Flamurtari, me katër sulmues kundër Honvedit

70

Muça “kërcënon” Budapestin: “Fitojmë në Hungari”. Lika, realist: “Teuta, për dinjitet në Gjeorgji

Teuta, në “Mikheil Meskhi” të  Tbilisit (16:00), përballë gjeorgjianëve të Metalurgi Rustavit; si dhe Flamurtari kundër Honvedit, në “Jozsef Bozsik” të Budapestit (20:30), do të luftojnë të përmbysin humbjet e tyre në ndeshjet e para, me synimin e vetëm për të kaluar në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, ashtu siç bëri Tirana me luksemburgasit e Grevenmakerit.

 FLAMURTARI

Kur humbi në Vlorë kundër Honvedit, trajneri Shkëlqim Muça, tha se skuadra e tij luajti si e barabartë me hungarezët dhe se humbja ishte fatura e një gabimi fatal në mbrojtje. Në fakt, Muça, u tregua i kursyer në vijën e parë, duke aktivizuar si sulmues të parë kroatin Pero Pejiç, dhe si të maskuar argjentinasin Rafael Soza. Me humbjen minimale 0-1 në stadiumin “Flamurtari”, Muça beson se me një skuadër tërësisht ofensive mund të bëjë surprizën në Budapest. Pikërisht, trajneri që ka fituar katër tituj në Shqipëri (3 me Tiranën, 1 me Dinamon) do të sulmojë fort, madje me një formacion me katër sulmues. Pero Pejiç, Rafael Soza, Migen Memelli dhe Bruno Telushi do ta nisin takimin si titullarë, me synimin për të sulmuar portën kundërshtare nga minutat e parë. Mediat hungareze prej disa ditësh janë duke ushtruar një presion psikologjik ndaj vlonjatëve, duke informuar madje publikun e tyre, edhe për problemet e brendshme të Flamurtarit, me akuzat e babait të ish-sulmuesit Gerhard Progni ndaj trajnerit Shkëlqim Muça, ndërkohë që dje “Nezmeti Sport” shkruante se, Honvedi më shumë e ka mendjen nga përballja e turit të dytë, ndaj rusëve të Anzhi Maçkhalasë, ku bën pjesë edhe një yll i përmasave botërore si Samuel Eto. Flamurtari dje kreu stërvitjen e fundit në Budapest, dhe sot skuadra ka radhën të thotë fjalën e saj në “Jozsef Bozsik”. Sezonin e kaluar, Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit të Podgoricës, ndërkohë që aventura e Budapestit paraqitet dukshëm më e komplikuar, pasi vlonjatët kanë vetëm një alternativë: të fitojnë ndaj Honvedit, çdo rezultat tjetër i nxjerr jashtë loje. Takimi Honvedi-Flamurtari do të gjykohet nga Vusal Alijev nga Azerbajxhani.

 TEUTA

Në fakt, humbja 0-3 në “Niko Dovana”, në ndeshjen e parë, e shndërron gati në një mision të pamundur ëndrrat e durrsakëve, pasi u duhet të fitojnë së paku 3-0 për ta çuar ndeshjen në shtesa, çka ka pak gjasa të ndodhë në transfertën e Gjeorgjisë. Në deklarimin e fundit të tij, pas stërvitjes njohëse në “Mikheil Meskhi”, atje ku në muajin shkurt, Kombëtarja jonë humbi 2-1 me Gjeorgjinë, trajnerin Hasan Lika tha: “Edhe pse i vetmi shans për të fituar është të shënojmë shumë shpejt dhe na duhen tre gola, pas pësuar asnjë, ne nuk do të futemi në aventurë. Do të luajmë më logjikë, dhe nuk do të bëjmë marrëzira’. Lika kërkon të motivojë lojtarët e tij dhe synon të shmangë një humbje akoma më të thellë, me skuadrën që e mposhti 3-0 në Durrës, duke shënuar tre gola në 17 minutat e fundit të ndeshjes, për shkak të gabimeve të shumta në mbrojtje.  Për sa i përket formacionit, Tefik Osmani do të mungojë se është i dëmtuar dhe në vendin e tij do të luajë Rustem Hoxha. Në repartin e sulmit, përveç Mancakut që është titullar i padiskutueshëm, mund të luajë edhe Eminhazeri që nga minuta e parë. Kompanitw e basteve kanw fiksuar koeficientin 1.2, pwr fitoren e Metalurgut, ndërkohë që barazimi është 6. Fitorja e Teutës kuotohet nga 9 deri në 12.

LIGA E EUROPËS

Turi i parë, ndeshjet e kthimit

Sot

16:00 Metalurgi R.-Teuta   (3-0)

20:30 Honved-Flamurtari    (1-0)

– Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para

Kukësi psonis në Serbi, vjen Popoviçi

 Kukësi zyrtarizoi blerjen e dy futbollistëve, sulmuesit serb Lazar Popoviç (29 vjeç) dhe qendërmbrojtësit malazez Stevan Markoviç (24 vjeç). Kuksianët marrin pjesë për herë të parë në Kategorinë Superiore, dhe presidenti Safet Gjici synon ngritjen e një skuadre cilësorë për të garantuar të paktën mbijetesën. Të dy lojtarët po stërviten nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu. “Shpresoj që me ndihmën time skuadra e Kukësit t’i realizojë objektivat që ka për sezonin e ardhshëm”, – tha sulmuesi Popoviç për mediat sportive. “Shpresoj të kontribuoj maksimalisht për arritjen e objektivave”, – shtoi Stevan Markoviç. Kukësi synon afrimin edhe të ish-sulmuesit të Flamurtarit, Gerhard Progni. Ndeshja e parë e Kukësit në sezonin 2012-2013 të Kategorisë Superiore, është ajo kundër Luftëtarit. Edhe gjirokastritët kanë ardhur nga Kategoria e Parë.

Dështimi i pritshëm i Vllaznisë

Nga Redan BUSHATI

  Edhe në sezonin futbollistik 2012-2013, i cili do të startojë me 25 gusht, ashtu si në sezonet e mëparshme, ëndrra për t’u kurorëzuar kampione e Shqipërisë duket e largët për skuadrën shkodrane. Për rreth dy muaj a më shumë, media e « nxitur » nga drejtuesit e klubit “Vllaznia” lakojnë emra lojtarësh kualitativ, por që « çuditërisht » sapo janë pranë nënshkrimit me ekipin shkodran, firmosin për Tiranën a ndonjë tjetër! Kësisoj, situata e krijuar te Vllaznia mund të perifrazohet me shprehjen “Shumë zhurmë për asgjë”. Qyteti i Shkodrës, djepi i artit dhe i kulturës shqiptare, ka plot 11 vite që nuk gëzon trofeun më të rëndësishëm në vend, e gjasat janë që edhe këtë vit të mbetet me gisht në gojë si një fëmijë latant, i cili kërkon ushqimin e tij, trofe futbolli, por s’ia japin dot se s’mund t’i përballojë dhe për më tepër që ne shkodranët e kemi një shprehje mjaft kuptimplote “moti i mirë shifet nade”. E për kuqeblutë tanë moti duket i zymtë. Sado të përpiqemi të kaplohemi nga « ethet » e kënaqësisë se në gjirin e ekipit kemi një timonier me vlera profesionale, pa një skuadër e cila nuk ka kualitete t’i përgjigjet skemave të trajnerit apo të përballojë sfidat e kampionatit, kryesisht në përballjet me Skënderbeun, Tiranën, Teutën apo Flamurtarin, i largët është suksesi, i largët është trofeu. Vula e dështimit rëndon dukshëm mbi kuqeblutë tanë. Në fund, gjithsesi s’duhen humbur shpresat, pasi koha e mbetur, edhe pse e paktë, mund të sjell reflektime serioze te drejtuesit e klubit, në mënyrë që të kuptojnë përgjegjësinë që kanë ndaj fanellës së Vllaznisë dhe qytetarëve të Shkodrës.

 Elvin Beqiri firmos dy vjet më Vllazninë

 Elvin Beqiri, ish-mbrojtësi i Kombëtares dhe i një sërë skuadrash të huaja, në Ukrainë, Rusi, Izrael dhe së fundi te Khazar Lanklaran në Azerbajxhan, firmosi dje një kontratë dyvjeçare me Vllazninë, një marrëveshje me terma të kënaqshëm financiare. Beqiri, i cili është formuar si futbollist pikërisht në “Loro Boriçi” do të prezantohet sot zyrtarisht. Shkodrani 31-vjeçar

doli dje në stërvitje nën urdhrat e trajnerit të Vllaznisë, Shpëtim Duro. Beqiri, i cili ka luajtur 47 ndeshje me ekipin Kombëtar, tha pas firmosjes së kontratës, se “ka ardhur për një Vllazni pretendente, i joshur nga ideja e drejtuesve kuqeblu për të synuar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë”. Drejtuesit më të lartë të Vllaznisë, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv, Armir Grima, vlerësuan me nota pozitive rekrutimin e mbrojtësit Beqiri. Elvini ka luajtur për Vllazninë në vitet 1999-2003, për t’u rikthyer sërish në 2008-2010. Beqiri ka veshur edhe fanellat e Metalurg Donteskut në Ukrainë, Alania Vladikavkazit në Rusi, Makabi Tel Avivit në Izrael. Vllaznia synon ende malazezin Bllazho Rajoviç për në qendër të mbrojtjes. Në provë te Vllaznia është dhe sulmuesi Afrim Neziri, i cili banon në Austri. Në listën e dëshirave të klubit shkodran është dhe sulmuesi i talentuar, Armando Vajushi, i cili aktualisht aktivizohet me bullgarët e Liteksit të Loveçit.