Fillon numërimi mbrapsht për kampionatin, skuadrat lënë pas “pushimet”

114

Më në fund rifillon edhe Superliga, ku të gjitha skuadrat do të vihen në “vijë” për të nisur garën në të njëjtën ditë, me katër nga ato që kanë avantazh dhe nisën pak më përpara, duke pasur pas vetes ekipet e tjera që nuk kanë arritur të ruajnë të njëjtin ritëm. kjo fundjavë i gjen të gjitha ekipet gati për të luajtur edhe aktin e dytë të kampionatit, ku të gjitha kthehen nga faza përgatitore, me disa ekipe që kanë qëndruar në Shqipëri e me disa ekipe të tjera që kanë vendosur të bëhen pjesë e stërvitjes jashtë Shqipërie, e si gjithmonë vendet më të pëlqyera janë Turqia dhe Spanja. Pa filluar mirë java, më përpara vendoset që të bëhen disa bilance paraprake, ku secila skuadër ka në kokë planet e fundsezonit. Të flasim për katër ekipet e para është diçka e thjeshtë, nuk ka të bëjë me parashikime por vetëm me pretendime, ngaqë të katra ato ekipe kanë vetëm një synim, të fitojnë titullin, e nga si shihet do të luajnë vetëm ndaj njëra-tjetrës, të përfitojnë nga gabimet e kundërshtarit për tu ngjitur sa më lart në renditje, deri në fund, ku përkthehet me “fitore” dhe titull kampion. Ndryshon situata tek ekipet që ndjekin nga pas, e përkatësisht Laçi, Vllaznia dhe Flamurtari. Janë tre skuadrat që e duan shumë një vend në kupat e Europës, pasi qëllimet për më lart janë thjeshtë të parealizueshme, nisur edhe nga numri i pakët i pikëve që kanë në dispozicion, krahasuar me vendet e para. Të tre këto ekipe patën një ecuri jo të mirë në disa faza, sidomos Vllaznia dhe Flamurtari, që nuk arritën që të ishin faktorë në ndarjen e titullit. Për Vllazninë kjo ishte e pritshme, për shkak të shumë problemeve që patën sa i përket rrogave dhe pagesave të futbollistëve, por çudinë negative të këtij sezoni e luajti padyshim Flamurtari, që edhe pse është një nga skuadrat me më shumë buxhet në kampionat, përsëri nuk ia doli që të ishte pjesë vendimtare e garimit për kreun. Skuadra e Flamurtarit ka bërë ndryshime rrënjësore sa i përket drejtimit por edhe futbollistëve, pasi janë larguar shumë të tillë por edhe janë afruar të tjerë, duke vendosur me të vërtetë synimet e tyre reale për të marrë një vend në kupat e Europës. Sa i përket tre ekipeve të fundit, Teuta duket më e predispozuar që të qëndrojë në Superligë edhe sezonin e ardhshëm, duke lënë pas vetes Elbasanin dhe Apoloninë. Në fakt, ekipi elbasanas duket se e ka pranuar pothuajse faktin se nuk do jetë pjesë e këtij kampionati vitin e ardhshëm, duke qenë se nuk ka bërë ndryshime në skuadër, të paktën sa i përket blerjeve të futbollistëve, pasi për tu larguar janë larguar, e rasti i fundit ishte rasti i Kotorrit që iku në drejtim të Dinamos së Kategorisë së Parë. Apolonia nga ana tjetër nuk duket aspak më optimiste edhe pse të paktën në deklaratat e bëra janë më me besim, duke parë se kanë në përbërje edhe trajner të ri, që pritet të bëjë një ndryshim pozitiv për këtë skuadër e qëllimi është vetëm qëndrimi në Superligë, duke lënë pas gjysmën e parë shumë zhgënjyese të fierakëve. Në total, të gjitha skuadrat kanë vendosur qëllime për këtë sezon, e në çdo “kamp” të kampionatit do të ketë zhvillime interesante, ku skuadrat do të luajnë, disa për të fituar titullin, disa për të fituar një pozitë sa më të lartë në kampionat e disa të tjera për të vazhduar të qëndrojnë në këtë kampionat. Deri kur të fillojë realisht kampionati, skuadrat kanë edhe disa ditë kohë për tu përgatitur, e ndeshjet e para të 2015-ës do të jenë një test i mirë për të gjitha skuadrat, ku do të vihet re se sa e vlefshme ka qenë kjo periudhë pushimi dhe përgatitjeje.

Taulant Xhaka, futbollisti merr vlerësime të mëdha nga UEFA

 Paraqitjet e futbollistit shqiptar me skuadrën e tij, Bazelin, kanë bërë që talenti i tij të bjerë në sy të specilasitëve të futbollit europian, sidomos të atyre që merren me Ligën e Kampioneve. I njohur për agresivitetin e tij në fushë, Xhaka tani vlerësohet edhe për faktin se përçon siguri për skuadrën e tij, duke parë që qenë edhe skuadra që dhuruan një surprizë të bukur gjatë fazës së grupit duke u kualifikuar para Liverpulit. Ndër të tjera, në këtë shkrim të UEFA-s thuhet: “Komod si qendërmbrojtës, si mbrojtës krahu apo mesfushor, ai gjithnjë ka qenë një lojtar me zemër, por gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampionëve ka treguar me elegancë se ai ofron shumë më shumë sesa thjeshtë agresivitet sportiv, vërtetë një surprizë e bukur”. Xhaka ishte i lidhur me një largim të mundshëm nga Bazeli, ku shumë deklarata e dërguan tek skuadra e Beshiktashit në Turqi, por siç duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke qenë se vazhdon të jetë përsëri pjesë e planeve të skuadrës helvete.

 

Kontrata me kushte e Flamurtarit, një risi në futbollin shqiptar

 Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, skuadra e Flamurtarit vendos kushte të vetat për kontratat e futbollistëve, duke i lënë futbollistët e afruar gjatë merkatos dimërore në provës deri në fund të sezonit, ndërsa nga ana tjetër kontratat nuk do të jenë më shumë se 2 vite e gjysmë si kohëzgjatje. Kjo gjetje është pothuaj e padëgjuar më parë sa i përket kampionatit shqiptar, ku skuadra për të ruajtur rendimentin nuk kalon në kontrata afatgjata por vendos klauzola në kontratë, ku futbollistët vendosen në provë për një kohë të caktuar dhe vazhdojnë kontratën nëse shihen si të përshtatshëm për skuadrën e nëse jo, atëherë detyrimisht kontrata ndërpritet në mënyrë konsensuale.

Sot i jepet lamtumira e fundit Prof. Dr. Zyber Konçit

 Një nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar, trajneri revolucionar që solli në fushën e tij një stil ndryshe, duke u bërë pak e nga pak faktor në futbollin vendas, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 88 vjeçare para dy ditëve. Një lajm i tillë është një humbje e rëndë për familjarët e tij, të afërmit, shokët miqtë, çdo person që e njohu dhe është një humbje e madhe për vetë sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Ajo ditë ishte ditë e një humbjeje të një nga më të mirëve në drejtimin dhe trajnimin e futbollit, ndërsa sot do i bëhen nderimet  e merituara këtij kolosi të sportit. Sot, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” hap dyert për ta pritur edhe një herë, e këtë herë, për herë të fundit Prof. Dr. Zyber Konçin. Nga ora 11:30 e deri në 12:30, tribuna qendrore do të presë të gjithë miqtë dhe dashamirët që duan t’i japin lamtumirën e fundit ish-trajnerit të Kombëtares. Ai do të mbahet mend si trajner i Kombëtares në vitet 1963-1965 dhe me një rikthim në vitin 1980. Pa dyshim që profesori ka qenë një nga emrat që ka ndikuar më së shumti në sportin shqiptar, ku sa i përket futbollit do të mbahet mend mbi të gjitha për atë fitore ndaj Danimarkës në vitin 1964 për kualifikueset e Euro 1964, duke u bërë edhe trajneri i parë që arrin këtë rezultat në një turne të tillë. Veprat që ka lënë pas e bëjnë të panevojshme shprehjen “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, pasi ashtu do të vazhdojë të jetë gjithmonë, sepse veprat thonë më shumë se fjalët.

Lorik Cana i bën “dredha” Lacios, pëlqen Gjermaninë

Duket se Lorik Cana as nuk e ka ndërmen që ta mbyllë karrierën e tij në Itali, e pikërisht tek skuadra e Lacios në të cilën po luan aktualisht. Kapiteni kuq e zi ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar karrierën e tij diku tjetër pas Lacios, por kjo do të ndodhë vetëm nëse me lacialët nuk ia del që të jetë pjesë e kompeticioneve  më të mëdha europiane. Edhe më përpara, vetë babai i futbollistit, Agim Cana, u shpreh në favor të largimit të djalit të tij drejt Gjermanisë, vend ku siç duket kapiteni mund edhe të mbyllë përfundimisht karrierën e tij futbollistike.

Anderlehti i Hasit afron Marko Marinin e Çelsit në formë huazimi

Një goditje të madhe në merkato ka bërë skuadra belge e Anderlehtit, e drejtuar nga Besnik Hasi, duke marrë në radhët e tyre mesfushorin gjerman që luante për Çelsin, Marko Marin. Futbollisti në fjalë nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme tek blutë e Londrës, andaj edhe është menduar si më mirë që të bëhet pjesë e Anderlehtit, por në formë huazimi. Duke parë se skuadrat në Belgjikë dhe Angli kanë një diferencë shumë të madhe, për Anderlehtin kjo është një goditje shumë e mirë në merkato, pasi ky futbollist sigurisht që do i ndihmojë në kampet sportive që do të luftojnë, si në kampionat apo edhe në Ligën e Europës.