Faza përgatitore në Shqipëri kundër fazës përgatitore jashtë Shqipërisë

534
Sigal

Që titulli do të luhet mes katër skuadrave të para në renditje për këtë sezon futbollistik, ky nuk është një parashikim por konstatim fakti. Si për çudi, këto katër ekipe janë ndarë në dy grupe, ku Kukësi dhe Skënderbeu, dy skuadrat e vendit të parë dhe të dytë, po zhvillojnë fazën përgatitore jashtë Shqipërie, ndërkohë skuadrat e vendit të tretë dhe të katërt, Partizani dhe Tirana, kanë vendosur që faza e tyre të zhvillohet në Shqipëri. E nisur nga kjo, ka edhe diçka më shumë për tu parë në lidhje me fillimin e fazës së dytë, ku do të shihet se cilat skuadra do të kenë më shumë ecuri në vijim, skuadrat që e kanë zhvilluar fazën jashtë apo dy skuadrat që qëndruan në Shqipëri. Në fakt, deri më tani të katërta këto skuadra kanë zhvilluar ndeshje miqësore, ku sigurisht rezultate më pozitive kanë pasur ekipet që kanë qëndruar brenda, në krahasim me dy skuadrat që po qëndrojnë në Spanjë (Skënderbeu) dhe Turqi (Kukësi), nisur kjo ndoshta edhe nga niveli më i ulët i skuadrave pjesëmarrëse. Po t’i marrim të gjitha bashkë, sigurisht që Partizani është skuadra me më shumë rezultate të mira, ku nuk mungojnë golat e shumtë dhe të gjitha takimet të mbyllura me fitore, e sigurisht fitorja më e rëndësishme është ajo ndaj Lushnjës, ndërkohë që ndeshjet e tjera i ka luajtur ndaj Partizanit B, që e fitoi me rezultatin 10-0, ndërsa takimin tjetër luajti  ndaj Kastriotit, duke fituar po ashtu me goleadë, 7-0. Në total, “demat” kanë shënuar plot 19 gola, një ecuri dhe tregues shumë i mirë për skuadrën në përgjithësi dhe sulmin në veçanti, ku deri më tani po tregon një formë shumë të mirë, edhe pse vetëm në miqësore. Partizani po e zhvillon fazën përgatitore në Pezë, e duket se pavarësisht edhe pse ndodhen në Shqipëri, përsëri e kanë gjetur formën e tyre, duke u stërvitur qetësisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Tiranën, që deri më tani ka grumbulluar vetëm fitore, e më e fundit është ajo ndaj Besëlidhjes, ku fituan 3-1, ndërkohë që dy gola shënoi Gjergji Muzaka, duke u bërë thirrje që nga larg skuadrave të tjera, për fuqinë në sulm që do të ketë ky ekip. Tani, po të ndalemi tek Kukësi dhe Skënderbeu, dy skuadrat që zgjodhën të stërviteshin larg kufijve, në bazë të rezultateve që kanë arritur nuk kanë treguar se janë përmirësuar, por kjo sigurisht vjen edhe nga fakti se kundërshtarët kanë qenë shumë më të fortë sesa të dy skuadrave të tjera, ndryshimi i klimës apo edhe vetëm impenjimi më i pakët, ku sigurisht dëshira për të mos u dëmtuar qëndron dhe nisur nga kjo futbollistët janë më të tërhequr pasi nuk duan të dëmtojnë dhe as të dëmtohen. Nëse marrim si shembull skuadrën e Skënderbeut, bëri kthesë në ndeshjen me Freiburgun, duke fituar dhe shënuar për herë të parë gol në katër takime, ku në tre të parët kishte pësuar 11 gola, pa mundur që të shënonte asnjë. Situatë pothuaj e njëjtë është edhe për Kukësin, që më së fundi ka arritur të sigurojë një barazim pa gola, pas dy humbjeve me rezultatin e njëjtë 1-0. Duke parë këto rezultate, ngelet vetëm të fillojë gjysma e dytë e sezonit, e këtu do të vihet re se cila skuadër ka bërë zgjedhjen e duhur, e nëse fituesen për këtë vit do e kemi nga grupi “jashtë Shqipërie” apo nga dyshja tjetër që vendosen të qëndronin në Shqipëri. Kampionati do edhe një javë që të fillojë, kështu që nuk do u duhet të presin shumë si tifozët ashtu edhe vetë skuadrat, për të pasur një panoramë më të gjerë për formën dhe arritjet e skuadrave, por deri atëherë kanë për të kaluar edhe disa ekipe ndeshje të tjera miqësore, duke u përfshirë gjithmonë e më shumë në pragun e kampionatit.

Fotolajm/ Murinjo dërgon fanellën me mbishkrimin e tij për Partizanin

Klubi i futbollit Partizani ka marrë një dhuratë simbolike, por të këndshme, nga trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo. Ky i fundit ka dërguar një fanellë të skuadrës që trajnon, me numrin 1 dhe që përmban mbishkrimin “Për Presidentin e Partizanit, Gaz Demi”. Vetë klubi bëri me dije dje ardhjen e kësaj fanelle, ndërkohë që thanë se Murinjo u ka premtuar se do të vijë në Shqipëri kur Partizani të inaugurojë kompleksin e ri sportiv.

 FSHF organizon seminare mbi njohjen e rregulloreve në futboll

Federata Shqiptare e Futbollit do të fillojë sot me projektin më të ri në lidhje me zbatimin e rregullave dhe “Kodin e Drejtësisë Sportive”, ku çdo gjë zhvillohet në mënyrë që futbollistët të kuptojnë sa më mirë rregullat dhe të kenë parasysh ndryshimet e mundshme që mund të kenë ndodhur. Kjo iniciativë do të shtrihet në të gjitha kategoritë sportive, si në atë superiore apo edhe në kategorinë e parë, ku specialistët do të drejtohen tek çdo klub dhe do t’i mundësojnë çdo skuadre një njohje sa më të mirë të rregullave në tërësi. Ky “diktim” rregullash do të bëhet edhe nëpërmjet projektorëve, në mënyrë që çdo kush ta ketë më të lehtë që të vërë re ndryshimet. Ndërkohë, sipas FSHF, kjo nismë po merret mbi të gjitha që të shmangen shkeljet që vihen re nga futbollistët dhe pritet që ky projekt të ndikojë drejtpërdrejtë në ndryshimin e situatës.

 Granit Xhaka në rrugën drejt Milanit, ndjek Shaqirin

Duket se talentet shqiptare të futbollit, çdo ditë e më shumë po afirmohen dhe po kërkohen nga skuadra me emër. Janë të shumtë futbollistët shqiptarë që luajnë në Itali, ku vetëm disa prej tyre luajnë për Kombëtaren shqiptare e disa luajnë për kombëtare të tjera. Rasti më i fundit i kalimit të një shqiptari në Itali, ishte ai i Xherdan Shaqirit tek Interi, ndërsa edhe Lila kaloi po para pak ditësh tek Parma. Ndërkohë që Shaqirin me shumë gjasa do ta ndjekë nga pas edhe Granit Xhaka, shqiptari që luan për Zvicrën dhe që kërkohet nga “djajtë” e Milanit. Xhaka aktualisht aktivizohet në radhët e Borusia M’Gladbah, duke u bërë një nga futbollistët kyç të kësaj skuadre, si në këtë sezon edhe në dy sezonet e shkuara. Interesimi i Milanit për këtë futbollist është real, pasi deri më tani skuadra milaneze po kalon një formë aspak të mirë dhe afrimi i një futbollisti me cilësitë e Xhakës vetëm do ta ndihmonte Inzagin dhe skuadrën e tij.

  Vllaznia me rekord negativ në Ligën Ballkanike të Basketbollit

Pjesëmarrja e Vllaznisë në Ligën Ballkanike në Basketboll ka sjellë për fat të keq një rekord negativ, sa i përket shënimit të paktë të pikëve gjatë një ndeshjeje. Në takimin e fundit që skuadra shkodrane pati, atë ndaj Mornarit të Malit të Zi, arriti të shënonte vetëm 48 pikë, duke u bërë kështu ekipi që ka numrin më të vogël të pikëve, shënuar gjatë një ndeshjeje. Në fakt Vllaznia akoma nuk e ka provuar shijen e fitores në të 7 takimet që ka luajtur deri më tani në grupin B, e ndeshjen e ardhshme do e luajë pikërisht ndaj Craiovës së Rumanisë me datë 20 të këtij muaji, duke shpresuar që të paktën në këtë takim të arrijnë që të përmirësojnë rezultatin shumë negativ të deri tanishëm.

 Ronaldo “fenomeni” i rikthehet fushës së gjelbër

Mund të duket e çuditshme por legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, po mendon që t’i rikthehet futbollit të luajtur pas pesë vitesh që e la atë. Skuadra në të cilën “fenomeni” do të luajë militon në ligen e dytë në Amerikë, ku në fakt braziliani edhe ka aksione, çka ia bën edhe më të lehtë përfshirjen në këtë ekip. Ronaldo u shpreh se rikthimi i tij bëhet në sajë të dashurisë për futbollin, duke përmendur këtu edhe arsyen e largimit të tij nga futbolli, që ishin vetëm arsye shëndetësore, duke qenë se nuk e përballonte më lojën. Sipas tij, tani gëzon një formë më të mirë sportive dhe ka besim në vete se do ta ndihmojë skuadrën që të bëjë edhe më mirë këtë sezon.

  Andi Ribaj, shpëtimi i Apolonisë. Firmos kontratë 6 mujore.

Pasi u përfol për një kalim të mundshëm të Andi Ribaj tek Kukësi, ose më saktë, pasi pothuaj u zyrtarizua kalimi i tij tek Kukësi, çdo gjë u hodh poshtë si nga klubi në fjalë ashtu edhe nga vetë futbollisti, duke e bërë akoma edhe më të paqartë të ardhmen e ish futbollistit të Skënderbeut. Por duket se orët e fundit të ditës së kaluar kanë hedhur dritë mbi çdo gjë, duke e lidhur Ribajn me një kalim tek Apolonia me një kontratë 6 mujore. Afrimi i këtij futbollisti sigurisht që krijon shpresa për vetë klubin dhe tifozët që do ia dalin që të qëndrojnë në Superligë, diçka që tani për tani duket shumë e vështirë.

 Laçi përgatitje gjashtë ditore në Portugali

 Skuadra e Laçit duket se nuk ka preferuar që ta vazhdojë fazën përgatitore në Shqipëri, ndërkohë që në fshehtësi të plotë ka vazhduar drejt Portugalisë, nga ku do të qëndrojë për rreth gjashtë ditë, me kthimin vetëm pak para fillimit të kampionatit. Gjatë qëndrimit në Portugali, laçianët pritet të zhvillojnë dy miqësore luksi, ku përmendet mbi të gjitha skuadra e Sportingut të Lisbonës dhe ajo e Shtugartit në Gjermani. Duket se me këtë lëvizje, bardhezinjtë i kanë dhënë fund edhe merkatos duke u fokusuar më në fund vetëm tek përgatitja parasezonale.