Fillon faza e “nxehtë” e kampionatit, Dinamo luan shansin e radhës

483
Java e 20-të e Kategorisë së Parë do të sjellë edhe një herë në vëmendjen e sportdashësve ndeshjet e radhës, ku do të përballen ekipet në takime që tashmë janë vendimtare për ecurinë dhe pretendimet e sezonit. Në grupin A vazhdon të jetë e njëjta situatë, ku Tërbuni është bërë me të vërtetë një skuadër e denjë edhe për Superligën, por edhe ekipet e tjera kanë treguar nivel shumë të lartë, si Lushnja, Butrinti, Mamurrasi, Besëlidhja dhe Bylis. 
GRUPI A
Ada-Tërbuni- Nëse duam të gjejmë një skuadër me fat për këtë javë të 20-të, padyshim që është Tërbuni, që përballë do të ketë ekipin e Adës, vendi i parafundit në renditje, duke u bërë kështu aspak e rrezikshme për çdo ekip në këtë grup. Humbjet e njëpasnjëshme të velipojakëve dhe forma e keqe që po kalojnë, i bën të jenë shumë të paqëndrueshëm dhe një rrezik aspak real për ekipet e tjera, e ndër këto as për Tërbunin që është skuadra që kryeson. 
Kastrioti-Besëlidhja- Vendi i dytë i renditjes në grupin A do të shkojë në Krujë për tu përballur me Kastriotin e vendit të 8-të, ku rezultati përfundimtar i takimit për lezhjanët duhet të jetë vetëm fitorja, në mënyrë që të jenë gjithmonë në të njëjtin ritëm me pukjanët dhe t’i shmangën edhe Mamurrasit që vjen nga pas. 
Besa-Mamurrasi- Vendi i tretë i renditjes do të vizitojë Kavajën, e sigurisht fitorja është më shumë sesa detyrim për të tretët në renditje, por pavarësisht kësaj, Mamurrasi përballë do të ketë kavajasit që sigurisht janë një skuadër që në rrezik aktualisht, ku do e shfrytëzojnë ndeshjen në shtëpi për të fituar dhe për t’iu larguar zonës së rrezikut të rënies nga kategoria. 
GRUPI B
Luftëtari-Lushnja- Vendi i parë në renditjen e grupit B i paraqitet një rast shumë i mirë për të rritur diferencën me pikë ndaj skuadrave ndjekëse, pasi nesër viziton Luftëtarin, e duke parë diferencat mes skuadrave, nuk pritet të ketë ndonjë vështirësi reale për kryesuesit.
Dinamo-Butrinti- Kryeqytetasit përballen nesër me pengesën e radhës, që është Butrinti, një kundërshtar aspak i lehtë dhe që aktualisht ndodhet në vendin e tretë të renditjes, shumë më mirë sesa Dinamo. Dinamo në këtë rast ka një tjetër ndeshje të vështirë përpara, pas asaj që kaloi me Sopotin, ku korri një fitore të merituar dhe shumë të rëndësishme nën drejtimin e trajnerit të ri, Faruk Sejdini.
Shkumbini-Bylis- Barazia e pikëve që Bylis ka me Lushnjën i jep garancinë se është një nga skuadrat kryesore në grup, ku fitorja në fund të sezonit nuk duket më edhe aq e largët. Këtë ecuri pozitive mund të vazhdojë ta ruajë edhe në ndeshjen e nesërme, ku përballë do të ketë Shkumbinin, edhe pse në fakt peqinasit janë shfaqur shpeshherë të rrezikshëm përballë kundërshtarëve, e duke qenë se është një nga ekipet që rrezikon t’i thotë lamtumirë Kategorisë së Parë, nuk i dihet asnjëherë se si e interpreton një takim. 
Grupi A
Besa-Mamurrasi
Kamza-Burreli
Iliria-Veleçiku
Kastrioti-Besëlidhja
Ada-Tërbuni
Grupi B
Dinamo-Butrinti
Luftëtari-Lushnja
Tomori-Naftëtari
Shkumbini-Bylis
Pogradeci-Sopoti
Renditja
Grupi A
Tërbuni 49
Besëlidhja 47
Mamurrasi 45
Burreli 25
Iliria Fushë-Krujë 23
Kamza 19
Besa Kavajë 17
Kastrioti 16
Ada Velipojë 15
Veleçiku 11
Grupi B
Lushnja 35
Bylis 35
Butrinti 31
Sopoti 27
Tomori 25
Dinamo Tirana 25
Pogradeci 22
Shkumbini 19
Luftëtari 18
Naftëtari 17
Golashënuesit më të mirë në Kategorinë e Parë
Lista e golashënuesve më të mirë të kësaj kategorie, ka vënë në tre vendet e para tre skuadrat më të mira të grupit A, ku golashënuesi i tretë më i mirë është Greca i Tërbunit me 12 gola, vendin e dytë e zë Malo i Besëlidhjes dhe vendi i parë i takon futbollistit të Mamurrasit, brazilianit Fonseca me 14 gola të shënuar. Sa i takon grupit B, është Butrinti që përfaqësohet me Raboshtën në vendin e katërt me 10 gola. Interesante në këtë renditje është vendosja për së prapthi në listën e golashënuesve të skuadrave që kryesojnë në renditje, ku në këtë rast vendi i tretë i renditjes së përgjithshme ndodhet në vendin e parë për golashënues. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka për çdo ekip, pasi në këtë rast titullin kampion nuk e jep një futbollist i vetëm. 
Sigal