FIFA ka vendosur të rrisë numrin e skuadrave nga 32 në 48 në Kampionatin Botëror, shanset e Shqipërisë

Në kampionatin Botëror të futbollit do marrin pjesë 48 skuadra, jo 32. FIFA Ka vendosur të rrisë numrin e kombëtarëve që marrin pjesë në këtë kompeticion duke nisur nga viti 2026.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s mëngjesin e sotëm pas votimit në mënyrë unanime në Zyrih të Zvicrës.

Numri i ndeshjeve të turneut më të rëndësishëm në rang kombëtaresh do të rritet nga 64 ndeshje në 80 të tilla, ndërsa në Botërorin e vitit 2026 do të jenë 16 grupe me nga 3 skuadra secila, ku dy ekipet e para kualifikohen për 1/16 e finaleve.

Vendimi për të rritur numrin e ekipeve erdhi pas sugjerimit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Sipas përllogaritjeve një Kupë bote me 48 ekipe, me 16 grupe me nga 3 ekipe për edicionin 2026, do te kushtoje 4,18 miliard dollarë ose 3,95 miliardë Euro kundrejt 3,54 mld dollarë për Botërorin e vitit 2018 në Rusi.

Botërori me 48 ekipe sjell 975 mln $ më shumë
Një kërkim i FIFA-s tregon se nëse do të vendoset për zgjerimin e Botërorit me 48 skuadra, turneu do të shtonte të ardhurat e tij me 975 milionë dollarë. Qeveria botërore e futbollit ka llogaritur se të ardhurat e turneut me 48 skuadra do të shkonin në total 6.495 miliardë dollarë. Por presidenti Infantino këmbëngul se ky zgjerim nuk po bëhet për më shumë të ardhura.

Shqipëria, shans për të debutuar edhe në Botëror
Shqipëria preku për herë të parë ëndrrën e luajtjes në skenën më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar verën e shkuar, duke u kualifikuar për herë të parë në histori në finalet e një Europiani. Por me zgjerimin e Botërorit të 2026-ës me 16 skuadra ekstra, kuqezinjtë do të kishin një shans të madh për të shkelur edhe në skenën e turneut më të rëndësishëm në planet.

Vendet e federatave të CONCACAF-it (Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja), janë favorite për të organizuar Botërorin e parë prej vitit 1994 (SHBA). Presidenti Infantino ka thënë se do të marrë parasysh edhe opsionin e zhvillimit të Botërorit në të tria vendet.