Fitore e madhe e Skënderbeut, tashmë +11 pikë ndaj Flamurtarit

157
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Mbyllet kryesfida e javës së 19-të, korçarët tashmë e shohin më pranë trofeun e Kampionatit
E premte 9 shkurt 2018, ora 18:00 në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë
SKËNDERBEU-FLAMURTARI 1-0
Shënues: Muzaka 84’
SKËNDERBEU: Shehi; Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici; Osmani (Dita 87’), Lilaj, Muzaka; Gavazaj (Vila 90+4’), Xhejms Adeniji, Soue. Trajner Ilir Daja
FLAMURTARI: Nurkoviç; Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Musta; Useini, Zuka; Nedjelkoviç (Tounkara 67’), Muarem (Hoxhaj 76’); Alvesh; Bushiç. Trajner Shpëtim Duro
Arbitra: Andi Koçi, Egin Doda, Ermal Barushi, Fatmir Lamaj/ Arbitra linje: Olsid Ferataj, Klodian Shahini
Kartonët: KV Lilaj, Mici, Vangjeli, Muzaka/ Tounkara 
Banderola dhe sharje nga tifozeritë
Stadiumi Skënderbeu ka qenë i mbushur si asnjëherë këtë kampionat në ndeshjen e djeshme Skënderbeu-Flamurtari 1-0. Pas disa sharjeve e fyerjeve të të dyja tifozerive, arbitri e ka ndalur një herë takimin në pjesën e parë, duke i kërkuar kapitenit Orges Shehi të qetësojë tifozerinë korçare. Por, në stadium është shfaqur edhe një banderolë e madhe e tifozerisë vendase, me mbishkrime fyese për vlonjatët. “Vazhdon ëndrra te krevati, Barcelona Beogradi, Evropën nuk shikoni, kampionatin ta harroni”. Edhe në këtë rast loja u ndërpre për disa momente.
MINUTA TË VEÇANTA
1’-5’ Kanë qenë minuta të luftuara nga të dyja skuadrat, por në minutën e 5-të, një kundërsulm i shpejtë për Skënderbeun me anët të Xhejms, sjell vëmendjen e portierit Nurkoviç, i cili e fiton duelin me të.

10’ Rasti i dytë për Skënderbeun që të shënonte golin e parë, por Soue vonohet dhe humbet shansin për shënim.

16’ Rasti i mirë për Flamurtarin, në minutën e 16-të Muarem jep një pas të saktë për Bushiç, por ai nuk ka arritur të kontrollojë dot topin, duke humbur një mundësi të mirë për të shënuar.

31’ Flamurtari ishte pranë golit me brazilianin Alvesh. Sulmuesi nuk mundi të koordinohet mirë në kapjen e topit brenda zonës së Skënderbeut.

36’ Mundësi për Skënderbeun, ka qenë mbrojtësi Mici, i cili u fut në zonë, por në momentin e fundit nxitohet, duke gjuajtur jashtë kuadratit.

58’ Rast goli për Flamurtarin. Useini pa hyrë në zonë godet fort, por mbi traversë. Tronditen porta dhe mbrojtja e Skënderbeut.

67’ Trajneri i Flamurtarit fut në lojë sulmuesin e huazuar gjatë merkatos së janarit nga Lacio, i cili zëvendëson Nedeljkoviç.

69’ Rast goli për Skënderbeun. Pas një depërtimi në mesfushë, Xhejms kalon dy lojtarë të Flamurtarit, pason te Soue, i cili gjuan fort, por jashtë.

81’ Shehi devijon në korne një gjuajtje të Alvesh nga e djathta e sulmit vlonjat. Rast i patër për të ndryshuar rezultatin

84’ GOL 1-0 Goditje dënimi nga Radas, jashtë zonës së Flamurtarit. Topi shkon në kokën e Jashanicës që e dërgon atë në shtyllën e majtë pingule të portës vlonjate. Xhejms tenton sërish, Nurkoviç grushton dhe Muzaka afër vijës fatale shtyn topin në rrjetë!

90+6’ Tounkara duhet të kishte shënuar, një mbrojtës i Skënderbeut shpëton nga pësimi i golit të barazimit. 
Me emocione, me vetëm 1 gol, protesta të tifozerive e ngjarje të rënda në stadium, këto kanë qenë më të veçantat e 90 minutave të kryesfidës së javës së 19-të të Kategorisë Superiore, Skënderbeu-Flamurtari 1-0. Skuadra korçare kësisoj duket se po e prek titullin, edhe pse në lojë janë edhe 17 javë të tjera. Ka qenë një takim i shumëpritur, pasi luanin kryesuesja dhe vendi i dytë i renditjes pas 18 javëve, ndoshta edhe për të konfirmuar të dyja se sa janë të denja për të ndalur njëra-tjetrën. Me një pjesë të parë të ekuilibruar, dhe me një epërsi territoriale të Skënderbeut në pjesën e dytë, nga kjo situatë u prodhua goli i madh për korçarët, të cilët i largohen 11 pikë Flamurtarit të vendit të dytë. Në pjesën e parë ishte Flamurtari më kërkues, i qartë dhe kërcënues në lojën e tij, ndërsa te Skënderbeu, kjo pjesë dukej se ishte “survejuese” për lojën e kundërshtarit. Flamurtari e kontrolloi mirë sulmin vendas, por edhe kërcënoi shpesh me sulmet e tij, duke krijuar edhe situata të rrezikshme, por në momentin final çaloi. Kjo si pasojë e pasaktësive në gjuajtje, por edhe për mungesë të kontrollit të saktë të topit nga sulmuesit. Por në këtë fragment të parë të ndeshjes, edhe pse nuk u shënua asnjë fol, rastet nuk munguan për të dyja skuadrat. Në minutat 10 e 36, Skënderbeu kishte mundësi të realizonte me Soue dhe Micin, por të dy gabuan në finalizim. Për Flamurtarin, Bushiç humbet kontrollin e topit brenda zonës së Skënderbeut, ndërsa Alvesh në minutën e 31-të nuk mundi të koordinohet mirë në kapjen e topit brenda zonës së korçarëve. Gjithsesi, 45 minutat e para u zhvilluan të ekuilibruara dhe të kujdesshme nga të dyja skuadrat, por ritmi ishte i lartë dhe stadiumi “Skënderbeu” ka parë një pjesë loje të bukur. Edhe pjesa e dytë ka nisur e ekuilibruar, por presioni Skënderbeut erdhi në rritje, duke i shtuar edhe situatat e rrezikshme, me Souenë që dha sinjalin e parë në minutën e 69-të. Ndoshta më parë tij duhet të kishin realizuar vlonjatët me Useinin në minutën e 58-të, por topi i gjuajtur prej tij kaloi mbi tranversën e Shehit, për ta lënë aty tentativën e golit për Flamurtarin në këtë sfidë. Edhe zëvendësimet nuk ndryshuan asgjë në krahun vlonjat, ndërsa Skënderbeu mbeti dominues në lojë deri në mbylljen e saj. Dhe goli erdhi 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, pas një gabimi në vendosjen e mbrojtjes vlonjate. Pas ekzekutimit të goditjes së dënimit nga Radas jashtë zonës së Flamurtarit, topi shkon te Jashanica i pa mbuluar nga kundërshtarët. Ai goditi shtyllën me kokë, e më pas portieri Nurkoviç nuk kishte çfarë të bënte, sepse përballë tij, pranë vijës fatale u ndodhën Xhejms e Muzaka, dhe ky i fundit e shtyu i pari topin në rrjetë. Gol i një fitoreje të madhe, e cila e shkëput në +11 pikë Skënderbeun nga Flamurtari, i cili deri sot në mesditë mund të jetë në këtë pozicion, në pritje të ndeshjes Kukësi-Kamza. Sot luhen edhe katër ndeshjet e tjera të javës së 19-të, të gjitha delikate dhe interesante.