Flamurtari “tallet” me Skënderbeun

531
Sigal

Korçarët, katër humbje në katër ndeshjet e fundit. Trajneri Mirel Josa: “Nuk jemi në krizë”

Një gol i Arbër Abilaliajt i mjaftoi Flamurtarit, për të marrë një trepikësh tepër jetik në fitoren 1-0 ndaj Skënderbeut të vendit të parë, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 28-të të Kategorisë Superiore. Me humbjen në Vlorë –  e treta rresht për korçarët pas atyre me Vllazninë (1-0) e Tiranën (3-2) – diferenca me Kukësin e vendit të dytë është reduktuar në +5 pikë kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i kampionatit. Pra, tashmë është gjithçka është e hapur. Skënderbeu e rrezikon seriozisht titullin! Dy fitore në harkun e katër ditëve ndaj Skënderbeut, të mërkurën në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe dje në kampionat, janë dëshmia më e mirë e një Flamurtari të fortë dhe të një Skënderbeu totalisht në krizë, me katër humbje rresht midis kampionatit (3) dhe Kupës (1). Pjesa e dytë fillon sërish me një episod kur në minutën e 52 Ribaj futet në zonë dhe pretendon një 11-metërsh për ndërhyrjen e Dushkut por këtu “moviola” i jep të drejtë Jeminit që e ndëshkon për simulim. Episodi deçiziv vjen në minutën e 60-të, Telushi krosin nga një goditje standard dhe në zonë Abilialiaj i lënë në harresë nga mbrojtësit, i pa markuar e ka të lehtë të kërcejë për të mposhtur Shehin duke ndezur stadiumin. Skënderbeu reagon në të 69’ me Pero Pejiç që përparon pas një aksioni model në të majtë por gjuan pak centimetra jashtë shtyllës pingule. Jashtë finales së Kupës – Skënderbeu nuk e ka fituar asnjë herë trofeun, tani korçarët duket se do të vuajnë shumë për ta fituar dhe kampionatin, pasi kalendari i pesë javëve të mbetura i vendos përballë Kukësit, Partizanit dhe Laçit. Kampionët nuk arritën ta thyejnë dot tabunë 38-vjeçare të mungesës së fitores në Vlorë, ndërkohë që kanë humbur tre nga pesë përballjet sezonale me Flamurtarin, përfshirë dhe dy ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Trajneri Mirel Josa u shpreh pas humbjes: “Mangësia jonë ishte këmbëngulja te porta dhe përqendrimi në ato momente që dolëm për të shënuar, edhe Flamurtari kishte një rast në pjesën e parë që mund të shënonte si pasojë e një gabimi tonin, por gjithçka ishte normale dhe kjo u pa nga zëvendësimet që unë nuk kreva pasi skuadra ishte në mirë. Nuk kam ç’të them, jam i kënaqur me atë që dha skuadra ime përveç përqendrimit apo këmbënguljes para portës. Nuk jemi nën presion. Sot skuadra s’kishte asnjë lloj presioni, luajti lirshëm dhe luajti shumë mirë ashtu siç i kisha kërkuar. Janë momente që duhet të na bëjnë më të vëmendshëm për sa i përket përqendrimit, qoftë para portës dhe qoftë për pasin e fundit”. Për Ernest Gjokën është një sukses që paguan mundin e ditëve të vështira: “Kampionati është i vështirë, ka akoma përgjegjësi brenda dhe mobilizim brenda. Tashmë jemi më të qetë. Filloi që në Laç kthesa e madhe sidomos morale për ekipin, në vazhdimësi po bëjmë mirë, brenda javës kemi marrë dy fitore. Të mërkurën nuk festuam se menduam si do të mbijetojmë, por sot mund të festojmë se kemi vënë shkallët për t’u ngjitur në katet e larta”.

TEUTA-PARTIZANI 3-1

Partizani mposhtet pas 9 javësh

Teuta fitoi 3-1 me Partizanin, me të kuqtë që humbasin pas nëntë javësh nën drejtimin e trajnerit portugez Marcio Sampaio. Një fitore me shumë vlera për durrsakët që, tani e shohin veten në vendin e katërt me 42 pikë. Me humbjen në “Niko Dovana”, Partizani e ruajti vendin e tretë por tani është pesë pikë larg Kukësit të vendit të dytë, 49. Goditja e kalibruar e Bathës në minutën e 30-të do të përfundonte në trekëndëshin e rrjetës së Hoxhës. Me këtë rezultat, 1-0, mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis me një tjetër gol të vendësve. Shkodrani Ansi Nika e konkretizon në gol krosimin e Samb, duke u dhënë më tepër siguri të tijve për pjesën e mbetur të sfidës. Goli i Migen Memellit do të rihapte gjithçka në minutën e 53-të, kur ngushton rezultatin 2-1. Përpjekjet e miqve për të dalë me të paktën një barazim nga Durrësi nuk kanë munguar, por kanë qenë të paqarta dhe me mungesë finalizmi. Dosti i Teutës, dhjetë minuta para mbarimit të kohës së rregullt, kur lëshon një goditje spektakolare nga distanca dhe trefishon rezultatin. Trajneri i Teutës, Ilir Biturku: “Të gjitha takimet e mbetura janë për jetë a vdekje për ne. Dua të përgëzoj futbollistët. Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. E rëndësishme ishte që shënuam tre gola duke marrë parasysh edhe faktin që në sfidat e fundit kishim shënuar pak”. Trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio: “Ne vazhdojmë të ruajmë të njëjtin pozicion në klasifikim dhe ndeshje pas ndeshjeje do të kërkojmë maksimumin. Mundësitë për të shkuar në Europë edhe pas kësaj sfide janë të mëdha dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për këtë objektiv. Nuk kam asnjë kritikë për lojtarët, i vetmi peng është se nuk arritën të luanim ashtu siç unë dëshiroja”. Në javën e ardhshme Partizani ka një takim shumë të vështirë pasi pret në kryeqytet Kukësin ndërsa Teuta do të udhëtojë në Laç për t’u përballur me skuadrën e Stavri Nicës.

KUKËSI-KASTRIOTI 2-1

Sokol Cikalleshi dhe Vilfor Hysa, dyshja e sulmit kuksian, i ka dhënë tri pikë të mundimshme, por tepër të çmuara, skuadrës së Starovës. Një fitore me përmbysje, pasi ishin krutanët ata që shënuan të parët me anë të Da Silvës në minutën e 65-të. Kukësi u u kundërpërgjigj pa kaluar ende 60 sekonda lojë, falë goli të realizuar nga i zakonshmi Sokol Cikallesi, që firmosi golin e tij të 13-të sezonal. Shumë vuajtje në “Zeqir Ymeri”, pasi skuadra e Starovës triumfoi vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt, me Vilfor Hysën që shënoi golin e fitores në minutën e 90-të. Në 7 javë radhazi, Kukësi nuk njeh humbje, por vetëm rezultate pozitive, cka e ka futur atë më shumë se kurrë në vallen e titullit, ndërkohë që kuksianët janë dhe në finalen e Kupës. Me këtë humbje, Kastrioti duket se i ka humbur shpresat për mbijetesë tashmë. Vetëm matematika e mban në lojë skuadrën e Nevil Dedes, që pas javës së 28-të ka 29 pikë, në vendin e dhjetë, gjashtë të tilla më pak se Besa, në vendin e 9-të. Të shtunën, Tirana fitoi 1-0 me Lushnjën falë golit të Frensis Kahatës, ndërkohë që Besa e Laçi u ndanë në barazim pa gola. Vllaznia fitoi 3-0 në tavolinë me Bylisin e përjashtuar.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXVIII

Dje, 13 prill

KUKËSI-KASTRIOTI 2-1

Shënues: Cikalleshi 66′, Hysa 90′ / Da Silva 65′

FLAMURTARI-SKËNDERBEU 1-0

Shënues: Abilaliaj 60′

TEUTA-PARTIZANI 3-1

Shënues: Batha 30′, Nika 46′, Dosti 80′/ Memelli 53′

Të shtunën, 12 prill

BESA-LAÇI 0-0

TIRANA-LUSHNJA 1-0

Golat: Kahata 31′

VLLAZNIA-BYLISI 3-0

(Fitore në tavolinë)

RENDITJA

1     Skënderbeu         54

2     Kukësi         49

3     Partizani             44

4     Teuta                  42

5     Laçi                     41

6     Vllaznia       38

7     Flamurtari           38

8     Tirana          37

9     Besa                    35

10   Kastrioti             29

11   Lushnja        26

12   Bylis                   24