Flamurtari shtyp kampionët

678
Sigal

Vlonjatët fitojnë me golin e Migen Memellit. Festa e titullit tashmë vendoset në Korçë

Flamurtari e ka të pamundur të fitojë titullin kampion – në fakt, nuk fiton një kampionat nga sezoni 1990-1991, – por të paktën e ka forcën të mund kampionin në fuqi dhe liderin e kampionatit, Skënderbeu, duke ia shtyrë edhe një javë festën  e titullit. Në Vlorë e ka bërë gjithmonë detyrën. Flamurtari e gjeti shumë shpejt golin ndaj Skënderbeut, që në minutën e 4-t. Migen Memelli shënon në portën e Orges Shehit dhe si kryegolashënues i Superiores kap shifrën e 19 golave. Një ndeshje pa atë tendosjen dhe “armiqësinë” e sezoneve të shkuara, kur agonizmi ishte i shkallës maksimale. Ndoshta këtu ka ndikuar fakti se korcarët e kanë siguruar “de facto” titullin, u mungon vetëm 1 pikë në tri javët e mbetura të garës për ta zyrtarizuar atë për të tretin vit radhazi. Risia e ndeshjes së radhës mes këtyre dy skuadrave ishte fakti se disa nga lojtarët kanë veshur fanellën e të dyja palëve. Kështu, te Skënderbeu bënin pjesë Sebino Plaku dhe Ilirjan Çaushaj, të cilët në të kaluarën kanë luajtur për Flamurtarin. Nga ana tjetër, te vlonjatët kishte gjithashtu tre ish-lojtarë të Skënderbeut. Bëhet fjalë për mesfushorin Davor Bratiç, i cili mungoi për shkak kartonësh, mirëpo në fushë ishin Gjergji Muzaka dhe Migen Memelli, dy golashënuesit më të mire kuqezinj. I pari ka fituar dy tituj kampionë te Skënderbeu, ndërsa sulmuesi Memelli ka luajtur për herë të fundit me korçarët shtatë vite më parë, kur ekipi luante për mbijetesë. Vlonjatët u paraqitën më të motivuar dhe luajtën me një shpirt të lartë gare, ndërkohë që kualitetet bënë diferencën në momente të vecanta. Skënderbeu vuajti jo pak tri mungesat: Radasin, Shkëmbin dhe Pejiçin, ndaj nuk arriti ta thyejë tabunë në Vlorë, ku nuk fiton që prej 17 tetorit të vitit 1976. Statistikat e përballjeve mes dy skuadrave tregojnë për një dominim total të kuqezinjve në ndeshjet shtëpiake. Në këto 37 vite ekipet kanë luajtur 27 ndeshje në Vlorë dhe Flamurtari ka marrë 22 fitore, ndërsa 5 takime janë mbyllur në barazim. Teuta ka vuajtur shumë ndaj skuadrës fierake, ndryshe nga sa pritej, madje për pak mund të bënte “harakiri” dhe të kryente një hap të kushtueshëm fals kur nuk duhej në lidhje me luftën për vendin e dytë. Durrsakët e kanë mbyllur pjesën e parë në disavantazhin 1-0, falë asaj penalltie të shkaktuar nga mbrojtja vendëse dhe e kthyer në gol nga Andi Ribaj, ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë ka rikthyer ekuilibrin rezultativ Mancaku, po nga pika e bardhë. Kryesori Hoxha ka akorduar kësisoji dy penallti në këtë sfidë, nga një për secilën skuadër, ndërkohë që vetëm dy minuta para mbarimit të kohës së rregullt ka ardhur edhe shpëtimi për bregdetarët. Një aksion i bukur, me iniciator Tefik Osmanin, që del me topin nga mbrojtja në sulm, finalizohet me një pasim të përpiktë tokazi për Daniel Xhafajn. Vlonjati nuk gabon, por me nuhatjen e një sulmuesi të spikatur shënon dhe i jep fitoren skuadrës së tij, duke evituar një hap fals, cka do ta zhbilanconte skuadrën e Maganit në raport me zonën europiane. Apolonia, ashtu sikurse bëri një javë më parë ndaj Shkumbinit, edhe kësaj here ka luajtur ndershmërisht dhe tepër e karikuar, a thua se ka objektiva për të realizuar në këtë edicion, kur dihet se e sheh veten një kategori më poshtë. Tri pikët shkojnë në llogarinë e “djemve të detit”, që tashmë presin si do të ndodhin ngjarjet në ballafaqimet e rivalëve për vendin e dytë, të kuksianëve dhe vlonjatëve.

  Gjoka: “Një fitore me vlera”

 Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, u shpreh i kënaqur pas fitores me Skënderbeun, çka e mban skuadrën vlonjatë në luftën për një biletë në Ligën e Europës: “Sigurisht që është një fitore e rëndësishme dhe luanim përballë ekipit kampion. Mendoj që ne dhamë më të mirën tonë, humbëm shumë raste, loja ishte me tension. Përgjithësisht ishte një lojë e rrjedhshme. Jam i kënaqur me skuadrën  dhe i përgëzoj gjithë çunat. Ishim gjithë kohës në ekuilibër taktik. Natyrisht që rasti për të shënuar golin e dytë më bëri nervoz, pasi  aty mund ta quanim të mbyllur ndeshjen. Gjithsesi, e kaluam me sukses këtë provë. Nga ana logjike dhe morale kjo fitore është si një bonus, por rruga është ende e gjatë. Këtë javë kemi një finale nëse mund ta quaj kështu, me Kukësin, të cilën shpresojmë ta kalojmë me sukses. Kjo për ne është ndeshja deçizive, nëse do të marrim tri pikët, atëherë mendoj se do të sigurojmë një vend për në Europë. Kjo fazë e dytë për Flamurtarin ka qenë e mirë, kemi grumbulluar shumë pikë, por që kemi patur probleme nga faza e parë, kështu që nuk na kanë dhënë mundësinë të shkëputemi. Megjithatë, siç e thashë, ndeshja me Kukësin do të jetë përcaktuese për objektivin tonë”.

 Luftëtari shoqëron Tomorin dhe Apoloninë drejt së Parës

  Luftëtari “firmosi” rënien në Kategorinë e Parë, pas humbjes 1-0 në transfertën e Krujës. Djemtë e Bellait, të cilët e humbën turpshëm një javë me parë me Laçin (0-3) në Gjirokastër, e kanë bërë “me zemër” Kastriotin vendës, që mezi ka arritur të shënojë një gol me anë të Kalarit në minutën e 68-të, për të marrë tri pikë të tjera dhe siguruar përfundimisht qëndrimin në Superiore. Kastrioti vinte pas fitores 3-0 ndaj Flamurtarit dhe e kishte marrë disi lehtë takimin, që në fakt nuk vlente shumë, pasi krutanët e kanë siguruar qëndrimin. Trajneri Bellai dhe të tijtë e kanë kthyer tashmë fletën dhe po formatojnë grupin e lojtarëve në funksion të sezonit të ardhshëm, në Kategorinë e Parë, ndërsa krutanët kanë të drejtë tashmë t’i “nisin pushimet e verës”, edhe pse u kanë mbetur për të luajtur edhe tri ndeshje deri në fund. Të cilat kthehen në formalitet për ta, pasi mbijetesa është punë e kryer, ndërsa objektiv tjetër s’ka më për të besuarit e Ndreut.

Fetel, “sheiku” i Bahreinit

 Sebastian Fetel, i jashtëzakonshëm. Piloti i Red Bullit triumfoi në pistën e Bahreinit duke dominuar nga fillimi deri në fund të garës, ashtu siç bëri dhe vitin e kaluar. Gjermani që në fillim u shfaq agresiv duke parakaluar dhe Rosberg që kishte fituar pole position në provat zyrtare. Problemet në sistemin DRS penalizuan Fernando Alonson i cili u detyrua të hynte 2 herë në bokse që në xhirot e para. Spanjolli i Ferrarit e përfundoi garën në vendin e 8. Zhgënjeu dhe “kokëkuqja” tjetër, pasi Masa nuk arriti të shkonte më larg se vendi 12-të. Paraqitje shumë e mirë e Lotus me dy pilotët, Kimi Raikonen e Romain Grosjean të cilët plotësuan podiumin përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Fetel kryeson kampionatin me 77 pikë, ndjek Raikonen me 10 pikë më pak e Ljuis Hamilton me 50 pikë.

 Ada, kampione për femra

 Ada e Velipojës është shpallur sot zyrtarisht kampione  e Shqipërisë në futbollin e femrave. Në ndeshjen e fundit, atë të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi’ në mes Adës dhe Dardanisë, e para ka fituar 4-0. Autore të golave kanë qenë Megi Doçi, Luçie Gjini (2) dhe Xhemile Berisha. Me fitoren e sotme, vajzat velipojake janë ngjitur në kuotën e 38 pikë duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampione e vendit për të tretin vit me radhë.