Flamurtari i vështirë për t’u mundur, Luftëtari me defekte në mbrojtje

509
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Në Gjirokastër nuk ka fitues, vendosin dy golat e shënuar në të dy fragmentet e lojës
Me ndeshjen Luftëtari-Flamurtari 1-1, e cila u luajt dje në Gjirokastër, u mbyllën të gjitha takimet e javës së 13-të të Kategorisë Superiore. Skuadra vlonjate, e dominoi thuajse të gjithë takimin, madje ishte e para që shënoi në minutën e 26-të me Zhufo, ndërkohë që Luftëtari luajti i kujdesshëm në çdo repart, por që në mbrojtje la shumë hapësira. Goli erdhi pas një aksioni nga mesfushori Lejdi Liçaj, i cili pasi e harkoi topi në zonë për Zhufon, i dha mundësinë atij që të finalizojë, duke e kaluar Flamurtarin në avantazh. Por, nëse Abazaj i Luftëtarit do të ishte më i saktë dhe i kujdesshëm në minutat 36 e 41, rezultati do të kishte ndryshuar që në pjesën e parë. Dhe nëse Dejvi Bregu do ta kishte shfrytëzuar gabimin e portierit Nurkoviç të Luftëtarit në minutën e 43-të, ndoshta rrjedha e lojës do të merrte ndryshe në pjesën e dytë. Sepse në këtë pjesë, Luftëtari u hodh në sulm që në fillim, dhe në minutën e 54-të, përsëri Dejvi Bregu gabon në finalizim, ndërsa Lamçe me goditjen e tij në minutën e 63-të humbet rastin ideal për barazim. Flamurtari mund ta mbyllte takimin që në minutën e 67-të, kur topi i Danilo Alveshit që po i drejtohej rrjetës së portës gjirokastrite, largohet nga mbrojtësi Stivi Janku. Edhe minuta e 72-të ishte e tillë për Flamurtarin, por Huseini u tregua i pasaktë, duke e kaluar topin ngjitur me trekëndëshin e djathtë të portierit të Luftëtarit. Këtë presion të Flamurtarit, Luftëtari e theu me golin e shënuar nga Dejvi Bregu në minutën e 80-të, njëherësh edhe duke e hapur rezultatin për të dyja skuadrat. Në 10 minutat e mbetura, dhe 3 të tjera shtesë të arbitrit Kridens Meta, asgjë e rrezikshme për rezultatin nuk u prodhua, dhe në përfundim, të dy trajnerët dukeshin të pajtuar me barazimin, por Flamurtari tregoi se është vështirë të mposhtet në këtë kampionat. Me mbylljen e kësaj ndeshjeje, renditja e skuadrave në tabelën e klasifikimit ka marrë një formë të re. Skënderbeu vazhdon shkëputjen në vendin e parë me 31 pikë, por që këtë herë ndiqet nga Kamza e vendit të dytë me 23 pikë. Kukësi dhe Flamurtari ndjekin me vendet 3 dhe 4 me nga 22 pikë, e më pas vijnë Laçi e Partizani, me nga 18 pikë secili. Fundi i tabelës së renditjes në këtë javë të 13-të mbyllet me Vllazninë në vendin e 8-të me 12 pikë, Luftëtari në vendin e 9-të me 10 pikë, ndërkohë që Lushnja mbetet e palëvizshme në vendin e fundit, në të 10-in me vetëm 5 pikë. Ndeshjet e javës së 14-të do të luhen të shtunën dhe të dielën.
Me mbylljen e ndeshjes Luftëtari-Flamurtari 1-1, renditja e skuadrave ka marrë një formë të re. Skënderbeu vazhdon shkëputjen në vendin e parë me 31 pikë, por që këtë herë ndiqet nga Kamza e vendit të dytë me 23 pikë
E hënë 4 dhjetor 2017, ora 13:00 në stadiumin e Gjirokastrës
Luftëtari-Flamurtari 1-1
Bregu 80’/ Zhufo 26’
Luftëtari: Ruçi, Toledo, (Janku 60’), Beqiri, Zeqaj, Rapa, Ramadani, Aleksi, Rroca, (Rapo 46’), Bregu, Abazaj, Lamçja (Përgjini 75’) Trajner: Hasan Lika
Flamurtari: Nurkoviç, Liçaj, (Hoxhaj 56’), Bicaj, Jakovljeviç, Musta, Pollozhani, Sidibe, Useini, Zhufo (Hyseni 88’), Alvesh, (Kamara 83’), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtar: Kridens Meta
KV: Aleksi, Rapa, / Zhufo, Sidibe, Jakovljeviç, Useini, Bicaj
MINUTAT E GOLAVE
26’ GOL 0-1 Flamurtari kalon në avantazh. Aksioni rrjedh nga Lejdi Liçaj, i cili harkon një top nga e djathta për Zhufon, ky vetëm brenda zonës, e dërgon topin në rrjetë. 
80’ GOL 1-1 Luftëtari barazon rezultatin me Dejvi Bregun. Vlonjati merr një top të saktë nga Rapo, dhe i vetë brenda zonës nuk ka falur, duke e përcjell topin në rrjetën e Nurkoviç.
Sigal