Finalja e Champions, Allegri: Reali është favorit, por duam kupën

516
Dita ditës po shtohen ethet e finales së madhe të Ligës së Kampionëve e cila do të zhvillohet më datë 3 qershor në stadiumin e Cardiffit në Uells. Kampionët në fuqi të Real Madridit do të përballen me Juventusin në atë që pritet të jetë një duel mjaft i vecantë.

Trajneri i bardhezinjve Massimiliano Allegri në fillimin e kësaj jave që do të konkludojë me sfidën e së shtunës shprehet se madrilenët nisen të favorizuar, por skuadra e tij e dëshiron me forcë trofen e Ligës së Kampionëve.

“Duhet që këtë javë të jemi plotësisht të qetë, duhet ta përgatisim këtë ndeshje pa ankth. Kemi bindje dhe vetëbesim, Juventusi është në vendin e duhur në kohën e duhur dhe kësaj here duam ta mbyllim me trofe. Natyrisht jemi të ndërgjegjshëm që Reali është favorit në këtë ndeshje. Duhet të jemi gjithnjë pozitiv , negativiteti nuk sjell asgjë të mirë “ – u shpreh tekniku i bardhezinjve.

Një ndër pikat më të forta tek Juventusi është mbrojtësi Giorgio Chiellini, ky i fundit vlerëson forcën e skuadrës spanjolle duke theksuar se skuadra e tij duhet të bëjë më shumë se maksimumi për të fituar.

“Reali është një ekip që të godet atëherë kur ti më pak e pret, këtë bëri edhe kundër Napolit e Bajernit. Ne duhet të japim më shumë se 100% edhe si skuadër por edhe si individë.”– përfundoi mbrojtësi i kampionëve të italisë.

Juventusi ndodhet për herë të dytë në finalen e Championsit në 3 vitet e fundit, më 2015-ën u dorëzua përballë Barcelonës.
Sigal