Federata e çon Bylisin në “ferr”

544
Sigal

Komisioni i Disiplinës përjashton ballshiotët nga Superliga dhe i zbret në Kategorinë e Parë

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka përjashtuar nga Kategoria Superiore ekipin e Bylisit, duke e zbritur direkt një kategori më poshtë, ndërsa i ka dhënë tri pikët në tavolinë Laçit. Po ashtu, presidenti i klubit mallakastriot, Besnik Kapllanaj, është përjashtuar përgjithmonë nga çdolloj aktiviteti sportive. Komisioni në fjalë është treguar tepër i rreptë me çka ndodhi në Ballsh fundjavën e kaluar, duke paralajmëruar kësisoj edhe precedentë të tjerë të mundshëm në kushtet kur gara sa vjen e po ashpërsohet më shumë, nisur nga fakti se katër skuadra bien direkt nga Superiorja, ndërsa shumë prej tyre rrezikojnë mbijetesën. Disiplina, e mbledhur dje, mori në shqyrtim problemet disiplinore të konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe kërkesat e paraqitura. Komisioni, pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, i diskutoi çështjet në tërësi, në përfundim vendosi përjashtimin e Bylisit.

NGJARJA

Bylisi-Laçi u kthye në një kaos të vërtetë të shtunën e kaluar, edhe pse u luajt pa praninë e spektatorëve për shkak të dënimit të fushës së klubit ballshiot. Si para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, krahas tensionit, nuk munguan sendet e forta të hedhura nga tifozët që qëndronin jashtë stadiumit “Adush Muça”. Ndeshja nisi me vonesë, pasi delegati Besnik Çela kërkoi që të largoheshit tifozët nga pjesa e jashtme e murit rrethues. Kulmi i tensionit arriti në minutën e 89-të, kur gjyqtari Olsi Sokoli akordoi një penallti në favor të Laçit. Në këtë moment takimi u ndërpre 7 minuta. Lojtarët e Bylisit, stafi teknik dhe tifozët që qëndronin jashtë stadiumit, u irrituan pa masë me këtë vendim të arbitrit. Gjatë kësaj ndërprerjeje, tifozët në shenjë proteste dhe inati kanë hedhur në fushë gurë, banane, vezë dhe çakmakë. Zona në portën e mbrojtur nga Frashëri, ku dhe do të goditej 11-metërshi, ishte e mbuluar nga sende të ndryshme. Më pas, në tunelin e dhomave të zhveshjes, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, goditi me një send të fortë Çelën, teksa më pas zëvendëssekretari i FSHF-së mori ndihmën mjekësore në spitalin e Fierit.

PIKË NË TAVOLINË

Meqenëse ka kaluar gjysma e ndeshjeve të kampionatit, sipas rregullores së aktivitetit skuadrat që në të ardhmen kanë të parashikuara ndeshje për t’i luajtur me Bylisin e përjashtuar tashmë nga Superiorja, do t’i marrin tri pikët në tavolinë. Po kështu, rezultatet e ndeshjeve të Bylisit, të luajtura deri tani, nuk ndryshojnë, as pikët e deritanishme. Thënë ndryshe, në javët e mbetura të kampionatit do të kemi nga një ndeshje më pak, me nga një skuadër pushim deri në fund të fazës së tretë. E para që do ta provojë këtë gjë do të jetë Skënderbeu, që në javën e 25-të të Superiores duhej të luante në Korçë ndaj mallakastriotëve. Kështu, Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Besa, Flamurtari, Tirana, Vllaznia, Lushnja, Kastrioti tashmë kanë nga 3 pikë më shumë në klasifikim!

Dorëhiqet Kapllanaj dhe vetëdorëzohet në polici

 Pak orë para se Komisioni i Disiplinës në FSHF të mblidhej, për të shqyrtuar problematikën e shumtë që ndodhi në ndeshjen e javës së 24-të të Superiores, Bylis-Laçi, presidenti i mallakastriotëve, Besnik Kapllanaj, njoftoi dorëheqjen. I shpallur në kërkim nga policia pas denoncimit të bërë kundër tij në policinë e Fierit nga Besnik Çela, shefi i sektorit të garave në FSHF, delegat i ndeshjes së cituar më sipër, për shkak të goditjes që mori prej presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj njofton po ashtu se do të vetëdorëzohet në organet ligjzbatuese. “Nuk e dija që isha në kërkim nga policia për ngjarjet e së shtunës. E mora vesh dhe do të dorëzohem në polici. Dua të njoftoj edhe vendimin tim për të dhënë dorëheqjen nga Presidenca e Bylisit, sepse në futbollin shqiptar ka shumë padrejtësi. Këto padrejtësi ndaj Bylisit kanë qenë të përhershme, ndaj nuk mund të vazhdoj më financimin e tij. Kam më shumë se tetë vjet që investoj, kam harxhuar shumë nga financat e mia e mbi të gjitha nga koha ime. Nuk mund të vazhdoj më. Do ishte më mirë të na thoshin që në fillim sepse kam shpenzuar miliona edhe këtë sezon, por imagjinoni, vetëm në tri ndeshjet e fundit brenda një jave janë dhënë 4 penallti kundra nesh, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Më vjen keq për skuadrën dhe qytetin dhe e them se nuk duhet ta dënojnë me pikë apo rrëzim nga Superiorja, siç edhe kam dëgjuar. Km folur dhe me kryetarin e Bashkisë për dorëheqjen, por nuk ia vlen më të investoj e të na marrin nëpër këmbë pa të drejtë. Lidhur me ngjarjen, ku u godit Besnik Cela, do të jap shpjegimet e mia në polici”, – ka pohuar për mediat dje paradite Besnik Kapllanaj.

KATEGORIA SUPERIORE

 Java 25  (22 mars)

Laçi-Vllaznia

Partizani-Tirana

Kukësi-Flamurtari

Teuta-Besa

Kastrioti-Lushnja

Skënderbeu-Bylis (nuk luhet)

* Bylisi është përjashtuar, ndërkohë që Skënderbeu e fiton 3-0 ndeshjen në tavolinë

RENDITJA E NDRYSHUAR

1     Skënderbeu 24   +20 51

2     Laçi                     24   +8   40

3     Partizani             24   +7   39

———————————–

4     Kukësi         24   +0   37

5     Besa                    24   +3   34

6     Teuta                  24   +3   33

7     Flamurtari           24   +0   31

8     Tirana          24   -7    27

———————————–

9     Vllaznia       24   -2    26

10   Bylis                   24   -7    24

11   Kastrioti             24   -10  23

12   Lushnja        24   -15  23

* Flamurtari i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

* Laçi ka fituar në tavolinë 3-0 me Bylisin, rezultati origjinal ishte 0-0

* Bylisi është përjashtuar nga kampionati, duke zbritur një kategori më poshtë, në të Parën

 Pezullohet drejtori i Vllaznisë

 Drejtori sportiv i Vllaznisë, Armir Grima, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me pezullim nga aktiviteti deri në fund të kampionatit, bazuar në nenin 49.2/a të Kodit të Drejtësisë Sportive. Grima ishte pezulluar më parë me 2 ndeshje, për të njëjtin motiv.

Të 12 skuadrat e Superligës janë dënuar të paktën një herë gjatë këtij sezoni

 Gjobiten katër klube

 Komisioni i Disiplinë ka dënuar me gjobë katër klube të Kategorisë Superiore, me nga 50 mijë lekë secili. “Ekipet e KF “Vllaznia”, KF “Tirana”, KF “Kukësi”, KF “Besa”, për sjellje të gabuar të tifozërive të tyre dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, dënohen me nga 50.000 lekë gjobë, bazuar në nenet 66.1 dhe 66.2 të KDS-së”, thuhej në komunikatën e Disiplinës. Tashmë, të 12 skuadrat që militojnë në Kategorinë Superiore janë dënuar të paktën një herë. Argumentet e gjobat përfshijnë nga përplasjet fizike midis lojtarëve apo tifozerive; mospërmbushjen e përgjegjësive për një zhvillimin e një takimi normal apo goditjet e zyrtarëve të ndeshjes; koret ofenduese dhe hedhja e sendeve të forta, shkatërrimi i stadiumeve (nga tifozët bardheblu në Skënderbeu-Tirana dhe atë kuksianë në Kukësi-Skënderbeu) dhe deri te djegia e stolave (si në rastin e derbit Tirana-Partizani).

Skuadra “kampione” përsa u përket shumës së gjobave të marra është Tirana, me një faturë financiare prej 500 mijë lekësh në total. Në podium janë edhe Kukësi me 250 mijë lekë dhe Vllaznia me 175 000 lekë.

Gjobat në Superligë

 Tirana   500 000 lekë

Kukësi 250 mijë lekë

Vllaznia 175 000 lekë

Skënderbeu 150 000 lekë

Teuta            150 000 lekë

Laçi              100 000 lekë

Partizani       100 mijë lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 50 000 lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Besa             50 mijë lekë

Lushnja 30 mije lekë

Në kategoritë inferiore

Burreli   75 000 lekë

Mamurrasi   50 000 lekë

Luftëtari       50 000 lekë

Butrinti 25 000 lekë

Iliria      20 000 lekë

Përmeti  20 000 lekë

Skrapari       20 000 lekë