Finale për titullin në Korçë, biletë për Europën në Laç

469
Sigal

Java e 31-të Superligës. Ndeshje “ferri” për Partizanin në Laç e Flamurtarin në Shkodër

Skënderbeu synon ta harrojë sa më shpejt humbjen me Teutën në Durrës e që i vonoi disi festën e titullit, teksa të gjithë sot në Korçë presin triumfin ndaj Kukësit dhe fitimin për herë të katërt rresht të titullit kampion dhe të pestin në historinë e klubit kuqebardhë. “Ujqërit e dëborës”, një nga grupimet më të famshëm të tifozerisë shqiptare kanë ditë që po përgatitin dekorin e festës, që pritet të jetë edhe më i madh se ai në vitet 2011. 2012 e 2013. Skënderbeu ka një diferencë prej +7 pikësh nga Partizani e Kukësit, që e ndjekin me pikë të barabarta, kështu që në rast fitoreje ndaj kuksianëve, cilido që të jetë rezultati në takimin Laçi-Partizani titulli mbetet në Korçë, së bashku edhe me dy fatura të majme shpërblimesh: 100 milionë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe 300 mijë euro nga UEFA, për pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Sezonin e kaluar, korçarët fituan 725 mijë euro, si pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve, kuksianët arritën deri në 540 mijë. Java e 31-të mund të vendosë pikat mbi “i” përsa i përket titullit Kampion pasi Skënderbeu kryesues pret Kukësin ndjekës. Në Korçë janë bërë gati për festë dhe ndaj verilindorëve mjafton edhe një pikë, por duke patur veshët edhe në Laç ku zbarkon Partizani. Kampionët vijnë të kompletuar në këtë përballje por me një ecuri negative të javëve të fundit, ndërsa Sulejman Starova ka humbur disa futbollistë, duke shpresuar të jetë i plotë për finalen e Kupës ndaj Flamurtarit. Nga Korça ku luhet finalja për titullin kampion drejt Laçit ku luhet finalja për në Europë, kjo javë ka shumë për të treguar. Kurbinasit kërkojnë për herë të dytë radhazi “vizën” europiane dhe varin shpresat tek publiku i tyre për të triumfuar ndaj Partizanit. Të kuqtë pas dy fitoreve radhazi kanë konsoliduar pozitat për një vend në Ligën e Europës dhe tashmë vendosin nën presion Skënderbeun, kundërshtarin e javës së ardhshme, edhe pse tek Partizani nuk mendojnë shumë për titullin. Në garën për një vend në Ligën e Europës hap të sigurt përpara pritet të bëjë Teuta, që luan në transfertë ndaj Lushnjës të pamotivuar. Formacioni i “Djemve të Detit” vjen nga fitorja e çmuar me Skënderbeun dhe tashmë dërgon presionin tek rivalët. Garë të nxehtë ka edhe për mbijetesën, teksa sfida direkte luhet në “Loro Boriçi” midis Vllaznisë dhe Flamurtarit. Për shkodranët humbja është e pa mendueshme, pasi do t’i çonte pranë rënies nga Kategoria. Ndërkohë nuk pritet të ketë shumë vështirësi Tirana, që në transfertë do të përballet me Kastriotin e rënë nga Kategoria. Besa në program e ka për t’u ndeshur me Bylisin, prej disa javësh i përjashtuar, kështu që merr tri pikët në tavolinë dhe “virtualisht” barazohet me pikë me Vllazninë, nga 41. Kështu, që shkodranëve u duhet patjetër të marrin pikë me Flamurtarin.

KATEGORIA SUPERIORE

Java 31

 Sot, 16:00

 Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Bylis-Besa 0-3 (tav.)

RENDITJA

1 Skënderbeu      30   +20 57

2 Partizani    30   +8   50

3 Kukësi             30   +6   50

4 Teuta         30   +4   45

5 Laçi           30   +4   45

6 Flamurtari 30   +4   44

7 Tirana       30   +1   43

8 Vllaznia           30   +7   41

9 Besa          30   +2   38

10 Kastrioti  30   -11  29

11 Lushnja          30   -20  26

12 Bylis       30   -25  24

 DY JAVËT E FUNDIT

 Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Luftë për “Këpucën”

 Skënderbeu-Kukësi nuk vetëm çështjen e titullit, por dhe një duel goleadorësh për fitimin e “Këpucës së Artë”. Përballë njëri-tjetrit do të jenë sulmuesi i Skënderbeut, Pero Pejiç dhe ai i Kukësit, Sokol Cikalleshi. Kroati ka realizuar deri tani 16 gola (asnjë me penallti), ndërkohë që kavajasi ka shënuar tre më pak, 13 gola. Në garë është dhe Bushiç i Vllaznisë, 13.

Verdiktet e dhëna

 Edhe pse teorikisht është e hapur lufta për titullin kampion, skuadrën e tretë që do të shkojë në Ligën e Europës dhe për skuadrën e katërt që do të bjerë nga Kategoria, të paktën tre verdiktet janë dhënë. Kështu, Kastrioti, Lushnja e Bylisi (i përjashtuar) kanë rënë nga Kategoria Superiore dhe edicionin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë.

Finalja e Kupës

 Deri në përfundim të kampionatit, më 10 maj, kanë mbetur edhe 11 ditë, teksa më 17 maj në “Niko Dovana” të Durrësit do të luhet finalja e edicionit të 62-të të Kupës së Shqipërisë. Përballë njëri-tjetrit do të jenë Kukësi dhe Flamurtari. Kuksianët e kanë finalen e tyre të parë, ndërkohë që për vlonjatët kjo është hera e 12-të. Flamurtari e ka fituar tri herë trofeun.

 Korçarët fituan sezonin e kaluar, plot 724 mijë euro, ndërsa Kukësi 540 mijë euro

 1,5 milionë euro nga Europa

 Përfaqësimi i katër ekipeve shqiptare në kompeticionet europiane; Skënderbeut në Ligën e Kampionëve dhe Kukësit, Laçit e Teutës në Ligën e Europës solli një shumë rekord në arkat e klubeve të tyre. Skuadrat shqiptare kanë fituar plot 1.5 milionë euro në kupat e Europës këtë sezon, duke lënë pas të gjitha vendet e tjera, me përjashtim të Serbisë. Kjo del nga raporti përfundimtar i UEFA-s për “play-offin” e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Skënderbeu, Kukësi, Teuta e Laçi ishin pjesëmarrëse këtë verë dhe dy të parat realizuan fitimet kryesore. Korçarët fituan 725 mijë euro, si pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve, kuksianët arritën deri në 540 mijë, ndërsa Teuta e Laçi futën në xhep nga 120 000 euro. Kukësi kaloi 3 ture në Ligën e Europës, Skënderbeu një turn ë Champions, ndërsa durrsakët e kurbinasit u eliminuan që në turin e parë të fazës eliminatore. Shuma e saktë është 1 milion e 505 mijë euro. Vetëm klubet serbe kanë fituar më shumë se ato shqiptare, por pa ndonjë diferencë të madhe. Serbia mori 1 milion e 665 mijë euro. Më pas vijnë Suedia, Norvegjia, Islanda apo Azerbajxhani.

Gjobiten sërish Tirana e Vllaznia

 Komisioni i Disiplinës dënoi me gjobë ekipet e Tiranës dhe Vllaznisë, për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozëve të tyre gjatë ndeshjes së të shtunës së kaluar, të përfunduar me fitoren 2-1 të bardhebluve. Të dy klubet u dënuan me nga 50 mijë lekë secili. Nëse shqyrtojmë dënimet e dhëna gjatë këtij sezoni nga ana e Komisionit të Disiplinës, do të verifikonim lehtësisht se të 12 skuadrat e Superligës janë dënuar të paktën nga një herë me gjobë. Shuma në total arrin në 2 milionë e 150 mijë lekë. “Rekordin” përsa u përket gjobave e mban Tirana, me gjashtë tilla, më shumën në total prej 650 mijë lekësh, përfshirë he  200 mijë lekë janë për shkatërrimin e stolave nga ana e tifozëve bardheblu të stadiumit të Korçës. Në podiumin e ekipeve më fatura të larta gjobash janë dhe Kukësi me 300 mijë lekë dhe Vllaznia me 25 mijë lekë. Interesant është fakti se, Bylisi, i cili është përjashtuar prej të paktën gjashtë javësh nga kampionati është dënuar vetëm me 100 mijë lekë. Po dje, Komisioni i Disiplinës gjobiti me 25 mijë lekë edhe Luftëtarin e Kategorisë së Parë.

EKIPET E GJOBITURA GJATË KËTIJ SEZONI

 Tirana   650 mijë lekë

Kukësi 300 mijë lekë

Vllaznia 225 mijë lekë

Partizani       200 mijë lekë

Skënderbeu 150 mijë lekë

Teuta            150 mijë lekë

Laçi              125 000 lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 100 mijë lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Besa             50 mijë lekë

Lushnja 30 mije lekë

Shuma në total: 2 150 000 lekë