Flamurtari “ngjallet” në Korçë, Kukësit i anulohet gol në Laç

637
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ U luajtën dje dy ndeshjet e para gjysmëfinale, vlonjatët hedhin hapin e kualifikimit në ndeshjen e parë
U luajtën dje dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku rezultatet tregojnë se Superiorja dhe Kupa kanë ndryshimin e tyre. Kjo ndodhi më shumë me Laçin, i cili barazoi 0-0 në fushën e tij me Kukësin, një ndeshje në të cilën kuksianët edhe mund ta kishin fituar, nëse në minutën e 73-të nuk do ti ishte anuluar një gol. Një rezultat i hapur ky që do të ketë punë për të dyja skuadrat në takimit e kthimit më 18 prill në “Zeqir Ymeri” të Kukësit. Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, për barazimin e sotëm në fushën e Laçit, u shpreh se është i kënaqur me faktin se skuadra e tij nuk ka pësuar gol, por ka rezerva për lojën, ndërsa Mezani i Laçit, deklaroi pas ndeshjes se, ishte i kënaqur me lojën që ekipi zhvilloi, por fajtor për këtë rezultat, sipas tij ishte mungesa e agresivitetit. Ndërkohë, në ndeshjen e mbrëmjes, Flamurtari ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë përballë Skënderbeut, duke hedhur një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Shqipërisë. Rezultati 1-0 pas golit të Danilo Alvesh në portën vendase në fundin e ndeshjes, i jep mundësinë ekipit vlonjat të shkojë më i qetë drejt ndeshjes së kthimit. “Skuadra ka qenë jashtëzakonisht e ngarkuar për arsye të rezultateve, është më se normale. Megjithatë, ajo ka funksionuar si skemë, ka bërë gabime edhe në pasime të thjeshta, dhe nëse do të ishim më të qetë, ndoshta do të shkonim më mirë, por edhe kështu është mirë”, ishte ky deklarimi i trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, menjëherë pas fitores së djeshme në Korçë. Në gjithë harkun e 90 minutave, kjo ka qenë një ndeshje e luftuar, me raste nga të dy skuadrat, edhe pse nën ritmin e pritshëm, pasi mungonte agresiviteti i zakonshëm i ekipeve. Por, protagonist në fundin e pjesës së parë u bë arbitri kryesor Enea Jorgji, i cili ka dhënë një penallti shumë të diskutueshme në favor të Skënderbeut. Por nuk ishte e thënë që Skënderbeu të shënonte, sepse Muzaka sikur u hipnotizua nga portieri Nurkoviç, i cili e ndaloi tentativën e mesfushorit, duke ruajtur barazinë në shifra. Ndërsa rastet për të shënuar nuk munguan as në pjesën e dytë, por në fund ishte Alvesh ai që gjeti rrjetën me devijimin e tij me kokë në portën e Teqjes, pak minuta para fundit, për të kthyer buzëqeshjen te vlonjatët. “Penalltia është i vetmi element që ne nuk e përcaktojmë, dhe nuk mendojmë ndonjëherë që do të marrim penallti. Nuk e kishim vendosur se kush do ta godiste, dhe kjo ishte pjesë e mosmarrëveshjes mes Muzakës e Gavazajt”, theksoi trajneri Ilir Daja i Skënderbeut, pas humbjes me Flamurtarin. Takimet e kthimit të këtij turi të Kupës së Shqipërisë, luhen pas dy javësh, në datën 18 prill 2018.
Protagonist në fundin e pjesës së parë u bë arbitri kryesor Enea Jorgji, i cili ka dhënë një penallti shumë të diskutueshme në favor të Skënderbeut. Por Muzaka sikur u hipnotizua nga portieri Nurkoviç, i cili e ndaloi tentativën e mesfushorit, duke ruajtur barazinë në shifra
Futbollisti Renato Malota, “vizitor” në Policinë e Lezhës 
Pas disa javësh i “zhdukur” mbrojtësi lezhjan i Vllaznisë Renato Malota është bërë i “gjallë”. Askush nuk dinte të jepte një përgjigje, pasi nuk kishte asnjë informacion për problemin e lojtarit, i akuzuar për tjetërsim pronash nga Gjykata e Lezhës. Mungonin kontaktet me lojtarin, i cili nuk kishte pranuar të shkonte në polici, dhe dje ai është paraqitur në Policinë e Lezhës, duke i dhënë fund “arratisë”. Lajmin e kanë bërë publik dje mediet lokale në Shkodër. 
Sigal