Fitore identike për Skënderbeun dhe Partizanin, Laçi i rikthehet 3-pikëshit

435
Sigal

Java e 11-të e superligës u mbyll me 3 sfidat e ditës së shtunë, dy kryesuesit arritën fitore minimale 1-0 përballë Kastriotit dhe Kamzës respektivisht, kurbinasit, me trajner të ri, mundën Luftëtarin 2-1, në transfertë

Skuadra e Partizanit është rikthyer te suksesi, përmes fitores së shënuar mbrëmjen e të shtunës në përballjen ndaj Kamzës, në shifrat 1-0. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Telushi në të 47’, në një ndeshje të dominuar nga Partizani, të paktën për nga rastet flagrante për gol, në dispozicion të të kuqve. Këta të fundit në “Selman Stërmasi” u detyruan të mundin, jo vetëm kundërshtarin e ngjeshur në mbrojtje, por edhe fatin, që i ka ndalur të paktën në dy raste, nëpërmjet shtyllave, sikurse dhe arbitri me anulimin e golit të Bardhit, për pozicion jashtë loje. Në pjesën e parë, nuk munguan rastet për të dyja skuadrat, por dy herë të kuqtë u ndalën në shtyllë, me Malën dhe Ibrahimin, ndërsa rastin më të mirë e kishte Roloviç tek miqtë, por Hoxha bllokoi gjithçka. Në të dytën, që në fillim, ishte Telushi që shfrytëzoi mjaft mirë një goditje këndi, dhe gjeti golin e vetëm të sfidës në minutën e 47-të. Në pjesën e mbetur të takimit, ekipi i Gegës u tregua cinik, dhe mbrojti mjaft mirë rezultatin. Edhe Frashëri kërcënoi “demat”, por goditja e tij e fuqishme u përplas vetëm në shtyllë. Në fund, Partizani kthen faqen pas asaj humbjeje me Skënderbeun javën e kaluar, dhe ngjitet në kuotën 25 pikëve, ndërsa Kamza mbetet e 9-a në klasifikim, me vetëm 8 pikë.

Partizani-Kamza       1-0

Golat: Telushi 47’

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Kote, Asani, Mala, Çinari, Bardhi/ Trajner: Skënder Gega

Kamza: Avdyli, Frashëri, Beqiri, Orelesi, Idrizaj, Malaj, Mumajesi, Mehmeti, Fukui, Zisi, Roloviç/ Trajner: Klodian Duro

Skënderbeu-Kastrioti

Një gol i shënuar nga Gjergji Muzaka në minutën e 29’ i ka mjaftuar Skënderbeut për të marrë një fitore të çmuar 1-0 ndaj Kastriotit luftarak. Një fitore e vuajtur për skuadrën korçare që hasi vështirësinë e sulmeve të vazhdueshme të krutanët të cilët nuk u dorëzuan për asnjë moment. Paraqitje dinjitoze për skuadrën e Stavri Nicës përballë kryesuesve të kampionatit. Pavarësisht pozicionit në renditje, skuadra krutane luajti si e barabartë me Skënderbeun. Përballja u vendos në minutën e 29’, kur Bregu dha një pasim mjaft të bukur për Abazin, i cili krosoi në zonë dhe aty me kokë Gjergji Muzaka goditi bukur duke e çuar topin në rrjetë. Deri në fund të takimit, bardhekuqtë mbrojtën mirë dhe menaxhuan rezultatin, duke marrë 3 pikë me vlerë që i mbajnë ata në vend të parë pas 11 javësh të luajtura në Kategorinë Superiore.

Skënderbeu-Kastrioti           1-0

Golat: Muzaka 29’

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Dita, Guexh, Muzaka, Gripshi, Bregu, Krasniqi/ Trajner: Orges Shehi

Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Domgjoni, Stijepoviç, Shehu, Ymeraj, Okebugu, Bardhi, Marku, Atsina/Trajner: Stavri Nica

Luftëtari-Laçi

Pas 2 humbjesh radhazi, Laçi u rikthye te fitorja në kampionat pasi mposhti 1-0 Luftëtarin brenda në Gjirokastër. Vendosi goli me gju i Ndriçim Shtubinës në minutën e 79-të, me Migen Memellin që e nisi me fitore aventurën e tij si trajner i parë te kurbinasit. Largimi i trajnerit Mërgjyshi në mënyrë të papritur nuk ndikoi aspak te Laçi që luajti më mirë dhe e meritoi fitoren në Gjirokastër. Përballja ndaj ish-skuadrës së tij nuk rezultoi ashtu siç do të dëshironte Gentian Mezani me Luftëtarin që humbi një shans të shkëlqyer për t’iu larguar disi zonës së ftohtë të klasifikimit. Bluzinjtë e kanë të pamundur të regjistrojnë dy fitore radhazi në këtë sezon dhe kjo u pa qartë edhe në këtë sfidë. Pjesa e parë foli më shumë për miqtë me Laçin që gjeti golin me Gjonin në minutat e fundit por gjyqtari Shahini e anuloi për një faull ndaj mbrojtësit Oltion Rapa. Në pjesën e dytë loja u balancua disi me Luftëtarin që ishte më kërkues, por gaboi përpara porte, deri sa erdhi goli i Shtubinës që vendosi fatet e kësaj sfide dhe që e ngjiti Laçin në kuotën e 19 pikëve në vendin e 3-të të renditjes së bashku me Kukësin.

RENDITJA SUPERLIGA

Skuadrat          Nd       P

  1. Skënderbeu 11 26
  2. Partizani 11 25
  3. Kukësi 11 19
  4. Laçi 11 19
  5. Flamurtari 11 18
  6. Teuta 11 18
  7. Tirana 11 9
  8. Luftëtari 11 9
  9. Kamza 11 8
  10. Kastrioti 11 4

Ndeshjet, Java e 10

E premte, 2 nëntor

Kukësi-Flamurtari       1-2

Teuta-Tirana                2-1

E shtunë, 3 nëntor

Luftëtari-Laçi              1-2

Partizani-Kamza          1-0

Skënderbeu-Kastrioti  1-0