Flamurtari i vitit 1987 që tronditi Evropën

2657
Sigal

 

 

 

 

 

Nga Moisi DALIPI      

Qyteti Vlorës vazhdon të krenohet me disa nga simbolet që shumëkush do të dëshironte ti kishte „pasuri“ të tij. Monumenti i shpalljes pavarësisë kombëtare të vitit 1912, bregdeti bukur i Rivierës, polifonia labe dhe skuadra e futbollit Flamurtari ne vitet 1980-1991. Duke u ndalur tek skuadra e futbollit e këtyre viteve vlonjatët me drejtë ndihem mirë në çdo “sofër” bisedë kur bëjnë të pranishëm me një kredo krejt ndryshe këtë skuadër futbolli. Dhe kjo ndodh kështu, jo vetëm sepse Flamurtari në kornizë e këtyre viteve u bë me të drejtë pjesë e skuadrave elitare të futbollit shqiptar, duke fituar dhe trofe (dy Kupa Republike; 1985 dhe 1988 dhe një titull kampion 1991), por dhe për atë që është më e rëndësishmja, për  paraqitjen e shkëlqyer që ka zhvilluar kjo skuadër me pjesëmarrjet e saj në Kupat e Evropës, veçanërisht atë të vitit 1987. Dhe këto të gjitha kujtohen deri në detaje në vjeshtën e çdo viti. Kështu ndodhi edhe këtë vit, edhe pse kanë kaluar 32 vjet nga ajo paraqitje dinjitoze në 1987-n e Flamurtarit të madh. Dhe pikënisja e këtij Flamurtari është pas asaj eksperience të kënaqshme me pjesëmarrjet ne Kupat Ballkanike në sezonin  1981-1982 ku vlonjatët ranë në grup AEK –un e Athinës dhe Mostar –Velezhin.

Ndeshjet e zhvilluara me vajtje-ardhje japin këto rezultate: AEK-un e Athinës 3-2 Flamurtari i Vlorës (golat për vlonjatët Spiro Curri 15`, Shemsi Zilja 35`, Flamurtari 2-1 Velezh –Mostar (golat për vlonjatët Spiro Curri 43` dhe Ferdinant Lleshi 55`. Flamurtari 2-1 AEK i Athinës (golat për vlonjatët Spiro Curri 20`, Përparim Kovaçi 50`), dhe Velezh –Mostar 4-1 Flamurtari (golin për vlonjatët Përparim Kovaçi 79`). Atë sezon skuadra e Flamurtarit është fituese e Kupës së Republikës pasi ka mundur në finale Partizanin 2-1. Në vjeshtën e vitit 1985 ku Flamurtari merr pjesë për herë të parë në Kupat e Evropës për edicionin Kupës Kupave dhe përballë ka HJK-Helsinkin. Shifrat e dy humbjeve 3-2 ne Helsinki më 17.09.1985 dhe 1-2 ne Vlorë më 2.10.1985 ishin “përvoja” për vlonjatët që do shpërthenin një vit më vonë në 1986 , në Kupën UEFA, edhe pse përballë kishin Barcelonën e madhe me 20 tituj kampion të fituar në Spanjë, dy herë fituese Kupës së Kupave dhe katër herë fituese e Kupës UEFA. Një barazim dramatik 1-1 në Vlorë në mbrëmjen e 17 shtatorit, ku Vasil Ruci për vlonjatët në minutën e 67`dhe Esteban për spanjollët në minutën 88` të ndeshjes janë autorë të golave. Ndeshja e kthimit e zhvilluar në stadiumin “Kamp-Nou” të Barcelonës më 01.10.1986 ka brenda saj një Flamurtar të mobilizuar deri në  sakrificë për të mos  pësuar humbjen. Shifrat 0-0 në përfundim të ndeshjes ishin një kualifikim drithërues i katalonasve që siç do pranonte pas ndeshjes trajneri uellsian Teri Vinejbelles: “Flamurtari luajti me zemër dhe mendje te madhe.

Ne u kualifikuam në turin tjetër falë atij goli te shënuar në Vlorë nga Esteban në minutat e fundit të ndeshjes” Gjithsesi, Flamurtari kthehej në atdhe me një krenari të ligjshme edhe për faktin se eliminimi erdhi nga një skuadër e madhe si Barcelona, por edhe për faktin se e prezantuan futbollin shqiptar në mënyrë më të mirë të mundshme. Por jo vetëm kaq. Piketa që do kujtohet gjatë, ajo e ballafaqimit të Flamurtarit në Kupat e Evropës do jetë sezoni 1987-1988, kur vlonjatë do shkojnë deri në 1/16  e skuadrave pjesëmarrëse ne Kupën UEFA, pasi kanë eliminuar në turit e parë Partizanin e Beogradit (2-0 dhe 2-1, në turin e dytë skuadrën gjermano-lindore Vismut–Aue (1-0- dhe 2-0 ) për t’u ndaluar në turin e tretë nga Barcelona me humbjen  4-1 në “Kamp Nou”  dhe fitoren e bujshme të vlonjatëve 1-0 në Vlorë. Dhe bilanci është i tillë në gjashtë ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon evropian Flamurtari ka fituar tre ndeshje dhe ka humbur po tre ndeshje, me golaverazhin 7 gola të shënuar po kaq  7 gola të pësuar. Kanë kaluar plot 32 vjet nga vjeshta e 1987-s, nga ajo plejadë e prezantuar aq bukur, aq me krenari dhe dëshirë nga ai Flamurtar sa pak kush sot edhe mund ta besojë, sa që kemi të drejtë ta rikujtojmë. Faktet janë të tilla se kështu ka ndodhur me historinë e Flamurtarit të vitit 1987. Mjafton të lëvizësh pak moshën e kujtimet nga vendi e për të klikuar në kujtesë dhe të del përpara ai Flamurtar i bukur, ai Flamurtar i madh e krenar që tronditi fort futbollin evropian. Është një histori mbresëlënëse, edhe pse kanë kaluar 32 vjet që nuk po përsëritet tek Flamurtari i Vlorës.

Turi parë i Kupës UEFA: Flamurtari i Vlorës 2 –0 Partizani i Beogradit

Në 10 korrik 1987 në Gjenevë hidhet shorti për Kupat e Evropës. Në turin e parë të Kupës UEFA goglat kanë vënë përballë nënkampionët shqiptarë të Flamurtarit të Vlorës me nënkampionët e ish-Jugosllavisë, Partizanin e Beogradit.  Që atë ditë në ambientet  e hedhjes së shortit, presidenti i Partizanit të Beogradit M.Vukotiç është shprehur: “Na pret një përballje shumë e vështirë. Flamurtari është një skuadër e një qyteti të vogël, qe sezonin e kaluar në Kupat e Evropës përballë Barcelonës bëri një paraqitje të madhe. Na duhet kujdes që në ndeshjen e parë në Vlorë”. Ndërkohë Flamurtari ato ditë të nxehta korriku kishte filluar përgatitjet për sezonin e ardhshëm në pikën turistike të Llogarasë. Me ekipin ishin bashkuar  dhe dy futbollistët e kthyer nga kampionët në fuqi Partizani –Tiranës , sulmuesi Sokol Kushta dhe mesfushori Eqerem Memushi.

Trajneri 36 vjeçar Leonidha Curri së bashku me ndihmësin e tij Skënder Elmazi dhe stafin mjekësor të përbërë nga mjeku Sotiraq Peto dhe masazhatori Asllan Asllani bëjnë kujdes për t’i dhënë  ngarkesën e duhur skuadrës, edhe pse kundërshtarin e përballjes evropiane nuk e njihnin shumë. Të dhënat e para për kundërshtarin, të siguruara nga gazetari sportiv Gëzim Nushi dhe ish-trajneri kombëtares Agron Sulaj  kanë mbërritur pranë drejtuesve të Flamurtarit vetëm pak ditë përpara fillimit të ndeshjes Partizani i Beogradit është nëntë herë kampion dhe pesë herë fituese e Kupës së ish-Jugosllavisë. Suksesin më të madh në kompeticionet evropiane i përkiste vitit 1966 finaliste e Kupës së kampionëve përballë Real Madrit. Ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Evropës dhe sezonin e kaluar ishte eliminuar që në turin e parë të Kupës UEFA nga Borusia e Munhegladbahur, duke i humbur te dyja ndeshjet (0-1 dhe 1.3).Që nga viti 1983 nuk fiton titullin kampion dhe sezonin e kaluar ishte shpallur përsëri nënkampione me  një pikë më pak nga kampionet e Vardarit. Në përballjen me Flamurtarin e Vlorës vinte pas një fitoreje në kampionatin jugosllav kundër “Dinamos” së Vinkovacit me rezultatin  5-0„.

“Kaq dhe asgjë më shumë nuk dinim” – kujton ish-trajneri Leonidha Curri. Nga ana tjetër Flamurtari që kishte  njohur veten  tre herë si nënkampione dhe katër herë finaliste Kupe, si dhe një herë fitues i Kupës së Republikës në futbollin shqiptar të atyre viteve dhe kishte një përvojë të vogël me disa ndeshje në Kupat Ballkanike dhe ato të Kupave të Evropës. Por në kujtesën e skuadrës kuqezi dhe tërë opinionin sportiv shqiptar ishin fiksuar mirë në memorie dy ndeshjet e sezonit kaluar të turit parë të Kupës UEFA Flamurtari –Barcelona. 1-1 dhe 0-0 rezultatet  e regjistruara të dy ndeshjeve që e kanë eliminuar Flamurtarin e Vlorës nga turi dytë. Dhe gazeta më e madhe sportive spanjolle “AS” do shkruante: “Flamurtari ka zhvilluar dy ndeshje të mëdha përballë Barcelonës.” Kaq iu mjaftonte kundërshtarëve për të vlerësuar në maksimum skuadrën vlonjate .Në kampionatin kombëtar të atij sezoni të sapo filluar ne tre javët e para të tij skuadra  Flamurtarit kishte regjistruar humbje në javën e parë 1-0 me Labinotin në Elbasan, fitore 1-0 me 17 Nëntorin në Vlorë dhe barazim 0-0 me Skënderbeun në Korçe. Nga ana tjetër tërë qyteti Vlorës  dhe opinioni sportiv do jetonte me ndeshjen e turit të parë Flamurtari -Partizani i Beogradit. Në një kohë rekord, brenda pesë muajve përfundon ngritja e tribunës qendrore e mbuluar, rikonstruktohen të gjitha ambientet e brendshme të stadiumit, kabinave të shtypit dhe vendosja e orës elektronike. Një rikostruksion që ky stadium nuk e kishte njohur që nga viti 1962. Ish-drejtori i ndërmarrjes së ndërtimit Qeverim Kushta së bashku me inxhinierët Dule Arizi, Llazar Nasto  dhe dy brigada të drejtuara nga Ramadan Qendro e Çuman Shani  i dhuruan Vlorës në prag të këtyre ndeshjeve ndërkombëtare një ambient sportiv  model. Një javë përpara zhvillimit të ndeshjes fillon shpërndarja e biletave të ndeshjes nëpër ish-ndërmarrjet dhe istitucionet. Porosia ishte e qartë: “Të zgjidheshin njerëz të mirë e të kulturuar, sepse ndeshja kishte dhe karakter politik“. Por shumë tifozë do t’i siguronin biletat falë sjelljes së mirë “te prindërve të tyre që duke qenë se nuk e kishin shumë qejf sportin biletat ua jepnin fëmijëve të tyre duke e shoqëruar këtë akt me porosinë: “Kujdes  shumë, duartrokisni vetëm skuadrën tonë!”. Shumë pak bileta dolën në shitje dhe kryesisht ato të tribunave pas portave, por dhe ato  përfunduan brenda pak orëve. Në disa raste qarkullonin bileta me çmime të shtrenjta, dy deri tre fish dhe në tregun e zi. Skuadra stërvitej çdo pasdite dhe qëndronte e grumbulluar tek hoteli i Plazhit të Ri. Stafi i trajnerëve Curi –Elmazi konsultoheshin për çdo gjë me ish-trajnerin e ekipit kombëtar vlonjatin Agron Sulo. Dy ditë përpara ndeshjes stafi trajnerëve dhe kapiteni Kreshnik Çipi do thirreshin ne ish-Komitetin e Partisë së Vlorës për të marrë “porositë për të bërë kujdes”.

Ish-zv. trajneri Skënder Elmazi kujton: “Unë ua  thashë hapur mendimin tim, se me djemtë kam vite që punoj që nga ekipi të rinjve dhe ata e kanë vlerësuar shumë këtë ndeshje. Nuk duhet t’i vendosim nën presion me këto porosi të tepërta. Ata do na nderojnë të gjithëve„. Ekipi i Partizanit të Beogradit mbërriti në Vlorë një ditë përpara zhvillimit të ndeshjes, më  15 shtator 1987 dhe u akomodua ne ish-hotelin “Adriatik” të Vlorës. Masa të mëdha sigurie nga policia dhe shumë civilë të mobilizuar. Në pasditen e asaj dite mbërrin në Vlorë grupi i gjyqtarëve të ndeshjes, vëzhguesi dhe delegati i UEFA-s, të cilët u akomoduan tek ish-kampi i punëtorëve në Ujë- të Ftohtë. Në ora 15.00 të po asaj dite skuadra e Flamurtarit zhvillon stërvitjen e fundit në stadium dhe dy orë pas tyre zbret ne stadium skuadra e Partizanit të Beogradit që zhvillon stërvitje me dyer të mbyllura. Punëtorët e stadiumit u munduan të merrnin diçka  nga “sekretet” e skuadrës beogradase, por përveç asaj qe Vokrri do mbante numrin 9 në fanellë, asgjë më shumë nuk mundën të siguronin. Paraditen e ditës së ndeshjes zbresin në Vlorë grupi i transmetimit ndeshjes nga T.V.Sh me në krye regjisorin e njohur Albert Minga dhe komentatorin Vladimir Grillo. Bashkë me ta dhe gazetarët vlonjate që jetonin në kryeqytet Petraq Shtrepi dhe Arqile Ndini. Radio-Tirana do kishte dhe ajo kabinën e saj të transmetimit të kësaj ndeshjeje. Diku pranë tyre në një kabinë do instalonte pajisjet e transmetimit të ndeshjes edhe komentatori serbo-kroat Marko Markoviç. Grupi gjyqtarëve vëzhguesi dhe delegati pak orë përpara ndeshjes inspektojnë stadiumin, masat e marra për zhvillimin e ndeshjes dhe gjendjen e fushës. Gjithçka ishte ne kushte normale. Qyteti dhe rrethinat e tij që orët e para të mëngjesit  zgjerojnë përmasat e tyre nga prania e tifozëve të shumtë të ardhur nga fshatrat e largëta të Vlorës dhe rrethet e tjera. Shumë punonjës të ish- ndërmarrjeve atë ditë e kishin lënë punën disa orë përpara me synimin për të ndjekur ndeshjen. Të gjithë ata që ishin në punë turnet e dyta në grupe kanë dëgjuar Radio –Tiranën ose janë dyndur në ish-këndet e kuq të ndërmarrjeve për të ndjekur në TV këtë ndeshje. Plot katër orë përpara fillimit të ndeshjes stadiumi Flamurtari është mbushur plot. Nga 8000 vende të stadiumit në shkallët e tij kanë qenë plot 15000 tifozë (janë hedhur në treg shumë bileta pa vende ne tribuna). Atë dite të gjitha rrugët e qytetit drejtoheshin vetëm në pjesën jugore të tij, drejt stadiumin. Himara dhe fshatrat e saj, zona e Labërisë dhe Novoselës kishin grupet e tifozëve të tyre në stadium. Nga te gjitha lagjet e qytetit grupet e tifozëve e përshkonin qytetin me këngën himn “Kur zbret në fushë kuqezi“. Në ora 16.00 skuadrat dalin në fushë për nxehjen përpara ndeshjes. Çdo lëvizje e futbollisteve vlonjatë shoqërohej me entuziazëm nga tifozët. Ora 16.30 nën “stuhinë” e duartrokitjeve frenetike të dyja skuadrat zbresin në fushën e lojës me këto formacione. Flamurtari: Arapi, P. Ruci, Çipi, Taho, Iljadhi, Ferko, Ziaj, Gjondeda, V. Ruci, Kushta, Bubeqi. Trj. L. Çuri

Partizani-Beogradit: Omeroviç, Xhorxheviç, Vermezoviç, Milorad, Bajoviç, Smajiç, Kilncarski, Radonoviç, Katanec, Stefanoviç, Vuçiçeviç, Vokri. Trj :F. Jusuf

Gjyqtarë: R. Biatiman, V. Hani, K. Kravjolini (Zvicër)

Ndeshja ka filluar me presing nga beogradasit, ndërkohë Flamurtari është në minutat e para të studimit të kundërshtarit. Që në fillim u pa qartë se dueli i fortë ishte Taho –Vokri ku çdo dyluftim i fituar nga mbrojtësit vlonjatë që merr duartrokitjen nga tifozët  në stadium. Miqtë rrezikojnë dy herë me anë të Vokrrit e Stefanoviç, por portieri Arapi ka pritur bukur. Mesfusha vlonjate me Ferkon, Ziajin dhe Gjondeden punon fort për topin e parë, ndërkohë që sulmi me Kushtën-Bubeqin dhe V. Rucin vendosin në provë portierin Omeroviç. Në minutën e 20` kapiteni Çipi ka gjuajtur nga distanca, topi mbi traun e portës. Pak më vonë provon Ferko e V. Ruci por pa rezultat. Mbrojtësit anësor P. Ruci dhe Iljadhi bëhen më shumë aktivë nga krahët. Trajneri i Partizanit të Beogradit, Farudin Jusuf, i lindur në Zli –Potok të Dragashit  në Kosovë, shqetësohet se skuadra nuk del në lojën e saj. Vlonjatët ekzekutojnë me Ferkon dy goditje këndi, por Bubeqi nuk del dot fitues me mbrojtësin shtatlartë Vermezoviç. Është minuta e 31` e pjesë së parë dhe kapiteni Çipi ka hedhur sferën përpara për Bubeqin që përfundon me forcën e duhur në këmbët e majtë të mbrojtësit Xhorxheviç që në tentativë për ta larguar shënon një autogol klasik në portën e tij. Kaq ka mjaftuar që  mbi stadium dhe gjithë qytetin të shpërthejë një entuziazëm i jashtëzakonshëm. Flamurtari 1-0 Partizani i Beogradit. Në minutat deri në përfundim të pjesës së parë reagojnë miqtë, por nuk dalin dot nga shoku psikologjik. Me duartrokitje është mbyllur pjesa e parë Pjesa e dytë fillon e shpejtë nga të dyja ekipet. Vlonjatët janë përsëri me vështrimin tek porta kundërshtare. Në minutën e 64` trajneri Çuri freskon mesfushën duke larguar Ziajin për Memushin dhe tre minuta më vonë, në minutën e 67` largon V. Rucin për V. Daullen. Dy ndryshime dhe tek miqtë, ku janë hedhur në fushë në minutën e 65` Klob për Klicarskin dhe minutën e 75` Miodrag Bajoviç për Vuçiçeviç. Loja është bërë më e bukur nga të dyja palët, duke pasur brenda enigmën e skuadrës fituese. Flamurtari në kërkim të golit të dytë, kurse miqtë kërkojnë të barazojnë. Në minutën e 83` , Flamurtari fiton goditjen e pestë nga këndi kundrejt dy të miqve. Tek këndi i majtë ustai i gjuajtjeve këndoren Ferko. Topi harkohet ne zonë. Largon nga zona e tyre Radonoviç ….Por nga distanca prej 30 metra larg portës mbrojtësi Iljadhi lëshon një gjuajtje manual në gjysmë lartësi duke mos i dhënë mundësi portierit Omeroviç të reagojë. Flamurtari 2-0 Partizani i  Beogradit. Entuziazëm dhe vetëm entuziazëm madhështor. Lojtarë të përqafuar në fushë, tifozë që fluturojnë në tribuna. Komentatori serbo -kroat Marko Markoviç ne fjalët e tij dëshpëruese do të shprehej: “Me këtë gol të pësuar shtohen retë e zeza mbi Beograd për ndeshjen e kthimit. Vladimir Grillo që komentonte për R.T.SH në delir e sipër përsërit plot pesë herë emrin e autorit të golit Roladh Iljadhit, kurse komentatori Radio-Tiranës Ismet Bellova do shprehej me togfjalëshin: “Goli i Iljadhit na ka bërë krenarë të gjithëve…. Kjo është simfonia e bukur labe“. Minutat e mbetura nuk prodhojnë asgjë tjetër vetëm konfirmojnë fitoren e Flamurtarit. Një feste e bukur sportive ka dalë në rrugët e sheshet e Vlorës. Futbollistët dhe drejtuesit vlonjatë përshëndeten në hollin e stadiumit me trajnerin dhe skuadrën kundërshtare.

Vijon në numrin e ardhshëm