillohet Asambleja e Zakonshme, dhe një herë në katër vjet, Asambleja Zgjedhore. Nuk është vendosur ende se kur do të zhvillohet, sepse duke u marrë me punën dhe problematikën e përditshme, duket datë e largët. Kështu që nuk e kam menduar, dhe do ta jap këtë përgjigje kur të jenë afatet dhe limitet statutore të FSHF-së.
Rikandidimi përballë Bashkim Finos
“Aq sa thatë ju kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin, gjithmonë duke iu referuar anës mediatike. Nuk kam dëgjuar ende një prononcim të tillë. Unë e njoh, kam një marrëdhënie personale me Bashkimin, e kam pasur edhe shok shkolle. E respektoj si njeri, dhe vërtetë, nëse do të ketë projekte për të qenë këtu, atëherë pse jo. Fakti që është pjesë e një partie politike, është një gjë që duhet ta gjykojë ai vetë dhe Partia e tij. Nëse Partia do ta kandidojë, mirë është ta kandidojë nga Selia e Partisë. Ne kemi pasur deputetë në Shqipëri që kanë deklaruar nga foltorja e parlamentit, se arbitrin e godita unë. Nuk besoj se PS-ja do të angazhohet në një fushatë sportive, pavarësisht se mund të ketë ndonjë nga radhët e saj si kandidat. Përpara se të marrë një vendim të tillë, duhet apo nuk duhet të kandidojë, duhet të marrë mendimin e tyre, nëse duhet të vazhdojë apo jo më tej. Unë do ta bëj këtë proces diskutimi me anëtarët, dhe ata do të vendosin.” 
Individualisht nuk më ka pëlqyer ndonjëherë të merrem me politikë, dhe nuk do të merrem ndonjëherë. Në të njëjtën kohë, jam qytetar dhe votues i këtij vendi, por unë as kam qenë, dhe as do jem pjesë e organizatave politike, apo edhe e interesave politike. Patjetër që mbështes iniciativat e njerëzve të mi, dhe do të ishte hipokrizi nëse do të thosha të kundërtën
Unë do vazhdoj të punoj në FSHF me të njëjtin impenjim, pasi kemi shumë projekte të rëndësishme në dorë, jo vetëm projekte infrastrukturore. Përvecc stadiumit në ndërtim, kemi edhe projektin e zyrave të reja të FSHF-së dhe ndërtimin e një mini-stadiumi atje, por ka edhe projekte të tjera tërendësishme të futbollit të fëmijëve
Vlerësimi e konsideratat për De Biazin
“Unë mendoj që të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare që kemi përzgjedhur, e kanë patur autoritetin e tyre absolut, kanë punuar të pavarur në kushte optimale që mund ti duhen një trajneri. Dhe nuk mendoj se e kanë parë në këtë këndvështrim, madje as vetë De Biazi nuk e ka parë në këtë këndvështrim. Pavarësisht momenteve apo debateve e dëshirave mediatike për të futur ndonjë lloj dualiteti në këtë pikë. Pra, ky lloj raporti institucional mes FSHF-së dhe trajnerit të ekipit kombëtar me emër De Biazi, apo kushdo qoftë tjetër, ka qenë shumë korrekt dhe gjithë kohës, pavarësisht se dikush ka patur më shumë sukses, e dikush më pas. Jo thjesht nga fati, por edhe nga puna e tij, De Biazi ka patur shumë sukses në drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit, dhe do të lërë një shenjë të gjatë në këtë pikë”.

Marrë nga Top Story
Sigal