Fetishaj: “Po përgatisim një gjeneratë të shkëlqyer notarësh”

564
Sigal

Turneu i ndërkombëtar “Nemo Cup”, Shqipëria “arkëton” 19 medalje dhe pesë rekorde kuqezi në Maqedoni

Dy ekipet e njohura të notit kryeqytetas, Tirana dhe Partizani, morën në total 19 medalje, nga këto shtatë ari në turneun e shtatë ndërkombëtar të notit, “Nemo Cup” në pishinat 50-metërshe, të zhvilluar në datat 3-4 nëntor, në Shkup të Maqedonisë. Shtatë medalje të fituara nga 13-vjeçari Binald Mahmuti (ndër to, 3 ari) dhe pesë rekordet kombëtare e vendosura nga 15-vjeçari Franc Aleksi, që të dy të Tiranës, janë dëshmia me e qartë se sportit të notit në Shqipëri po i vjen një gjeneratë e re shumë e talentuar e që premton për të ardhmen. Tirana doli nënkampione e turneut, ku morën pjesë 39 skuadra, përfshirë ato maqedonase, serbe, malazeze, ruse dhe bullgare, me këtë të fundit që u shpall fituese e turneut. “Ky ishte turneu i shtatë ndërkombëtar i notit ‘Nemo Cup’. Bëmë një paraqitje të shkëlqyer, që u kurorëzua me 19 medalje të fituara dhe me vendin e dytë, teksa përballë kishim skuadra me një nivel të lartë, por dhe që përgatiten në prej një kohe të gjatë dhe me kushte dhe infrastrukturë dukshëm më të mirë se ne”, – tha gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”, koordinatori i skuadrës bardheblu, Arjan Fetishaj. Paraqitje të suksesshme bënë dhe notarët e Partizanit, Patricia Cani, Ledia Allaraj dhe Ergi Veli. Turneu ndërkombëtar ishte i ndarë në pesë kategori A (absolut), B (grupmosha 1997-1998), C (grupmosha 1999-2000), D (grupmosha 2001-2002) dhe E (2003 dhe më të ri). Skuadra e Tiranës ka të federuar aktualisht 35 notarë, të moshave të ndryshme.

– Zoti Fetishaj, Tirana dhe Partizani regjistruan një sukses të bujshëm në turneun ndërkombëtar “Nemo Cup”, të zhvilluar në datat 3-4 nëntor në Shkup të Maqedonisë. Për lexuesit e gazetës sonë, çfarë ishte ky aktivitet?

– Ishte turneu i shtatë ndërkombëtar i notit ‘Nemo Cup”, që zhvillohej në kryeqytetin e Maqedonisë, një aktivitet që organizohet dy herë në vit, në muajit qershor dhe nëntor. Ne kemi marrë pjesë rregullisht gjatë viteve të fundit. Është një mundësi e mirë ballafaqimi të nivelit tonë, dhe që na shërben njëkohësisht për të verifikuar edhe gjendjen që ndodhet noti me ekipet e moshave në Shqipëri. Dua ta theksoj se, ne jo vetëm edukojmë brezin e ri në këndvështrimin sportiv, por dhe atë cilësor. Kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë, por këtë dëshirë e kam konstatuar edhe në qytetet e tjera. Gjithsesi, ky turne na shërbeu edhe për shkëmbim eksperienca edhe në metodikat stërvitore, pasi garuam me disa prej shkollave më të mira ballkanike të notit.

– Dy ekipet shqiptare morën një numër të konsiderueshëm medaljesh, 21 të tilla, ku jo pak, por shtatë prej tyre ishin të arta, shtatë argjendi dhe nëntë bronzi, teksa kundërshtarët vinin nga shkolla të njohura të notit në Ballkan dhe më gjerë.

– Për të qenë i sinqertë, do ta konsideroja një sukses të merituar dhe me vlerë të notit tonë, pasi u arrit në një turne ndërkombëtar prestigjioz në Ballkan dhe që ka fituar një status të respektuar. Nuk duhet të harrojmë si kundërshtarë të sportistëve tanë ishin notarë cilësorë nga vende si Maqedonia, Serbia, Bullgaria, apo dhe Rusia, që u paraqit me një grup notarësh në Shkup. E them me bindje se, midis këtyre djemve dhe vajzave të reja mund të kemi rekordmenët e së ardhmes, kjo duke krahasuar edhe kohët e regjistruara nga ata. Gjithsesi, dua të theksoj se, vazhdimisht kemi marrë medalje në turne ndërkombëtarë, madje qershorin e vitit të 2010 ne morëm 22 të tilla, duke zënë vendin e katërt midis 45 skuadrave.

 – Binald Mahmuti i Tiranës fitoi shtatë medalje, tre Ari, dy Argjendi dhe dy Bronzi. Sa premtues është ky notar?

 – Binaldi, edhe pse është vetëm 13 vjeç, është shumë i talentuar dhe me kohët e regjistruar mund ta themi pa asnjë mëdyshje se, i ka të gjitha mundësitë të bëhet në të ardhmen një nga notarët më të mirë në Shqipëri. Sporti është rezultat dhe ato flasin në të mirë të Mahmutit. Edhe në turneun ndërkombëtar të zhvilluar vitin e kaluar në Banja Luka, Binaldi mori po shtatë medalje, por tani mund të flasim pa frikë për një notar të ri, profesionist në stilin e notimit. Vitin e kaluar, Mahmuti doli notari më i mirë i asaj grupmoshe në Shqipëri. Të marrësh tre medalje ari në një aktivitet ndërkombëtar është një numër i konsiderueshëm.

 – Përse dallohet Binaldi?

 – I njeh mirë të katër stilet e notimit, është një notar i plotësuar. I njeh mirë si stilin e lirë, delfin, bretkosë dhe flutur. Ka një fazë zhvillimi të mirë dhe kompetitiv.

– Pesë rekorde kombëtare dhe të përmirësuara nga 15-vjeçari Franc Aleksi i Tiranës, i cili fitoi katër medalje, midis tyre dhe një Ari…

 – Aleksi ishte notari më i mirë i skuadrës sonë, pasi mori medalje të artë në stilin 200 metra flutur, me kundërshtarë shumë të fortë, duke dhënë një kohë shumë të mirë, duke fiksuar rezultate në kohë më të mirë dhe për një grupmoshë më të madhe. Ai përmirësoi katër rekorde kombëtare, po të tijat, si dhe vendosi një rekord të ri. Janë kohë jashtëzakonisht të larta, për moshën e tij. Është një notar me të ardhme dhe një pikë referimi për ecurinë e shumë notarëve të tjerë.

 – Zoti Fetishaj, a mund të flasim për një gjeneratë të re notarësh cilësorë që, po i vijnë natyrshëm notit tonë?

 – Po, këtë mund ta them me siguri. Kjo edhe për faktin se, po të krahasojmë kohët e arritura në këtë moshë të Binaldit (13 vjeç), janë më të mira se ato të regjistruara nga Sidni Hoxha, në moshën 14 vjeç. Ia vlen ta kujtojmë se, Sidni Hoxha, të cilin unë e kam stërvitur para disa vitesh në fillimet e tij, ishte pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”. Për këtë arsye, them se dhe Binaldin e pret një e ardhme premtuese, gjithmonë nëse ai do të punojë më të njëjtën seriozitet si tani. Kjo do të thotë se, kjo gjeneratë e re notarësh është një hap më përpara se ajo e mëparshme. Këtë do ta cilësoja të natyrshme. Metodologjia që, ne po ndjekim me notarët e rinj, dhe këtu kam parasysh që nga ata në moshën 9 vjeç e me radhë, na ka dhënë suksese. Këtë e vërtetoi më së mirë dhe turneu ndërkombëtar i Shkupit.

TRAJNERI/ Dashamir Bregu: “Kemi nevojë për bashkëpunim dhe jo përçarje”

Trajneri i njohur i Partizanit, Dashamir Bregu, tha për gazetën se noti bashkëkohor kërkon patjetër dhe një drejtim bashkëkohor dhe më frytshëm. “Personalisht, unë jam kundër dënimeve ekstreme, pasi në vizionin tim, vetëm bashkëpunimi mund ta çojë përpara këtë sport. Ne nuk kemi nevojë për përçarje në komunitetin tonë. Ne jemi sportistë. E ritheksoj, duhet bashkëpunim dhe ne këtë ne kemi dashur gjithmonë. Na duhent në krye njerëz që, na krijojnë unitet midis nesh”, – tha Bregu. Trajneri bëri një apel të sinqertë, që dhe ekipet e rretheve të organizohen dhe të ndjekin shembullin e skuadrave më të mira. Thuajse të gjitha rekordet aktuale mbahen nga ekipet që stërviten në Tiranë. Notarë të rinj si Binald Mahmuti, Franc Aleksi, Patricia Cani, Ergi Veli, apo dhe të tjerë janë më të ardhme të padiskutueshme”.  Bregu ka një jetë tërë që merret me notin, aq sa e konsideron pishinën shtëpinë e tij ujore. “Na është premtuar investime dhe ringritje të infrastrukturës ekzistuese, si pishinat në Sarandë, Vlorë apo gjetkë, nuk janë mbajtur. Edhe pishinat e Durrësit nuk është në e denjë për aktivitete’. Bregu ngriti edhe probleme të karakterit teknik, duke nisur që nga mungesa e tabelat elektronike të matjes së kohës apo të infrastrukturës organizative. “Ne jemi njerëz të sportit dhe, kur premton diçka që është në funksion të rritjes së cilësisë sportive, duhet ta mbash atë. Shpresojmë që të ndodhë tani e tutje. Duhen hapa përpara dhe jo prapa. Duhet filozofi e re drejtimi. E konsideroj të domosdoshme!”, – përfundon trajneri Dashamir Bregu.

PROBLEMATIKA/ “Noti duhet ngritur në një nivel të ri”

Koordinatori i Tiranës, Arjan Fetishaj, është i vetëdijshëm se, noti shqiptar, në momentin që ndodhet dhe me problematikën që e ka shoqëruar atë gjatë viteve të fundit, ka nevojë për një stad të ri, jo vetëm në organizmin e tij, investimet në infrastrukturë, por dhe një strukturë drejtuese më efikase.  “Duhet t’i falënderojmë të gjithë ata, që deri tani kanë mundësuar që të mbahen të hapura pishinat. Kjo është diçka pozitive dhe duhet përshëndetur, pasi kërkon shpenzime dhe investime të vazhdueshme, – thekson Fetishaj. Koordinatori është i drejtpërdrejtë dhe i qartë, në ato që i mungojnë notit tonë dhe që ai do të donte të kompletoheshin në katër vitet e ardhshme, duke filluar nga shndërrimi i Federatës Shqiptare të Notit një institucion të vërtetë, që punon dhe bashkëpunon me të gjithë aktorët dhe faktorët, por dhe te serioziteti në organizimin e aktiviteteve zyrtare, deri dhe të dhënia e medaljeve, dhe jo diplomave.

Mbështetje talentesh

“Federata Shqiptare e Notit, nuk duhet vetëm të identifikojë talentet, por dhe t’i mbështesë ata me forma nga më të ndryshme. Shembujt mund t’i gjesh lehtësisht në Europë”. Në Shqipëri janë 18 klube dhe shoqata që aderojnë në Federatën Shqiptare të Notit. “Të gjithë duhet të respektohen dhe të vlerësohen njëlloj, në bazë të statutit, duke u parë si të barabartë ndërmjet të barabartëve dhe nuk duhen parë si njëra e nënës dhe tjetri i njerkës”, – tha Fetishaj për gazetën. Koordinatori shton, se një nga mënyrat më të mirë është stimulimi i sportistëve dhe sigurisht nevoja për investime direkte në infrastrukturë.