Sigal

Faza e parë e kampionati shqiptar të futbollit uli siparin e saj javën e kaluar, ku u bënë dhe bilancet paraprake për sa i përket ecurisë së ekipeve të superiores, dhe përcaktimit të objektivave që do të ndiqen përgjatë sezonit. Faza e dytë nis ditën e sotme me dy sfida, ku do të jenë protagoniste, dy skuadra, që nuk i janë përgjigjur pritshmërive deri më tani, Tirana dhe Flamurtari. Bardheblutë vijnë në këtë takim me Kamzën, pikërisht pas disfatës me vlonjatët, javën e kaluar, e cila përkoi dhe me ndeshjen debutuese të trajnerit të ri, Ardian Mema. Kryeqytetetasit do të synojnë rikthimin tek fitorja, në transfertën e sotme në Kamëz, një fitore që do të sillte qetësi në një ambient të trazuar, si ai i 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Tirana e mbylli fazën e parë në vendin 7-të me 8 pikë të grumbulluara, që përveç zhgënjimit dhe braktisjes së objektivit për titull, solli edhe shkarkimin e ish-trajnerit, Ze Maria. Ndaj, tekniku i ri do të kërkojë kthesën, në një sezon deri më tani të dështuar të bardhebluve, dhe fitorja me Kamzën do të shërbente shumë për moralin e futbollistëve dhe ambientin e Tiranës. Dueli parë i fazës së dytë është një mundësi e mirë edhe për Kamzën, që të rikthehet tek fitorja dhe pretendimet për të mbijetuar. Pikërisht në shtëpi është dhe fitorja e fundit për skuadrën e Klodian Duros, ndaj Kastriotit në javën e 4-t dhe që nga ai sukses në llogaritë e Kamzës është vetëm një pikë në 5 javët pasardhëse. Me 7-të pikë në dispozicion Kamza për momentin është jashtë zonës së rënies. Një mundësi e mirë për ekipin nga periferia e kryeqytetit, pasi në përballjen direkte me Tiranën mund të tentojë një goditje të dyfishtë, të parakalojë në renditje bardheblutë dhe të krijojë distancën e dëshiruar me zonën e ftohtë.

Flamurtari-Teuta

Një përballje shumë interesante në javën e 10-të, është ajo mes Flamurtarit dhe Teutës, dy skuadra që deri më tani kanë ecur ekzaktësisht në të njëjtën rrugë, 14 pikë kanë në klasifikim, dhe në ekuilibër të plotë është edhe bilanci i rezultateve 4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Shifrat e golavarazhit konfirmojnë baraspeshën totale, 9 gola kanë realizuar si vlonjatët po ashtu edhe “Djemtë e Detit” teksa kanë pësuar të njëjtën kuotë golash, 7. Një sfidë që duket se i ka ingredientët e duhur për të qenë mjaft interesantë, pasi në fushë ka disa ish-lojtarë që do të gjejnë përballë të shkuarën e tyre. Emiliano Musta, Idriz Batha, Andi Ribaj e Arbër Beqaj në karrierën e tyre kanë veshur edhe fanellën e Teutës, ndërsa në anën tjetër ngjyrat kuqezi të Flamurtarit i kanë provuar Ditmar Bicaj, Gerhard Progni, Lancinet Sidibe, Sekou Camara dhe Arsid Kruja. Flamurtari e mbylli fazën e parë me 8 pikë i larguar nga vendi i parë që mbahet nga Partizani. Kuqezinjtë nuk patën një fazë të parë siç e kishin planifikuar, sepse rezultatet negative, në një moment, u bënë pjesë e ecurisë së tyre.