Fidel Ylli: Projektligji i ri për Sportin, Kushtetuta e parë dinjitoze

LIGJI PËR SPORTIN/ Momente të veçanta nga ndryshimet e mirëmenduara dhe të rakorduara me të gjithë njerëzit e sportit, dhe jo vetëm

Pas një pune shumë të gjatë disa vjeçare, erdhi momenti që sporti të ketë një kushtetutë të re, të mirëmenduar dhe të rakorduar me të gjithë njerëzit e sportit, dhe jo vetëm, që ky ligj ti shërbejë të gjithë sportistëve shqiptarë dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Njëherësh, ky ligj do të shërbejë edhe për të ndërruar cilësinë e jetës së shqiptarëve, për imazhin e Shqipërisë nëpër botë, por edhe për të gjithë sportin elitar shqiptar që të garojnë me dinjitet për vendin e tyre dhe të mos marrin rrugët e emigrimit nëpër Botë. 

Efektet e pritshme të projektligjit
Ky projekt ligj ka disa efekte të pritshme. Kryesisht: Rritjen e autonomisë dhe krijimin e vetë manazhimit të organizatave sportive kombëtare dhe lokale, nëpërmjet përcaktimit të kompetencave të pushteteve dhe lëvizjes sportive (federata, shoqata dhe klube), me synim rritjen dhe forcimin e demokracisë së brendshme të organizatave sportive. Më tej: Ndërgjegjësimin dhe disiplinimin në përdorimin e fondeve që ato përfitojnë nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat dytësore, në respektim të kritereve të përcaktuara për sportin, përfshirjen për herë të parë të edukimit fizik dhe sportit shkollor në një kapitull të veçantë, si dhe përcaktimin e kufirit minimal të ngarkesës mësimore të lëndës së edukimit fizik në kurrikulën bërthamë. Ndryshe nga Ligji i kaluar, në këtë Ligji prioritet ka organizimi i federatave të sportit shkollor dhe universitar, në funksion të institucionalizimit dhe organizimit të veprimtarisë sportive në institucionet arsimore. Nga ana tjetër, vlen të përmendet edhe përcaktimi i statusit të sportistit elitar, si dhe përkufizimi i qartë për sportin profesionist dhe amator. Për të parën herë në historinë e sportit shqiptar, një sportist elitar personifikohet me "STATUS", i cili përmban në vetvete program zhvillimi, përcaktim kriteresh, mbështetje financiare dhe shpërblim për arritje. Një rëndësi të madhe në këtë Projektligj ka marrë edhe reformimi i organeve konsultative të Këshillit të Lartë të sportit, të komisionit kombëtar kundër dhunës në sport, si dhe përcaktimi jo politik i përbërjes së tyre, për të synuar partneritet me të fortë ndërinstitucional. Një tjetër e veçantë në këtë Projektligj është edhe përcaktimi i statusit të "Qendrave Sportive Kombëtare" për objekte të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e sportit, të administruara nga struktura që do të ofrojnë shërbime për sportin në nivel kombëtar. Një pikë e rëndësishme është edhe krijimi i organizatës Kombëtare Anti-doping, si një strukturë e pa varur nga shteti, e cila do të ketë misionin kryesor të saj kryerjen e kontrollit doping për sportistët shqiptarë (brenda dhe jashtë garimit). Krijimi i kësaj organizate të pavarur, vjen në zbatim të kërkesave të vazhdueshme të Agjencisë Botërore Anit-Doping (WADA), për krijimin e një strukture kombëtare anti-doping krejtësisht të pa varur nga shteti. Gjatë gjithë kësaj periudhe më shumë se 25 vjeçare, ka pasur probleme të shumta lidhur me statusin dhe funksionimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS), e në këtë Projektligj vihet theksi shumë në riorganizimin dhe fuqizimin e kompetencave te kësaj Gjykate, si një faktor për sigurimin e stabilitetit të marrëdhënieve midis organizatave sportive. 

Statusi juridik i klubeve sportive
Edhe pse në vendin tonë operojnë me qindra klube sportive të sporteve e të niveleve të ndryshme, për ta nuk ka ekzistuar një status i veçantë. Dhe në këtë Projektligj, rëndësi të veçantë ka marrë përcaktimi i statusit juridik të klubeve sportive, i cili njëherësh do tu japë atyre një status ligjor, si dhe përfshirjen e llojit të klubeve "Shumësportësh”, çka në ligjin aktual mungon. Nëse kemi pasur objekte sportive që u është tjetërsuar qëllimi apo janë shfrytëzuar si ambiente jashtë destinacionit të tyre, në këtë Projekt ligj merr një rëndësi të veçantë edhe përkufizimi i Nenit 31 "Mbi objektet sportive", me qëllim mos lejimin e ndryshimit të destinacionit të objekteve dhe terreneve sportive, nga privatizimi apo dhënia me koncesion i tyre. Nëse më parë dukej si e panevojshme, në këtë Projektligj të ri për Sportin, një vend të veçantë ka zënë edhe parashikimi i sigurimit shëndetësor të detyruar, për të gjithë sportistët pjesëmarrës në veprimtaritë sportive, si detyrim i klubeve sportive për sportistët e tyre, si dhe të federatave sportive për sportistët e ekipeve kombëtare. Kësisoj, këtu është parashikuar edhe përgjegjësia që organizatat sportive kanë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve për rehabilitimin e sportistëve të dëmtuar gjatë veprimtarive sportive, në rastet kur ata nuk janë siguruar më parë. Në hapësirën e gjithë këtij Projektligji të ri për Sportin, rikonceptimi i kapitullit të "Dhunës në Sport", shikohet me prioritet për të reflektuar detyrimet që sjell ratifikimi i konventës Evropiane kundër dhunës në sport, si dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në lidhje me parandalimin dhe menazhimin e situatave të shfaqjes së dhunës, para, gjatë dhe pas veprimtarive sportive, dhe kryesisht në ndeshjet e futbollit. Në ketë kapitull janë përcaktuar qartë përgjegjësitë dhe detyrat e policisë së shtetit dhe përfshirja e shërbimit privat të sigurisë fizike, si dhe përcaktimin e oficerit të sigurisë nga ana e federatave sportive, parë kjo si një masë parandaluese dhe menazhuese për sigurinë e ekipeve kombëtare gjatë veprimtarive ndërkombëtare. Gjithashtu, këtë herë janë përcaktuar sanksione më të rënda ndaj personave që kryejnë akte dhunë, apo bëjnë propagandë me karakter politik e fetar gjatë veprimtarive sportive.

Ligji për kompanitë e basteve
Por, ketë Projektligj të ri për Sportin, janë edhe disa mangësi në drejtim të një paketës fiskale që ka të bëjë me ligje të tjera që varen nga Ministria e Financave, si ligji për kompanitë e basteve dhe lojërat e fatit, ku rritja e përqindjes që sporti pretendonte të merrte nga ky ligj, duhet të shkonte deri në 2 % të fitimit në muaj që ti kalonin sportit. Ajo ka mbetur në nivelin 04% nga 02% që ka qenë me parë në Ligjin e Lotarive Sportive, ndërsa pika tjetër që sporti e ka pasur që në vitin 2005, për sponsorizimet e firmave sportive që duan të ndihmojnë me materiale sportive federatat dhe shoqatat sportive, është hequr. Duhet kujtuar se, ka qenë një e drejtë e fituar që në ligjin e vitit 2005, ku dikush nga këto firma që sponsorizojnë për federatat dhe shoqatat sportive, federatat që janë përfituese nga këto materiale sportive të përcaktuara nga një listë e Këshillit të Ministrave, nuk paguajnë doganë dhe tvsh. Pa dhënë asnjë shpjegim, këtë e kanë hequr, por që në fillimjavën e ardhshme, do vijë në Komision vetë Ministria e Financave, e cila do të japë sqarimet e duhura për problemin. Por, unë mendoj se, me këtë rregullim të këtij neni, ky ligj ka nevojë që në mandatin tjetër të iniciohet për një paketë fiskale, e cila nuk ka të bëjë me Ligjin e Sportit, me qëllimin për tu kompletuar në tërësinë e tij. Ky rregullim garanton që, për 15 deri në 20 vjet, nuk do të ndërhyhet për ti bërë ndryshime radikale, sikundër u bënë në ketë ligj ku ndryshoi në më shumë se 70% e tij, një ndryshimi që erdhi pas të gjitha seancave dëgjimore që bëri grupi i punës dhe drejtoria e sporteve në Ministrinë përkatëse, me modesti edhe unë si relator i këtij projektligji në komisionin parlamentar, gjë që nuk është bërë asnjëherë në këto 25 vjet. Këtu kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi marrë shumë modele evropiane nga ekspertë të huaj, për të certifikuar sipas të gjitha konventave dhe modeleve evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë. Të presim ditën e hënë të 24 prillit, ku në komisionin parlamentar do të diskutohet nen për nen për këtë Projektligj të ri për Sportin në Shqipëri, ndërkohë që ditën e enjte ai do të jetë gati të votohet në seancë plenare në Parlament. Këtë herë, mendoj se kemi bërë një punë të mirë me gjithë grupin e punës në ministri. 

Buxheti “pro” dhe “kundër”!
Nga buxheti i saj, Qeveria ka akorduar 30 mln euro për investimet në sport gjatë këtij mandati katërvjeçar. Konkretisht: Në rikonstruksionin total të stadiumit “Elbasan Arena” dhe të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, te “Tirana Olimpik Park”, si dhe në ndërtimin në themel të stadiumit “Qemal Stafa”. Po kjo qeveri në këtë mandat të parë të saj, me partneritet publik privat, ka ndërtuar 64 palestra shkollash në të gjithë Shqipërinë, por edhe shumë gjera të tjera që nuk i përkasin Ligjit të Sportit, por reformës në sport. Për të qenë realistë, do të thosha se buxheti për grandin e federatave sportive është në po atë nivel që ka qenë më parë, 900 mijë euro për 25 federatat sportive. Një buxhet mjeran, tetë herë më i vogël se ai i Kosovës.

Në këtë Projekt Ligj të ri për Sportin, merr një rëndësi të veçantë edhe përkufizimi i Nenit 31 "Mbi objektet sportive", me qëllim moslejimin e ndryshimit të destinacionit të objekteve dhe terreneve sportive, nga privatizimi apo dhënia me koncesion i tyre