FIGC konfirmon: Kanë “avulluar” 20 mijë bileta për Itali-Shqipëri

527
Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar se deri më sot, është shitur më shumë se gjysma e biletave për ndeshjen mes Italisë dhe Shqipërisë në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos. Në njoftimin e sotëm, ajo bënte të ditur se ishin shitur 20 mijë bileta, ndërsa do të fillonin punën përveç shitjes nëpërmjet faqes së saj online, edhe pikat e shitjes në qytet.
Këta të fundit do të rrinin të hapura që nga dita e nesërme e deri në fundin e pjesës së parë të takimit të së premtes, për të shërbyer edhe ata që kishin dëshirë ta ndiqnin këtë ndeshje por që mbërrinin me vonesë në impiantin e qyteti italian për një arsye apo një tjetër.
Duhet kujtuar se impianti “Renzo Barbera” ka një kapacitet prej 36349 vendesh të ulura dhe kjo do të thotë se janë për t’u shitur edhe rreth 30% e biletave, pasi një pjesë si zakonisht u rezervohet sponsorëve apo përdoret për iniciativa sociale.
Italia zgjodhi një stadium në ishull, larg veriut ku gjendet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Gadishullin Apenin, me shpresën që t’i mbante mbështetësit e kuqezinjve larg dhe për të evituar një pushtim të kuq në këtë impiant. Megjithatë, vetë trajneri i Italisë, Xhampiero Ventura, tha një ditë më parë se priste që stadiumi i Palermos të pushtohej nga tifozët shqiptarë.
Praktikisht, kjo do të thotë se brenda FIGC janë të ndërgjegjshëm se nga këto 20 mijë bileta të shitura, një pjesë e madhe ka përfunduar në dorë të tifozëve kuqezi.
Sigal