Fëmijët startojnë në Akuadromin e Tiranës, flet Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku

538
Sigal

Noti shqiptar duket në pikun e veprimtarive dhe të pjesëmarrjeve. Këtë muaj, pas zhvillimit me sukses të veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, dy notarë janë pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, ndërkohë që sot në pishinën 50 m të Akuadromit të Tiranës, radhën e kanë fëmijët. Në këtë veprimtari pritet të marrin pjesë mbi 12 ekipe, me mbi 200 notarë meshkuj e femra, nga e gjithë Shqipëria. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, dje për “Telegraf” deklaroi, se kjo do të jetë një veprimtari sa e bukur, aq edhe premtuese në rezultate. “Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m pritet i bukur, por duke iu referuar sezoneve të kaluara, edhe me rezultate të larta e rekorde kombëtare. Uroj që sot të përsëritet ky sukses!”, theksoi në deklarimin e tij Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku. Kujtojmë se në Kampionatin e vitit të kaluar, u thyen 25 rekorde kombëtare, dhe AN Te Stela ishte fituese absolute e kësaj veprimtarie.