Flamurtari, gol nga dhomat e zhveshjes

545
Sigal

 Spanjolli Rubio regjistron fitoren e parë me vlonjatët. Në Berat luhet pa shikues

Trajneri spanjoll Hulian Rubio mori fitoren e parë në bankinë e Flamurtarit, teksa vlonjatët mposhtën 2-0 Tomorin në Berat, me vendasit që e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë, në një ndeshje që u luajt me “dyer të mbyllura”. Pas tri ndeshjeve të para, beratasit janë i vetmi i ekip në Superligë që nuk mundur të marrë asnjë pikë, duke pësuar tri humbje. Tri javë më parë, Flamurtari vizitoi Beratin, në atë barazim 1-1 me Bylisin, që provokoi dhe shkarkimin e ish-trajnerit Shkëlqim Muça, ndërkohë që në sfidën kundër Tomorit, tashmë në regjinë e plotë të Rubios doli fitues ndaj vendasve. Flamurtari e nisi me gol takimin, kur sulmuesi lushnjar Brunild Pepa shënoi në minutën e dytë në portën e Ervin Llanit, pas një veprimi të bukur individual. Trajneri Hulian Rubio, tekniku i katërt i huaj që drejton Flamurtarin, pas rumunit Boljanovski, bullgarit Arabov dhe kroatit Kovaçiç, u ndje i çliruar me golin e shpejtë, duke e orientuar skuadrën e tij të mos lëshojë terren dhe të ushtrojë presing për çdo top nda Tomori. Me një stil “tiki-taka”, Flamurtari u zhvendos në gjysmëfushën e beratasve, të cilët vuajnë piskologjikisht nga pësimi i golit. Kuqezinjtë e Vlorës arrijnë të amortizojnë me një qartësi taktike dhe qetësi të admirueshme në veprimet me topin reagimin e beratasve. Të gjithë topat e miqve adresohen për te Memelli, në majën e sulmit të Flamurtarit, i rikthyer pas dëmtimit, ndërkohë që mjaft i lëvizshëm e shqetësues për prapavijën beratase është edhe i riu Pepa. Kërkon ta tërheqë përpara skuadrën e vet Frashëri, korçari i Tomorit, por ndesh në barrikadën e kapitenit vlonjat, Franc Veliu, që e markon nga afër. Hodo dhe Jusufi në mesfushë arrijnë të jenë në kontakt të shpeshtë me topin, por u mungon vizioni i nevojshëm për ta orientuar lojën në krahët e mesfushës dhe për t’i dhënë frymëmarrje skuadrës së tyre. Reagimi i vendësve, edhe pse i sforcuar e pa shumë mendim. Kuqezinjtë aplikojnë tashmë kundërsulmin, teksa pasimi i gjatë ka një adresim, Migen Memellin. Goditjet radhazi nga këndi dëshmojnë qartë këmbënguljen e miqve, që nuk mjaftohen me golin e Pepës. Në të 33’, sulmuesi i beratasve, Vangjel Mile, lëshoi një gjuajtje të bukur nga distanca, duke vënë në provë portierin mik, Xhelilaj, që pret në pozicion. Nuk vonon kundërpërgjigja e Flamurtarit, që në minutën e 38-të, pas një goditjeje këndi nga e djathta e sulmit vlonjat, mund ta dyfishonte rezultatin. Memelli ngrihet me kokë në zonën e vogël të Llanit, godet bukur, por rrjeta e Tomorit shpëton për mrekulli nga pësimi i golit të dytë. Me fat vendësit në këtë rast, por nuk i shpëtojnë dot ndëshkimit dy minuta më vonë. Një dalje e shpejtë në sulm e Memellit, që përparon disa metra, finalizohet nga Lena. Pasi ka marrë një asist diagonal prej Memellit, shqiptaro-maqedonasi, me mjaft qetësi, godet tokazi, duke e kaluar topin poshtë krahëve të Llanit, që s’ka çfarë të bëjë, me mbrojtjen e tij të vendosur gabim si në rastin e golit të Pepës. Flamurtari e vë në shina të sigurta suksesin në këtë transfertë, ndërkohë që duket qartë imuplsi tjetër, si psikologjik, ashtu edhe taktik, që i ka dhënë spanjolli formacionit bregdetar. Shtatë goditje këndi kundrejt një të tille për beratasit, pa llogaritur këtu epërsinë e dy golave, flasin qartë për zotërim gati absolut të lojës që kanë vlonjatët në fushën e blertë. Pjesa e dytë nis me një gol tjetër të Lenës, pas pasimit që merr nga Memelli, por gjithçka është e pavlefshme, sepse anësori ka ngritur më herët flamurin, duke sinjalizuar pozicion jashtë loje. Çuditërisht, kur duhej të reagonte Tomori, në kërkim të shkurtimit të disavantazhit, edhe pjesa e dytë është nënë komandën e vlonjatëve. Nuk kanë të ngopur me gola miqtë, që vijojnë të derdhen me aksione të bukura në drejtim të gjysmëfushës dhe portës së Tomorit. Memelli, pas gabimit të Llanit në zotërimin e topit, ka një mundësi shumë optimale për ta trefishuar rezultatin, në minutën e 56-të, por goditja e tij kalon mbi traun e portës vendëse. Ka një tjetër “pengesë” që do t’i dalë përpara skuadrës vendëse, sepse nga minuta e 70-të detyrohet të luajë me një lojtar më pak. Rigers Hysko i ndërhyn në mënyrë të parregullt Bratiçit të Flamurtarit, duke e penguar këtë të fundit në marshimin që kishte nisur drejt portës së Llanit. Kryesori Hoxha nuk heziton, e ndëshkon me të kuqe mbrojtësin beratas, si lojtar i fundit. Minutat e mbetura folën tërësisht për Flamurtarin. Për vlonjatët, të cilët humbën në shtëpi me Laçin (0-1), dhe më pas humbën 2-1 në miqësoren e luksit ndaj spanjolleve të Seviljes, kjo fitore ishte më shumë vlerë për moralin e tyre, përpara se të përballen me Shkumbinin në javën e 4-t.

 KATEGORIA SUPERIORE

JAVA III

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA III

Të premten, 14.09.2012

Teuta-Tirana         1-1

Të shtunën, 15.09.2012

Apolonia-Kukësi            0-0

Bylis-Skënderbeu           1-1

Dje, 16.09.2012

Tomori-Flamurtari    0-1

Shkumbini-Besa       1-0

Vllaznia-Luftëtari   3-0

Sot, 17.09.2012

Laçi-Kastrioti       14:00

RENDITJA

 1    Skënderbeu      3    +4   7

2    Tirana          3    +4   7

3    Besa            3    +2   4

4    Vllaznia        3    +1   4

5    Kastrioti       2    +1   4

6    Flamurtari      3    +1   4

7    Laçi            2    +1   4

8    Luftëtari       3    +0   4

9    Teuta           3    -2   4

10   Kukësi          3    +0   3

11   Shkumbini       3    -3   3

12   Bylis           3    -1   2

13   Apolonia        3    -2   2

14   Tomori          3    -6   0

VLLAZNIA-LUFTETARI 3-0

 Shkodranët shkatërrojnë Luftëtarin,

Smajlaj shpëton Duron nga shkarkimi

 Dy gola nga mbrojtësi i fuqishëm, Dritan Smajlaj, i dhanë fund startit zhgënjyes të Vllaznisë, dhe pse golat nuk u shijuan nga tifozët në shkallët e stadiumit. Shkodranët fituan 3-0 me Luftëtarin, me gjirokastritët që mbërritën në “Loro Boriçi” pas fitores së bujshme 4-1 me Teutën. Pas humbjes 3-1 me Skënderbeun në Shkodër dhe barazimin pa gola në Kukës, trajneri Shpëtim Duro ia doli t’u injektojë frymëzimin munguar lojtarëve tij.

Kuqeblutë shënuan shumë shpejt, qysh në minutën e 8-të, kur mbrojtësi lezhjan, Dritan Smajlaj, paralajmëroi me golin e tij furtunën e Vllaznisë. Shkodranët ekzekutuan një goditje dënimi me anë të malazezit Ivan Deliç, portieri kundërshtar, Selimaj, doli në mënyrë të gabuar, dhe Smajlaj nuk fali me atë goditje të bukur fluturimthi nga një distancë rreth 12 metra. Në minutën e 30-të, mesfushori rumun Kristian Dragoi dyfishoi shifrat për 9  herë kampionët e Shqipërisë, me një aksion thuajse personal. Ish-lojtari i Kastriotit ishte ndër më të mirët në fushë. Një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë, Luftëtari mbeti me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të Behar Ramadanit. Me një futbollist më pak dhe në një ditë jo të mirë, trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, u përpoq të orientojë skuadrën më shumë nga sulmi. Pikërisht, në minutën e 61-të bluzinjtë nga Gjirokastra patën rastin më të mirë me anë të Milan Nikoliçit, por sulmuesi serb nuk arriti të mposhtë portierin malazez të Vllaznisë, Miroslav Vujadinoviçin. Gjithsesi, Vllaznia rimori ofensivën kur mesfushori malazez Ivan Deliç u pengua në minutën e 67-të nga portieri i Luftëtarit, Erind Selimaj. Dritan Smajlaj u tregua i pagabueshëm nga pika e bardhë, duke shënuar golin e tretë të Vllaznisë në këtë takim dhe të tretin personal në tri ndeshjet e para, përfshirë dhe golin e realizuar ndaj Skënderbeut në ndeshjen hapëse të Superligës. Pas tri ndeshjeve të para, Vllaznia dhe Luftëtari kanë nga katër pikë, tri më pak se dy bashkëkryesuesit, Skënderbeu dhe Tirana, që të dyja nga shtatë.

Në javën e 4-t, Vllaznia do të presë Apoloninë, ndërsa Luftëtari do të luajë kundër Tiranës, në një ndeshje pa shikues.

 Sot, Laçi-Kastrioti

 Java e tretë e Kategorisë Superiore do të mbyllet sot me “derbin” mes Laçit dhe Kastriotit, takim që do të luhet në fushën asnjanëse të Kavajës. Të dyja skuadrat kanë nga 4 pikë në klasifikim, falë një fitoreje dhe një barazimi në dy javët e para të garës. Në javën e dytë, të besuarit e Stavri Nicës bënë surprizën më të madhe në sfidën pararendëse, teksa shokuan brenda në Vlorë, Flamurtarin, duke e mundur atë 1-0. Kastrioti fitoi 2-1 me Bylisin.

 DUKURIA

Tri ndeshje pa shikues

 Të tria ndeshjet e së dielës, të inkuadruar në javën e tretë të Superiores, u luajtën pa shikues, duke qenë një rast i pazakontë në historinë e Superligës. Në Berat u përballën Tomori dhe Flamurtari; në Peqin u zhvillua Shkumbini-Besa dhe në Shkodër, Vllaznia-Luftëtari. Takimeve u mungoi atmosfera që krijojnë tifozët.

 SHKUMBINI-BESA 1-0

 Magani i dhuron fitoren Maganit:“Ky gol është për ty baba!”

 Endrian Magani i dhuroi fitoren e parë sezonale Shkumbinit, në suksesin 1-0 ndaj Besës së Kavajës, të luajtur pa shikues në fushën e Peqinit. Një trepikësh lehtësues për trajnerin Gugash Magani, kundër skuadrës që sezonin e kaluar arriti ta ringjisë në Kategorinë Superiore. Edhe pse pa “lojtarin e 12-të”, Shkumbini i imponua ndaj Besës, duke bërë autokritikën më të mirë ndaj humbjes 3-0 me Tiranën në javën e dytë. Magani dhe Ramazani lëvizin shumë në mesfushën vendëse, duke asistuar në disa raste sulmuesin kryesor të tyre, Dervishin, të cilin e nxjerrin në pozicion ideal për konkludim në minutën e 26-të. Në këtë moment Dervishi infiltron bukur, përmes një veprimi individual, i vidhet mbrojtjes verdhezi, por vonon në goditje, duke humbur një mundësi shumë të mirë shënimi. Devolli dhe Pashja, megjithatë, krijojnë garanci në mbrojtjen peqinase, duke ia lehtësuar punën portierit Kotorri. Në minutën e 43-të, Devolli godet bukur mbi vijën e 16-metrave të verdhezinjve, por portieri mik, Alban Hoxha, pret në pozicion. Fraksioni i dytë i ndeshjes ka një moment të dyshimtë në fillimin e tij. Pikërisht në minutën e 52-të, lushnjari Sefa ka ndërmarrë një aksion personal, futet në zonën peqinase, aty ku pëson ndërhyrjen e një mbrojtësi bardhekaltër. Nga pamjet televizive duket se sulmuesi i Besës është penguar dhe duhej akorduar penallti, por nuk është i këtij mendimi kryesori Cjapi, që bën shenjë për vazhdimin e lojës, edhe pse verdhezinjtë protestojnë. Katër minuta më vonë vjen edhe goli i parë i kësaj sfide. Do të ishte i biri i trajnerit Magani, Endri, që vepron mjaft bukur në zonën kavajase, godet fort tokazi, duke mposhtur Hoxhën.