Fillojnë “ethet” e ndeshjes Partizani-Tirana, java e 15-ë premton surpriza

479
Sigal

Superiorja e futbollit shqiptar po luan një nga sezonet më të bukura të saj, ku nuk mungojnë golat, nuk mungojnë tifozët dhe mbi të gjitha nuk mungon rivaliteti. Duhet të kthehemi pas në kohë për të parë një kampionat ku katër skuadra rivalizojnë kokë për kokë për titullin kampion edhe pas 14 javësh të luajtura. Ky sezon solli më të mirën nga shumë klube, ku Tirana, Partizani, Skënderbeu dhe Kukësi e mbajtën ritmin dhe gjenden pas çdo ndeshjeje në ndjekje të njëra-tjetrës duke mos pasur një shenjë të qartë se cila prej tyre do ja dalë deri në fund. Vëmë re diçka në renditje ku katër vendet e para kanë vetëm tre pikë diferencë, me Skënderbeun në vendin e katërt me 27 pikë, Kukësin në të tretin me 28 pikë, Tirana në vendin e dytë me 29 pikë dhe Partizani që kryeson me 30 pikë. Këtë javë ndeshja më e rëndësishme është mes Partizani dhe Tiranës, që përveç rivalitetit historik që gjithmonë kanë pasur tanimë i shtohet edhe rivaliteti për kryesimin e kampionatit. Kjo ndeshje do të ketë përsëri në qendër të vëmendjes tifozët, që këtë radhë nuk do të mungojnë por do të jenë vetëm të Partizani të pranishëm, pasi Komisioni i Disiplinës vendosi që ti penalizonte tifozët e Tiranës pas trazirave që ndodhën në stadiumin “Elbasan Arena”. Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe në këtë javë, është Partizani që ndodhet në krye, duke e bërë të mjaftueshëm edhe një barazim, pasi përsëri do të ngelej përpara Tiranës me një pikë. Kjo ndeshje do të luhet ditën e hënë, ndryshe nga takimet e tjera që janë të shtunën dhe të dielën. Ndeshjet e tjera që do të luhen këtë javë, vënë përballë skuadrat që kanë nivele të ndryshme, me Kukësin që do të ndeshet me Apoloninë, duke shkuar për fitoren tjetër pas asaj të arritur me Skënderbeun. kjo ndeshje do të luhet përsëri në stadiumin e Kukësit, duke i minimizuar mundësitë e fierakëve për një rezultat pozitiv në fundjavë. Ndeshja që luajti me Vllazninë në javën e 14-ë dhe mbi të gjitha rezultati (humbi 1-0) e bëjnë akoma edhe më të vështirë situatën tek Apolonia, sidomos tani që edhe trajneri i tyre Elidon Demiraj dha dorëheqjen pas këtyre rezultateve negative. Takimi tjetër i kësaj date do të jetë mes Skënderbeut dhe Teutës, ku të dyja skuadrat vijnë nga humbjet javën e kaluar, dhe nisur nga kjo, durrsakët do ta kenë shumë të vështirë që të marrin një rezultat pozitiv në Korçë, jo vetëm nga ndryshimet që kanë si skuadra, por edhe nga fakti që Skënderbeu nuk do të lejojë që të humbasë dy ndeshje rresht, e pikërisht në stadiumin “Skënderbeu”. Dy takimet e tjera do të luhen mes Laçit dhe Flamurtarit, ku do jetë një provë për të dyja skuadrat, nëse vlonjatët munden që të mbajnë ritmin e fitoreve apo nëse Laçi mund të marrë dy rezultate pozitive rresht, pas atij barazimi që mori ndaj Tiranës. Takimi tjetër i kësaj dite është mes Elbasanit dhe Vllaznisë, ku verdheblutë ndodhen të zhytur në një situatë shumë të keqe rezultatesh, me vetëm 6 pikë të grumbulluara në 14 javë, ndërkohë që Vllaznia ka filluar ngjitjen pas asaj periudhe “krize”, duke fituar në dy ndeshje rresht, si ndaj Flamurtarit në Shkodër ashtu edhe ndaj Apolonisë në Fier.