“Finale” që në çerekfinale, Kupa e Shqipërisë luan letrat e fundit për disa nga skuadrat

477
Sigal

Kupa e Shqipërisë, me katër takimet e dy grupeve që luhen sot, ka një barazi të plotë sa i përket rezultateve të arritura, pasi nëse shohim në grupin A kemi një fitore dhe një barazim, e e njëjta situatë është edhe në grupin B, ku ka një fitore dhe një barazim, paçka se të fituara në mënyra të ndryshme.

Grupi A

Partizani nuk e “përfill” Laçin

Një situatë e ndryshme në të dy takimet, ku në përballjen e parë të ndeshjes Partizani-Laçi, përtej çdo pritshmërie kryeqytetasit nuk hasen asnjë vështirësi ndaj kundërshtarëve, duke arritur një fitore të pastër 2-0, fitore që sigurisht do të ndikojë edhe sot, në mos për të shënuar, të paktën për të ruajtur rezultatin e arritur. Por, së fundmi Laçi po shfaqet si një skuadër shumë e vështirë për t’i bërë ballë, e ndoshta do të shfrytëzojnë çdo mundësi që të mund të arrijnë një rezultat qoftë pozitiv por, pse jo, edhe të luanin për kualifikim. Gjithsesi janë akoma edhe 90 minuta, ndeshja luhet në stadiumin e Laçit dhe  mbi të gjitha, Partizani vjen pas një humbjeje në Kukës, që sadopak do të ndikojë edhe në psikologjinë e kësaj ndeshjeje. Por duhet thënë, se sidoqoftë, në pamje të për ky takim të jep përshtypjen se është i mbyllur dhe nuk do të vijë asnjë ndryshim, qoftë në rezultat qoftë në skuadrën që do të shpallet fituese.

Skënderbeu-Flamurtari e lënë çdo gjë për në fund

Në qoftë se ka një takim të Kupës që është i paparashikuar është pikërisht ky, ku në ndeshjen e parë maksimumi i golave ishte dy, me secilën skuadër që dha kontributin e vet për ta lënë rezultatin në një barazi të plotë si nga loja ashtu edhe nga rezultati. Në fakt, ndeshja e zhvilluar ishte e një niveli shumë të lartë, ku u pa forca e të dy ekipeve e sigurisht nuk mund të vësh njërën skuadër në një pozitë më të favorshme se tjetrën, pavarësisht ndryshimeve në tabelën e renditjes në kampionat. Këtu është tjetër histori, tjetër kompeticion, e në këtë rast është Flamurtari më shumë i angazhuar dhe në kërkim të fitores, pasi në këtë mënyrë mund të arrijë të kapë edhe Kupën e Europës nëse shpallet edhe fituese.

Grupi B

Kukësi-Vllaznia, një ndeshje rutinë

Një periudhë jo e mirë për shkodranët këtë vit, ashtu si edhe vitin që shkoi, ku pikërisht në tre takimet me Kukësin kanë dalë gjithmonë me humbje, dy herë me rezultatin 2-1 dhe ndeshjen e kaluar të kupës me rezultatin 2-0, pra pa mundur të shënojnë gol, diçka që nuk pritet të ndryshohet përsëri tek shkodranët, që në ndeshjen në “Zeqir Ymeri” do ta kenë edhe më të vështirë që të marrin një rezultat pozitiv. Kukësi nuk është asnjëherë një kundërshtar i mirë, e sidomos tani që po kalon një formë të shkëlqyer, duke qenë në të njëjtën linjë sa i takon synimeve për titujt e mundshëm këtë sezon, a është kupa apo kampionati, kjo nuk rëndësi, pasi rëndësi kanë vetëm fitoret për verilindorët.

Apolonia-Tirana, surpriza e surprizave

Një ndeshje e madhe për fierakët, që edhe pse u barazuan gjatë takimit, përsëri arritën që të “tregonin dhëmbët”  ndaj një skuadre të madhe, të paktën në Kupë. një rezultat shumë surprizë ky i fierakëve, që e panë veten në avantazh 2-0 gjatë takimit të shkuar, por që përsëri u barazuan nga Tirana. Në ndeshjen e sotme, që zhvillohet në Fier, fitorja është një detyrim për Tiranën, që nuk duken në atë formë që të bëjnë të njëjtin gabim, dy herë.

 

 

 

Grupi A

Laçi-Partizani (0-2)

Skënderbeu-Flamurtari (1-1)

Grupi B

Kukësi-Vllaznia  (2-0)

Apolonia-Tirana   (2-2)

Sot Liga e Kampioneve vë përballë Shalke-Real dhe Bazel Porto

Dita e sotme parashikon ndeshje të forta, ku përballë do jenë Bazeli me Porton dhe Shalke me Realin. Sa i përket ndeshjes së parë, Bazeli mat forcat me portugezët, e ndoshta duhet ta quajnë veten me fat që përballë nuk ju ra një ekip tjetër, sepse shumë mirë mund të kishin Barcelonën, Bajernin, Dortmundin apo Atl. Madridin. Zviceranët kanë një shans të artë që të ecin më tutje, duke marrë parasysh edhe formën aktuale që gëzojnë, sidomos disa nga futbollistët si Gashi dhe Xhaka që po bëhen shumë ndikues në ekip. Sa i përket takimit tjetër, që është edhe i fundit për javën “e kampionëve” është mes “mbretërorëve blu” dhe “mbretërve të Europës”, ku Shalke pret në shtëpi kampionët në fuqi të Ligës së Kampioneve, Realin e Madridit. Në letër, çdo gjë flet për madrilenët, por gjermanët mund të bëjnë ndonjë surprizë edhe pse nuk cilësohen si ekip që mund t’i prishë punë të besuarve të Ançelotit. Ardhja në krye të gjermanëve e një trajneri italian ka sjellë ndryshime të dukshme në lojë e tyre, ku tani po vihet re edhe një ndryshim në mënyrën e lojës, pasi janë bërë një skuadër shumë më mbrojtëse dhe është vërtetuar se kundër këtyre ekipeve, Reali i Madridit ka hasur gjithmonë vështirësi. Takimet që mbeten të kësaj faze të 1/8-ve do të luhen me datë 24-25 shkurt, mes Arsenal-Monako, B. Leverkusen-Atl. Madrid, Juventus-Dortmund dhe Man. Siti-Barcelona.

Alban Meha: Objektivi im i radhës është Nojer, dua t’i shënoj gol

Një formë e jashtëzakonshme e shqiptarit tek ekipi i Paderbornit në Bundesligën e parëq gjermane, formë që po kthehet në gola dhe paraqitje shumë të mira javë pas jave. Të dielën e kaluar Meha shënoi një gol “alla Pirlo” ku i dha fitoren skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Hanoverit, duke i dhënë kështu fund edhe “bllokimit” të 10 ndeshjeve pa fituar. I pyetur nga mediat gjermane, Meha është i bindur se gjuajtjet e tij nuk i pret as Nojer, portieri i Bajernit, skuadër me të cilën do të ndeshen këtë javë: “Gjuajtjet e mia nuk i pret dot as Manuel Nojer. Edhe për të do të jenë të rrezikshme dhe nëse do jetë në kuadrat, ta harrojë pritjen”. Deklaratë e fortë kjo e tija, por futbolli ka treguar se fragmentet japin fitoren dhe Meha është një nga ata futbollistë që fragmentet e goditjeve të dënimit i shfrytëzon dhe i kthen në gola, që shpesh mbajnë erë fitoreje.

 Sinan Idrizi: Ndaj Skënderbeut dua lojë të bukur dhe fitore

Administratori i klubit vlonjat të Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka theksuar rëndësinë e ndeshjes me Skënderbeun për Kupën e Shqipërisë, duke u shprehur se vlonjatët kanë si qëllim fitoren jo vetëm në rezultat por edhe në lojën e bukur. Sipas tij, nëse futbollistët besojnë dhe do të shfaqin shpirt gare, kualifikimi sot është i mundshëm. Idrizi theksoi që të gjithë futbollistet duhet të luajnë mirë rolin e tyre dhe të tregohen të kujdesshëm në mënyrë që të shmangen gabimet, pasi me sa më pak gabime kanë edhe shanset për ta kaluar këtë tur të Kupës së Shqipërisë