FK Tirana, shtylla vertebrore e futbollit shqiptar, fatin e ka në dorë të saj!

1060
Nga Xhevdet ZEKAJ
KOMENT/ Një dukuri që e ka “vrarë” elitën e futbollit shqiptar, sot “troket” në portën e Superiores, më fort se asnjëherë
Nuk besoj se ka njeri që nuk ndien mungesën pa kufi të FK Tiranës në Superiore, jo vetëm për faktin se është historia dhe kampionia reale e futbollit shqiptar, jo për mungesën e ‘derbit’ , sepse atë jemi mësuar që nga largimi i Dinamos, por trofetë e pafund që ka seleksionuar dhe mban në muzeun e artë të saj.

Tirana, nuk duhet të jetë në Kategorinë e Parë, sepse është shtylla vertebrore e futbollit shqiptar, pa skuadrën bardheblu Superliga Shqiptare është si gjella pa kripë, është si ëmbëlsira pa sheqer, është si një trup i gjymtuar pa duar e këmbë, sepse i humbet cilësia, i humbet tifozi i zjarrtë, humbet bukuria e garës në fushë dhe në shkallë të stadiumit.

Pak, rëndësi ka se si përfundoi Tirana në Kategori të Parë, përtej faktorëve të jashtëm që ndikuan, një pjesë të fajit e ka edhe bashkia, klubi, skuadra, lojtarët, presidenca, bordi, veteranët, fansat, media dhe shumë të tjerë.

Natyrisht edhe përse ra, dhe kur themi ra për faktorë të jashtëm e të brendshëm, kujtojmë që për më shumë tre vite Tirana mora një penallti të vetme në favor të saj, dhe me radhë, gjithë struktura vertikale e drejtimit kishte dhe ka përgjegjësi. Pastaj vinë dhe gjithë strukturat organizative e funksionale të Tiranës së madhe që përfundon me përgjegjësinë individuale të çdo lojtari e stafit teknik. I theksojmë këto fakte, për të aktualizuar problemin e Tiranës qartë, për ta ndihmuar e për ty kthyer atje ku e meriton. Ka filluar faza e tretë e Kategorisë së Parë, Grupi A dhe Grupi B (Play-off dhe Play-out). Pretendentë në grupin e Tiranës është dhe “Bylys”, një skuadër e mësuar tashmë prej vitesh, me rënie të shpeshtë në Kategori të Parë, dhe ri-ngritjen në Superioren.

Kur themi, FK Tirana e ka vet fatin e saj në dorë, kemi parasysh se si rrodhën gjërat deri këtu, nëse në fazën e parë Tirana e madhe, e super lojtarëve, super të paguar, nëse do të kishte fituar ndeshjen me Bylysin në “Selman Stërmasi”, këto probleme nuk do të ekzistonin. Por, ja që fituan ballshiotët dhe nga ai moment, psikologjikisht dhe me rezultate teknike, jo vetëm që i bënë ballshiotët të besonin, por edhe të luanin me shumë kujdes çdo takim, për të qenë pretendentë serioz.

Pra, thjesht FK Tirana gaboi në ndeshjen e vitit! Në të vetmen ndeshje ku luhej gjithë objektivi i saj.

FK Tirana humbi një ndeshje brenda, e cila e futi në këtë problematikë! Ajo ndeshje është burimi i këtij shqetësimi të sotëm, kur aludohet apo mund të rrezikohet edhe për një vit mungesa e FK Tiranës në Kategorinë Superiore. E rëndë! Për mendim tim, një vrasje e futbollit të vlerave. Dhe nuk besoj se do të ndodhë më gjatë.

Sepse ajo humbje ndodhi në atë moment, kur bardheblutë ishin pa thelbin e tyre, zemrën e tyre, “thembrën e Akilit”, atë grupim fantastik ultras të Fanatiksave, që janë gati të ndezin flakë çdo stadium të Shqipërisë për “Tironën” e tyre. Janë gati të martirizohen për ‘Tironën’ e tyre, por ja që munguan, ja që u bënë faktor i asaj humbjeje. Tirana është klub i përjetshëm, ndërsa presidentët, trajnerët, lojtarët, gazetarët e fansat, ikin një ditë, ata venë e vinë por jo FK TIRANA! 

Çfarë ndodhi dhe çfarë pritet të ndodhë? Ajo humbje ka ndërlikuar krejt opinionin futbolldashës dhe në veçanti fansat e “Tironës”, por dhe ata që janë për futbollin fair play. Nëse të gjithë duam që FK Tirana të jetë në Kategorinë Superiore, por kjo nuk do të thotë kurrë se si, që FK Bylysi nuk ka të drejtë të mos besojë, shpresojë, luftojë a luajtur për të realizuar këtë objektiv, do të thotë të jemi pranë saj. 

Bylys madje vjen e thotë: Në ndeshjet direkte jemi superiorë! Përse të dorëzohemi? Përse nuk e meritojmë? Përse nuk duhet të jemi? Nuk vendosni ju, por futbolli në fushë! Pra, Tirana është 2 pikë përpara, një klasifikim që i jep sigurinë dhe e obligon, apo për këtë bardheblutë duhet të bëjnë detyrën e tyre të fitojnë çdo ndeshje, por të gjitha këto janë pa vlerë, nëse larg qoftë, rifiton FK Bylys në “Selman Stërmasi”, si të thuash është kjo ndeshje që përcakton shumë.

Personalisht, jam dhe ndihem keq pa këtë Tiranë në Superligë, por mendoj se edhe FSHF-ja, edhe gjyqtarët, edhe stafet, edhe mediat e dinë dhe duan që FK Tirana të jetë aty ku ka vendin për një arsye madhore:

-Është skuadra që i jep vlerë reale produktit të futbollit! Pa atë, të gjithë humbasin! Është skuadra që sjell të ardhura dhe cilësi në produktin e futbollit.

Nuk, besoj të ketë personazhe pranë FSHF-së që të mos i mungojë kjo Tiranë në Kategorinë Superiore, por këtë e do edhe Skënderbeu, Partizani, Kukësi, Flamurtari, Vllaznia e gjithë skuadrat, sepse ndeshja me atë skuadër është test se sa vlen, është skuadër për t’u mundur, por është edhe vlerë monetare, sepse stadiumet mbushen plot.

FK Tirana e ka vet fatin e saj në dorë, por edhe cilido aktor futbolli duhet të mendojë dhe respektojë e kontribuojë për rikthimin e Tiranës, por në respekt maksimal, edhe për ballshiotët. 

Shpresoj që të vazhdojnë negociatat e Halilit me Fanatiksat, që të mbushet stadiumi, që ne të kemi përsëri atë gjallëri dhe bukuri në stadium, që edhe “Ultrasguerrilsat”, “Ujqërit e Dëborës”, “Armata e Veriut”, “Mërgata”, “Flota kuqezi”, “Djemtë e Detit” etj, etj, të bëjnë lojën e tyre e prodhojnë atë spektakël fantastik në shkallët e stadiumit. FK Tirana e ka vet fatin e saj në dorë, dhe për këtë duhet të fitojë në Tiranë me Bylysin!

FK Tirana e ka vet fatin e saj në dorë, dhe besoj se kjo do të ndodhë, ajo do bashkohet dhe do jetë në Kategorinë Superiore, në ballë të saj, aty ku e meriton!

Dhe shpresoj që gjithë tymnajat, apo ata që mendojnë se kjo skuadër edhe mund të mos jetë në Superiore, shumë shpejt do të shuhen, por kujdes, FK Bylys është aty dhe nuk është i pa mundur, kot apo pa vlerë!

Tirana-Bylys, derbi i Kategorisë së Parë, le të fitojë më i miri!

KATEGORIA E PARË 
Apolonia e ka harruar Bylisin, 
Në këtë javë të 20-të të Kategorisë së Parë, Apolonia është pushim, sipas kalendarit, por te fierakët ende nuk ka dalë “inati” i barazimit në ndeshjen e javës së 19-të ndaj Bylisit të vendit të dytë. Dje për gazetën “Telegraf”, trajneri Ndriçim Kashami, deklaroi për gazetën “Telegraf” se te humbja kishte ndikim nga arbitri. “Nuk arritëm fitoren me Bylisin, për shkak të një penalltie absurde e të pa qenë, që akordoi gjyqtari Hoxha në favor të Bylisit, vetëm 4 minuta para përfundimit të ndeshjes. Pavarësisht humbjes, skuadra luajti të barabartë me kundërshtarin”, kështu theksoi dje trajneri Kashami, i cili tashmë mendon për ndeshjet e radhës. “Tashmë na duhet që ta harrojmë atë ndeshje dhe atë humbje të pësuar, dhe tashmë i jemi rikthyer realitetit me këmbë në tokë. Jemi duke u përgatitur për sfidën e radhës që do ta luajmë në transfertë, sepse kemi një nga ndeshjet më të vështira. Më 24 mars ndeshemi me Tiranën në “Selman Stërmasi”, dhe nuk do të lëshojmë në lojën tonë. Nuk e fsheh synimin tonë të them se, në Tiranë ne do të shkojmë për rezultat pozitiv”. Ndërkohë, sot luhen të gjitha ndeshjet e javës së 20-të të Kategorisë së Parë, ku për shkak të formulës së pikëzimit dhe të renditjes aktuale, të gjitha kanë vështirësinë e tyre, pse jo, edhe bukurinë për tu parë.

GRUPI A
Grupi A/ Paly-off
Ndeshjet-Java e 20-të
Datë 17 mars 2018
Kastrioti-Dinamo 14:00
Egnatia-Besëlidhja 14:00
Erzeni pushim

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Kastrioti 19 23
2. Erzeni 19 16 
3. Egnatia 19 15 
4. Besëlidhja 19 13 
5. Dinamo 18 12 

Grupi A/ Play-out
Ndeshjet-Java e 20-të 
Datë 17 mars 2018
Besa-Burreli 14:00
Korabi-Vllaznia B 14:00
Tërbuni pushim

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Besa 19 14
2. Burreli 19 13 
3. Korabi 19 12 
4. Vllaznia B 18 10 
5. Tërbuni 19 10 

Grupi B/ Paly-off
Ndeshjet-Java e 20-të
Datë 17 mars 2018
Bylis-Pogradeci 14:00
Tirana-Tomori 14:00
Apolonia pushim

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Tirana 19 26
2. Bylis 19 24 
3. Apolonia 19 16 
4. Pogradeci 19 14 
5. Tomori 18 13 

Grupi B/ Play-out
Ndeshjet-Java e 20-të
Datë 17 mars 2018
Shënkolli-Shkumbini 14:00
Iliria-Naftëtari 14:00
Turbina pushim

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Shënkolli 19 15
2. Iliria 19 13 
3. Shkumbini 19 11 
4. Turbina 19 8 
5. Naftëtari 18 4 
Sigal