Flamurtari mes heronjve dhe armiqve

884
Sigal

Gazeta Telegraf/


Flamurtari
i “Madh” i Vlorës në periudhën 1980-1991

Vitet
kur politika komuniste i kthente ndeshjet e futbollit në përplasje politike

 

 

Heronj
për popullin, armiq për partinë

 

 

Nga Ergys Alushi

 

Historia pozitive e këtij ekipi të madh
shqiptar, nuk do të mbetet vetëm në kampionatin vendas, por përfaqësimi në
Kupën UEFA në tre ture dhe përballja me Barcelonën e emrave të mëdhenj, e
hijeshuan si Flamurtari i “Madh” në periudhën 1980-1991. Kjo ishte dekada e një
ekipi që ndryshoi pozitivisht historinë e futbollit shqiptar për klube, ku
lojtarët e tij, që nga porta e deri në vijën e sulmit, sollën atmosferën e
munguar në Shqipërinë e futbollit. Talentet e Flamurtarit në këtë periudhë shkruan
një histori që deri më sot askush tjetër nuk ka mundur që ta risjellë në
madhështinë e tyre.

 

Kur Flamurtari
mundte Barcelonën

1987 – 9 dhjetor – Vlorë

Ora 12:40Stadiumi Flamurtari
është i mbushur si kurrë ndonjëherë më parë. Aty numërohen më shumë se 12.500 spektatorë,
por edhe jashtë tij ka po aq njerëz. Të gjithë duan të futen brenda në stadium.
Kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria, sepse Vlora priste në më pak se një vit,
për herë të dytë Barcelonën.

 

Pas 50 minutash do të nisë takimi me Barcelonën, për
turin e tretë të Kupës UEFA. 
Por, para së të nisë takimi, moti ka rezervuar një “surprize”
jo të këndshme. Erë e fortë, shi e breshër, për gati 10 minuta. Një stuhi e
vërtetë, por askush nuk u largua.
Filloi ndeshja. Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë në Barcelonë me
rezultatin 4-1, por në Vlorë kishin besim të madh tek ekipi i zemrës, tek
përmbysja e madhe. Në fushë mungojnë, Gjondeda, Zijai dhe Bubeqi, ndërsa Ferko
do të luajë, edhe pse i dëmtuar. Por, Flamurtari ka tifozerinë, që është një skuadër
më vete. Minuta e 15-të. Ferko kroson nga një goditje dënimi pranë zonës,
Kushta kërcen mbi të tjerët, gjuan me kokë e topi përfundon në rrjetë. Në
këndin e djathtë ku një vit më parë kishte shënuar dhe Vasil Ruci. Flamurtari i
shënon golin e tretë “Barcelonës” në 4 takimet midis tyre.
Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në stadium ka shpresë, besim se edhe mund të ndodhë
përmbysja e humbjes 4-1 në Barcelonë. Flamurtari ishte tashmë një skuadër e
madhe. Pjesa
e dytë pati raste të shumta për vlonjatët me protagonistë Vasil Rucin e Roland
Iliadhi, por gola nuk pati. Portieri katalanas Zubizareta, kishte me vete atë
ditë edhe fatin. Flamurtari nuk arriti dot të kualifikohej, por arriti një
fitore të madhe, përballë
Barcelonës. Dy vjet rresht përballë këtij ekipi, dy herë i ndalur prej tij.  Secila
nga një fitore, dy barazime dhe një humbje. Bilanc historik!

 

Rrapo
Taho në 10 më të mirët e vendit, viti 1987

“Një nga futbollistët më të dalluar gjatë
vitit 1987, si në radhët e ekipit të tij Flamurtarit, i cili kaloi në Turin e tretë
të Kupës UEFA, por edhe në ekipin kombëtar. Lojërat e tij, jo vetëm kanë qenë
të qëndrueshme, por kanë ardhur në rritje, duke spikatur veçanërisht për
mobilizimin, seriozitetin dhe shpirtin e garë. Është 29 vjeç, punëtor.
Fiton në anketë për herë të parë”.

 

 Fitorja
5-1 në Shkodër, viti 1988       

1988-5 qershor, Shkodër
Përmbysja e madhe 5-2

Një vit më parë,
dhe pikërisht më 7 qershor të vitit 1987, Flamurtari ishte mundur në Shkodër me
rezultatin 3-0. Ishte finalja e parë e Kupës së Republikës dhe Flamurtari rikthehej
pas një viti në Shkodër, por këtë herë përballë Vllaznisë do të luante ndeshjen
e dytë gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Ndeshjen e parë Flamurtari e kishte
humbur 1-0 në Vlorë. Në Shkodër ishin të sigurt se ekipi do të ishte ashtu si
një vit më parë finalist i Kupës. Në stadium ishin më shumë se 11 mijë sportdashës
që brohorisnin në kor për ekipin e tyre. Kur dukej se pjesa e parë do të
përfundonte 2-0 për Vllazninë me dy gola të Zmijanit, Vasil Ruci do të
ekzekutojë një goditje dënimi mjeshtërore në minutën e 45-të duke e mbyllur
pjesën e parë 2-1. Në stadium e mendojnë tashmë të sigurt finalen, duke
llogaritur edhe fitoren në Vlorë 1-0. Por nuk mendojnë kështu vlonjatët dhe
sidomos Vasil Ruci, i cili shkëlqen në këtë ndeshje duke shënuar tre gola, dhe
së bashku me golat e Gjondedës dhe të Bubeqit e përmbysin rezultatin në 5-2.
Flamurtari është përsëri finalist, ashtu si edhe një vit më parë.

4
ditë pas ndeshjes në qendër të Shkodrës, do të vihej të lexohej me interes një
fletë lavdërimi, ku sportdashësit vlonjatë përgëzonin shokët e tyre nga Shkodra
për objektivitetin që treguan, për korrektësinë, për dashurinë.

Finalja me Partizanin do të luhet në një fushë
asnjanëse dhe ajo është fusha e …Shkodrës.
              

 Për
herë të dytë fitues i Kupës së Republikës, viti
1988                        

1988 – 9 qershor, në Shkodër, ora 17:00 
Flamurtari luante finalen e dytë brenda katër vjetëve në Shkodër, kur të parën
e kishte humbur përballë 17 Nëntorit me rezultatin 1-0. Fusha e Shkodrës nuk
ishte e panjohur për ekipin vlonjat, pasi katër ditë më parë ata kishin luajtur
në këtë fushë kundër Vllaznisë vendase në gjysmëfinalen e Kupës, duke fituar 5-2.
Duhet pranuar se shkodranët ishin më të miqësuar me vlonjatët, aq sa ishte
krijuar opinioni se Flamurtari luante si në “shtëpinë e tij”. Flamurtari ishte
1 herë fitues i Kupës dhe 6 herë finalist i saj. Në pjesën e parë dominojnë të
dy ekipet, Partizani në 20 minutat e para dhe Flamurtari në minutat e tjera.
Sinjalin e parë e jep Iljadhi në minutën e 25-të dhe pas tre minutash porta e
Nallbanit vihet në shënjestër nga gjuajtjet e Ziut e të Kushtës. Dhe, 45
minutat e para mbyllen me predhën e Vasil Rucit, por pret Nallbani. Në minutën
e 53-të të ndeshjes, gjuan fort Kushta dhe grushton Nallbani, por aty ndodhet edhe
Agim Bubeqi që shënon golin e fitores, ashtu si tre vjet më parë në finale me
Partizanin që i dha fitoren ekipit të tij.
Trajnerë Niqifor Thomai dhe Fatmir Gjebrea.

“Çipi ngre lart Kupën, duke qenë lojtar
frymëzues i Flamurtarit, e pastaj kupa kalon dorë më dorë, te portieri Sevo që
po fiton stabilitet, tek Murati me dëshirën për t’u afirmuar, tek Zijai tani me
përvojë si në mesfushë e mbrojtje, tek Iljadhi energjik që në postin e tij,
vështirë t’i gjesh shokë, te Memushi ambicioz, Vasil Ruci i domosdoshëm, te Ziu
që ka zënë vend me meritë në ekip, Gjondeda “motor” i vogël në pamje që bën një
punë aq të madhe, Kushta sulmuesi tipik me shpërthimet e tij e Bubeqi, sulmuesi
elegant, fitues në lojën e ajrit”
(gazeta “Sporti
Popullor” – e premte 10 qershor 1988)


Vasil Ruci i jep lamtumirën fushës së
blertë

1989 – 7 dhjetor,
në Vlorë

Nuk ishte një e
diel si të gjitha të dielat e mëparshme. Jo sepse luhej Flamurtari-Vllaznia 2-0,
me autor golash Viktor Daullja në minutën e 8-të dhe Agim Bubeqi në minutën e
15-të. As edhe për faktin se ishte viti i Flamurtarit në shumicën e sporteve në
Shqipëri. Në stadiumin e qytetit po ndodhte një ngjarje që vlonjatët nuk donin
të ndodhte kurrë, por sporti e jeta kështu e ka. Nga fusha e blertë e stadiumit
të Vlorës po largohej golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, mjeshtri i
golave, sulmuesi teknik.

93 gola në 13 vjet
futboll me Flamurtarin, nga të cilët 6 gola në 12 ndeshje ndërkombëtare,
rezultat i paarritur ky ende deri më sot. Autori i golit historik që e kaloi
Flamurtarin në Turin e Tretë të Kupave të Evropës, kundër Vismuth AUE. Autori i
golit të parë në Vlorë ndaj Barcelonës, dy herë golashënuesi më i mirë i vendit
në vitet 1982 e 1984. I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i sportit”.

 

Po
largohej Vasil Ruci që në karrierën e tij sportive i kanë thirrur e brohoritur
në disa nofka përkëdhelje si:
“Kompetenti”,
“Dupi”, “Vasil, Vasil, ti je bota”, Mjeshtri i driblimit dhe i
goditjeve të dënimit. Një stadium i gjithë që brohoriste: “Vasil, Vasil,
ti je bota!” apo edhe “Tri shtata ka gjithë bota, Kigan, Ruci, Popi Voda”.
Ishte shtatori i vitit 1976, kur Flamurtari do të luante në Vlorë përballë
Besës së Kavajës, në javën e dytë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Parë.
Bashkë me ekipin u rreshtua edhe një lojtar i imët që pak vetë e njihnin. Ky
ishte Vasil Ruci, i cili që në ndeshjen e parë i tërhoqi e i bëri për vete
vlonjatët me lojën e bukur teknike që zhvillonte. Në atë ndeshje Vasil Ruci do
të shënonte edhe golin e tij të parë, për të mos u ndalur më që nga ajo ditë në
shënime golash që kanë mbetur gjatë në kujtesën e vlonjatëve.

     

Përsëri
fiunalist i Kupës së Republikës, viti 1990                    

1990 – 6 qershor, në Durrës
Për herë të shtatë në finale. Shumëkush mendonte se ndeshjen e Kupës do ta
fitonte Flamurtari, pasi dinamovitët nuk ishin me formacionin kryesor në këtë
ndeshje. Por nuk ndodhi ashtu si pritej, sepse Flamurtari-Dinamo mbyllet 0-0
dhe fiton Dinamo me penallti 2-4. Humbasin penalltitë Paço dhe Gjergji Iliadhi
i fundit, penalltinë e të cilit e pret portieri Bozhiqi.

 

Përballë
Olimpiakos të Pireut, viti 1990

 

1990 – 19 shtator, në Athinë
Olimpiakos-Flamurtari 3-1

Një ndeshje e humbur nga gabime të pafalshme.

1990 – 3 tetor, në Vlorë
Flamurtari-Olimpiakos 0-2

Flamurtari shënon dy gola në tetë minutat e
fundit. Ekipi krijoi shumë raste me Bubeqin, Kushtën, Demën etj. Dhe, pas eliminimit
nga Kupat e Evropës, Flamurtari do t’i përkushtohet kampionatit.

 

Për
herë të parë Kampion kombëtar, edicioni 1990-1991

Në javën e 5-të  të Kampionatit Kombëtar
1990-1991, ekipi do të kapë vendin e parë me 8 pikë, pas fitores 3-1 me
Labinotin në Elbasan, me golat e Bubeqit e të Kushtës.
Në dhjetor 1990, në përfundim të fazës së parë, ekipi i Flamurtarit kishte
12 javë pa humbur asnjë ndeshje, me vetëm 5 gola të pësuar. 813  minuta pa
pësuar gol deri në ndeshjen Flamurtari-Kastrioti 3-0. Portieri Anesti Arapi pa
pësuar gol që nga data 7 tetor deri në 9 dhjetor, duke u cilësuar një nga
portierët më të mirë të kampionateve shqiptare pas Mustës, Gogunjës.

 

E
mërkurë 5 qershor

Në Vlorë po luhej minuta e 82-të e takimit Flamurtari-Partizani
dhe një fitore, atë do ta shpallte ekipin kampion dy javë përpara përfundimit
të kampionatit. Pikërisht në minutën e 88-të Viktor Daullja do të shënonte
golin historik në historinë rreth 70 vjeçare të Flamurtarit, golin e titullit Kampion
për herë të parë. Ndeshjen e fundit të kampionatit Flamurtari do ta zhvillonte
përsëri në Vlorë, përballë Apolonisë, takim të cilin e fiton 4-1. Trajnerë të
ekipit; Edmond Liçaj e Shemsi Zilja. Gëzojnë futbollistët e natyrisht ata që
kanë vite që luftojnë për këtë titull: Arapi, Çipi, Taho, Iljadhi, Gjondeda,
Memushi, Bubeqi, Daullja, por edhe më të rinjtë Dëma, Lutaj, Mëhilli, Shaqiri,
Ciruna, Lameborshi. Gëzon edhe Alfred Ziaji që edhe këtë vit dha ndihmesë sa
mundi. Të enjten në mbrëmje, një ditë pas fitimit të titullit Kampion Kombëtar,
në Pallatin e Sportit, mijëra qytetarë të Vlorës do të mblidhen për të festuar
fitoren në një spektakël të organizuar nga Parodistët e qytetit dhe klubi i
futbollit “Flamurtari”.

 

Padrejtësitë
 ndaj Flamurtarit

Më së fundi u realizua ajo që Flamurtari dhe
sportdashësit e tij e kishin dëshiruar për vite me radhë, por që kishte mbetur
vetëm ëndërr. Dhe jo se nuk e kishte merituar më parë, por ashtu ishin kohët.
Se, edhe kampioni i vendit caktohej sipas preferencës së ndonjë funksionari të
lartë partiak apo shtetëror. Dhe në çastin final kur Flamurtari zgjaste duart
për të marrë kupën, e pengonin gjyqtarët e njëanshëm. Ia punonte me hile edhe
ndonjë ekip rrethi, që duke hapur portën e vet e vet, bëhej “lake” i ndonjë
ekipi kryeqytetas. Por Flamurtarin e shpartallonin edhe nëpër dogana, ndonëse
kthehej i lavdishëm nga veprimtaritë ndërkombëtare. E shpartallonin për dy
lecka të po atij funksionari që sillte nga jashtë shtetit çfarë të donte. dhe
pa kufizim.

 

Përplasjet
e para me arbitrit dhe Federatën

Historia nis në
ndeshjen e dytë të kampionatit të dytë kombëtar të futbollit, ku ekipi i
futbollit i shoqërisë sportive “Vlora” do të luante në Tiranë përballë
sportklub Tiranës. Vlonjatët do ta humbnin me rezultatin 5-1 atë takim, i cili
në të vërtet nuk mbahet mend për rezultatin e thellë, sepse Tirana vazhdimisht
në histori e ka mundur me rezultate të thella Vlorën, por për incidentin me
arbitrin e huaj Hill. Vlonjatët do të kërkonin një gjykim të drejtë, duke
reaguar ashpër në fushë ndaj tij, i cili madje do të qëllohej me grusht nga një
futbollist i Vlorës. Ngjarja do të bënte bujë për kohën dhe do ta prishte
atmosferën pozitive që kishte nisur të krijonte futbolli në Shqipëri. Ndeshja
do të anulohej dhe do të zhvillohej përsëri. Edhe në ndeshjen e fazës së dytë,
Tirana do të fitonte përsëri në Vlorë, por përsëri do të kishte pakënaqësi për
arbitrimin e ndeshjes, aq sa Federata do të përjashtonte disa lojtarë të
Vlorës, për shkak të reagimeve të pahijshme në fushë ndaj arbitrit të ndeshjes.
Ndëshkimet e Federatës nuk do të priteshin mirë në Vlorë, dhe në fillimin e
kampionatit të tretë kombëtar ekipi vlonjat nuk do të pranojë të luajë ndeshjen
e parë pa u kthyer vendimet e Federatës për përjashtimin e tre lojtarëve të tij.
Në 4 mars të vitit 1932, Federata si kundërpërgjigje të bojkotit të kampionatit
nga ekipi i Vlorës, do ta përjashtojë atë nga Kategoria e Parë dhe atë vit do
të luajë në Kategorinë e Dytë. Që nga kjo ngjarje, në historinë e ndeshjeve të
futbollit midis Tiranës dhe Vlorës, do të kishte gjithnjë përplasje dhe
pretendime, kryesisht nga ana e vlonjatëve, kryesisht për arbitrimin e
njëanshëm në favor të Tiranës, duke sjellë dhe përplasje të vazhdueshme me
Federatën e futbollit, përplasje e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.

 

Biografia
bënte kërdinë

Portieri Luan Birçe
dhe lojtarë si Alfred Ferko, Afred Zijai, Vasil Bifsha, Kreshnik Çipi, Vasil
Ruci, Agim Bubeqi dhe ndonjë tjetër, do të ishin vazhdimisht të survejuar dhe
të përndjekur nga ekipi për shkak të biografisë apo luftës së klasave. Në Barcelonë,
shtypi spanjoll do të shkruante gati me përbuzje se: “… Ekipi i fukarenjve
mundi ekipin e miliarderëve…”, për faktin e thjeshtë dhe tronditës se,
lojtarët e mëdhenj të Flamurtarit e kishin pagën 2 apo 3 dollarë. Ishte e
paimagjinueshme për Shusterin, Hjuxh apo Lineker, që të besonin se ata lojtarë
që ju bënin qëndresë dhe u rrezikonin kualifikimin apo mijërat e dollarëve,
paguheshin vetëm 2 dollarë. Dhe për ironi të fatit, kur dilnin jashtë
Shqipërisë, “komisarët e partisë” nuk u ndaheshin. Në Ministrinë e Jashtme i
këshillonin dhe u bënin presion që të mos provokoheshin edhe nëse ju jepnin
dollarë apo dhurata të ndryshme. Heronj për popullin, armiq për partinë. Ishin
vitet kur politika komuniste edhe ndeshjet e futbollit i kthente në përplasje
politike, sistemesh edhe pse ishte thjesht një lojë futbolli. E tillë ishte
situata edhe përpara ndeshjes me Partizanin e Beogradit në Vlorë, por edhe
ndeshja e kthimit atje. Ndërsa në Vlorë situata politike ishte e ndezur, në
Beograd, sipas kujtimeve të ish-futbollistëve të mëdhenj, situata ishte e qetë
dhe aspak armiqësore. Ndërsa në Vlorë flitej më shumë për fitore politike dhe
jo fitore në futboll, apo nuk flitej më për fushatën e korrje-shirjeve, por
vetëm për Flamurtarin dhe detyrën e madhe kombëtare që ka ky ekip për të mundur
armiqtë e kombit, në Beograd flitej për futboll, për objektiva kualifikimi.
Ndërsa në Vlorë, e gjithë infrastruktura komuniste ishte hedhur në sulm duke
rregulluar rrugë, lulishte, stadium dhe shatërvanë, apo duke hedhur në treg pak
më tepër se zakonisht ushqime e veshmbathje, në Beograd “armiqtë e kombit”
përgatiteshin për një ndeshje thjesht të radhës.

  

 

Finalist
për herë të tetë, viti 1991

E enjte 19 qershor, në Tiranë
Finalja e kupës së Republikës Partizani-Flamurtari
Koha e rregullt përfundon me rezultatin e bardhë 0-0. Në gjuajtjet e 11
metërshave, disfavorin e krijuar nga Ilir Shulku që humbi penallti, e korrigjon
portieri Musta, vlonjati që mbronte prej 12 vitesh portën e Partizanit. Ai
priti dy penallti, atë të Viron Daulles dhe të portierit Anesti Arapi.

 

Alfred
Ziaji

Ai është një ndër
emrat e mëdhenj të Flamurtarit  të “Madh”
të viteve 1980-1990. Një lojtar i fuqishëm, një shkatërrues tipik dhe “motori’
i ekipit, “zemra” nga ku merrte forcë e fuqi i gjithë ekipi në ndeshjet e
vështira e problematike. Por, nuk mbahet mend vetëm si i tillë. Ai ishte
një ndër njerëzit që bëri ndryshimin e madh në Vlorë në fundin e vitit 1990.
Madje, në shtëpinë e tij filloi ndryshimi Demokratik edhe për Vlorën dhe
vlonjatët. Ai së bashku dhe shokë të tjerë futbollistë të ekipit të Flamurtarit,
ai ekip dhe ata lojtarë kishin të drejtën morale për ta kërkuar të parët
ndryshimin, pasi në kulmin e tyre ishin përballur me lloj-lloj presionesh,
luftë klasash, pengesash, dënimesh, arbitrime të njëanshme, nga njerëz të
veshur me pushtet lart në Tiranë, vetëm e vetëm që të mos fitonin dhe ua “ulnim
kokën’ ekipeve të Tiranës. Ai është Alfred Zijai. Fredi nuk rron më, iku i ri
nga kjo jetë. Ndoshta dhe sepse i kishte kryer “misionet” për të
cilat kishte ardhur në jetë. Dhe nuk ishin pak. Flamurtarin e bëri të madh.
Vlorën e bëri demokratike. E çfarë mund të kërkojë më shumë një vlonjat për
Vlorën dhe Flamurtarin?! Fred Zijai është i shkruar në historinë e Vlorës. Të
tjerët mundohen, me të gjithë pushtetin e paratë, por nuk e arrijnë dot. Ai e
arriti me një fanellë pambuku, me një shpirt prej demokrati e me dashurinë
e madhe për Vlorën e vlonjatët.