Fjalët e Gonzalo Higuain “Dybala ngjan shumë me Messin”

490
Sigal

“Dybala ngjan shumë me Messin”, këto janë fjalët e
Gonzalo Higuain. Në një intervistë me David Trezeguet, “El Pipita” krahasoi
shokun e skuadrës me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

“Ata janë të njëjtë. Messi e dëshmon çdo ditë që është më i miri. Paulo është
ende i ri, 23-vjeç dhe e gjitha varet nga ai. Ai ka të gjitha karakteristikat
për t’u bërë kampion, por duhet të jetë i fortë mendërisht. Kur ju arrini në
nivele të larta shumë shpejtë nuk është e lehtë të qëndrosh aty për shumë vite.
Do të ketë ulje dhe ngritje, duhet të mbani ekuilibrin dhe të mos dëgjoni shumë
kritikat dhe lëvdatat”, tha Higuain.

Sulmuesi argjentinas mendon se Championsi nuk është një mision i pamundur për
Juven, por thotë se dëshiron edhe titullin. “Champions? Kemi një ndjenjë që
mund t’ia dalim. Por erdha këtu për titullin e gjashtë radhazi sepse njerëzit
gjithmonë mbajnë mend trofeun e fundit. Kush e fitoi të parin do të mbetet i
rëndësishëm, por më i rëndësishëm se i pari do të jetë ai që të dhuron të
gjashtin”, tha “El Pipita”.

Higuain është pyetur edhe për sulmuesin që pëlqen më shumë dhe ai ka zgjedhur
uruguaianin Luis Suarez, pa harruar Lewandowskin e Bayern dhe Agueron e
Manchester City.

Titulli i parë kampion për të si lojtar i Real Madrid nën drejtimin e Capello
është më i bukuri për argjentinasin. “Mbërrita në janar dhe ishim 14 pikë
mbrapa Barcelonës. Nuk po luanim mirë por arritëm të marrim veten dhe në fund u
shpallëm kampionë”, tha Higuain.