Ferid Berberi: Rekordmen si sportist, dhe trajner i kolosëve të boshtit shqiptar

167
Nga Bedri ALIMEHMETI
DOSSIER/ Karriera e suksesshme mbi pedanën e shtangës e ndërprerë nga një dëmtim, shqiptari i parë që ka ngritur mbi 400 kg në tre stile
Prej kohësh jemi mësuar, që rëndom në rastet kur bie fjala kur flasim për sportistët e rrugës së “Elbasanit”, të fillojmë të radhisim emra të shquar futbollistësh si Ilir Pernaska (Dinamo), Arben Çela, Mirel Josa, Artur Lekbello (Tirana) etj, apo basketbollistësh si i madhi Agim Fagu etj, duke lënë si padashje në “hije” emra sportistësh të shquar në sporte të tjerë, në mes të të cilëve spikat ai i Ferid Berberit peshëngritësit të shquar të “Dinamos” e të ekipit Kombëtar, padyshim një ndër djemtë e talentuar të rrugës së “Elbasanit”, që bëri emër në sportet e rënda sidomos gjatë viteve 60-70 të shekullit të kaluar.

Trajneri Riza Lofca e afroi me shtangën
Kanë kaluar vërtet jo pak vite, realisht pak më shumë se gjysmë shekulli kur Feridi ende i ri plot ëndrra për të ardhme u gjend përpara boshtit të shtangës, pa i shkuar nëpër mend që pas atij çasti do t’i bëhej pjesë e pandarë e jetës. “Nuk e harroj kurrë, – rrëfen Ferid Berberi sot në dekadën e tetë të jetës, – kur gjatë një aktiviteti mes shkollave të kryeqytetit, që në ato vite për hir të së vërtetës ishin aq të shpeshtë e aq të rregullt më afrohet trajneri i njohur Riza Lofca, i cili pasi më përshëndet duke vëzhguar me shumë kujdes konstruktin tim trupor më pyet për emrin, shkollën ku mësoja dhe më fton që nëse dëshiroja të shkoja të nesërmen në ambientet e klubit “Dinamo” (sot stadiumi “Selman Stërmasi”), ku do të gjeja shumë bashkëmoshatarë që ushtroheshin në sporte të ndryshëm si në peshëngritje, mundje klasike dhe e lirë, atletikë etj. Nuk i a dhashë fjalën, por gjithsesi të nesërmen mbasdite ndryshe nga herët e tjera nuk shkova me shokët për të luajtur futboll tek “Pal Poçja” fusha jonë e dashur, por mora rrugën për tek klubi “Dinamo”. Profesor Lofca u gëzua shumë kur më pa. Nga ajo ditë, për vite më radhë u bëra pjesë e peshëngritësve të klubit blu”. 

I pari peshëngritës shqiptar, në tri-garësh ngre mbi 400 kg
Gjithnjë sipas Feridit, mjeshtri Riza Lofca tregoi një përkushtim të jashtzakonshëm ndaj tij. “Profesor Lofca, – vijon më tej ai – trajneri im i parë dhe i vetmi gjatë karrierës si shtangist, pa u lodhur dhe pa asnjë lloj rezerve më dha gjithçka nga bagazhi i tij tejet i pasur”. Dhe pas kësaj rezultatet e larta nuk do të vonojnë, e natyrisht bashkë me ata edhe thyerjet e njëpasnjëshme të rekordeve kombëtare nuk do të reshtnin. Kështu pas garimit me sukses të plotë në kampionatet kombëtare të të rinjve mbërrin medalja e artë në finalet e Spartakiadës II Kombëtare më 1969, dhe pas kësaj nga viti 1972 e deri më 1975, Ferid Berberi shpallet radhazi katër herë kampion kombëtar në peshën e mesme. Në ato vite garohej në të tre stilet: forcë, shtytje e shkëputje. Dhe falë pikërisht këtij fakti Ferid Berberi bëhet i pari peshëngritës shqiptar që në tri-garësh arriti të ngrejë mbi 400 kilogram. Jo vetëm në aktivitete kombëtare por edhe në mjaft veprimtari të ndryshme ndërkombëtare si në Kinë, Rumani etj, Ferid Berberi zbret nga pedana e shtangës i suksesshëm e me plot rekorde kombëtare. Por, është për të ardhur keq, që pikërisht në momentin më të mirë të formës sportive, një dëmtim i rëndë në këmbë e detyron të ndërpresë aktivitetin sportiv individual. Kur e pyet për këtë rast sigurisht ndjen keqardhje. “Kush e di edhe sa rekorde kombëtare të tjerë do të ishin thyer?” – vijojmë ne. Por, ai vetëm buzëqesh. “Gjithsesi – shton – atë që nuk pata mundësi të bëja unë e bën peshëngritësit e talentuar dinamovitë përgatitjes të të cilëve për shumë vite me radhë iu përkushtova me shumë pasion”. 

Drejtues i FSHP-së e punonjës shkencor
Falë punës mjeshtërore e tejet pasionante të mjeshtrit Ferid Berberi nga radhët e peshëngritësve dinamovitë doli një plejadë gjigantësh, rekordmenë e kampionë të Ballkanit si i paharruari Aleksandër Kondo. Muharrem Berisha, Agron Haxhihyseni, Xhemal Qarri, Ardian Kokonozi etj, që fituan medalje në veprimtari ndërkombëtare. Ndërkohë bashkë me trajnerin e Tiranës të njohurin Zydi Mazreku, të cilin Ferid Berberi e kujton me shumë respekt, për bashkëpunimin që ka pasur me të, duke theksuar që ai ka qenë trajneri që ka përgatitur të madhin rekordmenin e kampionin e botës Ymer Pampuri, drejtojnë me shumë sukses në veprimtari evropiane e ballkanike ekipin kombëtar të Shqipërisë nga viti 1979 deri më 1985. Pas kësaj Berberi drejton ekipin kombëtar të peshëngritësve të rinj të Shqipërisë, të cilët i ngjit dy herë në podiumin e kampionit të gadishullit. Më vonë për tetë vite me radhë nga 1992 deri më 2000, Ferid Berberi kryen me kompetencë e autoritet detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Më vonë deri sa doli në pension iu përkushtua punës shkencore në qendrën kërkimore sportive dhe asaj të mësimdhënies në universitetet “Aleksandër Xhuvani” e “Marin Barleti”.
Skeda
Emri mbiemri: Ferid Berberi/ Datëlindja: 6 dhjetor 1946
Vendlindja: Tiranë/ Arsimimi: Universiteti i Sporteve, diplomuar mësues i edukimit fizik
Lloji i sportit që ka ushtruar: Peshëngritje në KS “Dinamo”
Kampion kombëtar: 1972, 1973, 1974 dhe 1975
Fitues i medaljes së artë në Spartakiadën II Kombëtare 1969
Pjesëtar i ekipit Kombëtar: Në garat ndërkombëtare në Kinë 1972 dhe Rumani 1975
Trajner: I ekipit të peshëngritjes KS “Dinamo”: 1976-1979; I ekipit Kombëtar të Shqipërisë: 1979-1985; I ekipit Kombëtar të të rinjve të Shqipërisë: 1988-1991
Trofe si trajner: Kampion me Dinamon më 1977, 1978, 1980, 1981, 1982, 1985
Me ekipin kombëtar të të rinjve: Dy herë kampion i Ballkanit në Greqi e Turqi.
Veprimtaria arsimore: Mësues në gjimnazin “Sami Frashëri”, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan) dhe “Marin Barleti” (Tiranë). Punonjës shkencor në qendrën kërkimore sportive. 
Detyrë shtetërore: Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes 1992-2000
Vlerësime: Në arsim dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” kl. II
Në sport: Mban titujt “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”,”Nderi i Sportit Shqiptar”, dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” Kl. I dhe Kl. II