Faza e dytë e Superligës rinis “luftën” për kreun

531
Sigal

Pushimi nuk është një fjalë që zë vend në Superligë tani për tani pasi Faza e Dytë dhe java e 10-të do të luhen këtë të mërkurë, me të gjitha skuadrat të përfshira. Rezultatet e javë së 9-ë shmangen barazimet, duke lejuar vetëm fitore dhe humbje për skuadrat, me Partizanin (Elbasani 1-0), Tiranën (Teuta 1-0), Skënderbeun (Vllaznia 3-0), Laçin (Apolonia 3-1) dhe Kukësin (Flamurtari 2-0) që qëndruan në anën e fitoreve duke ju shkaktuar humbje me dhimbje kundërshtarëve përkatës. Faza e parë në fakt, foli më shumë për Tiranën dhe Partizanin që e gjeten rrugën e “qëndresës” dhe vijueshmërinë e duhur për të sunduar në krye. Këtë javë të 10-të kemi të njëjtin kalendar si në javën e parë, ku do të ndeshen përsëri Kukësi-Vllaznia, Skënderbeu-Elbasani, Teuta-Flamurtari, Partizani-Laçi dhe Apolonia-Tirana. Në fakt të gjitha takimet do të luhen në të njëjtën ditë, me Kukësi-Vllaznia që vë edhe një herë në lëvizje shkodranët që duhet medoemos të arrijnë fitoren, pas 3 rezultateve negative rresht në kampionat. Kukësi gjithashtu ka detyrë që të fitojë, mbi të gjitha edhe për kreun por edhe për vijueshmëri në rezultate duke marrë parasysh se ndeshjet e fundit nuk arrin të grumbullojë dy fitore rresht. Ndeshje tjetër e rëndësishme dhe që mund të luajë pozitat e kreut është edhe Partizani-Laçi, me “demat” që janë në krye të renditjes dhe me kurbinasit që po luftojnë që të jenë, dhe kjo ndeshje në rast fitoreje mund tua mundësojë një gjë të tillë. Sfidë e lehtë për Tiranën që do të ndeshet me Apoloninë që edhe pse ka treguar se është skuadër fushe, përsëri nuk duket se paraqet rrezikshmëri për bardheblutë. Korçarët duket se do të shkojnë drejtë fitores së dytë rresht, pasi përballë do të kenë skuadrën e vendit të fundit, Elbasanin e vetëm 3 pikëve. Një ndeshje e tillë duket se nuk do të sjellë probleme për kampionët në fuqi që vijnë direkt pas asaj fitoreje ndaj Vllaznisë, po në Korçë. “Dueli” i bregdetarëve do të jetë një ndeshje e koklavitur si në parashikim ashtu edhe në zhvillim ku kujtojmë se edhe Teuta edhe Flamurtari nuk po kalojnë kohë të mirë, dhe vijnë direkt pas humbjesh me kundërshtarët e tyre. Fitorja në fakt do ta ndihmonte Teutën ti largohej sadopak zonës së “ngrirë” por përballë një Flamurtari që ka nevojë për 3 pikë duket se do të jetë shumë e vështirë, të paktën në letër.

Faza e parë në statistika

Skuadra që ka shënuar më shumë gola.
Laçi (12 gola).
Skuadra që ka shënuar më pak gola.
Apolonia (3 gola).
Skuadra që ka pësuar më shumë gola.
Elbasani (17 gola).
Skuadra që ka pësuar më pak gola.
Partizani (2 gola).

Java e 10-ë

Kukësi 14:00 Vllaznia

Skënderbeu 14:00 Elbasani

Teuta 17:00 Flamurtari

Partizani 17:00 Laçi

Apolonia 17:00 Tirana

# Skuadra ND F B H GSH GP P
1 Tirana 9 5 3 1 11 5 18
2 Partizani 9 5 3 1 7 2 18
3 Laçi 9 4 4 1 12 5 16
4 Kukësi 9 5 1 3 10 7 16
5 Skënderbeu 9 4 3 2 9 4 15
6 Flamurtari 9 3 4 2 9 6 13
7 Vllaznia 9 3 2 4 6 10 8
8 Teuta 9 2 1 6 8 9 7
9 Apolonia 9 2 1 6 3 14 7
10 Elbasani 9 1 0 8 4 17       3

Dragan Gjuriç: Fajin për dhunën e ka FSF

Presidenti i Partizanit të Beogradit, Dragan Xhuriç është i vetmi që ka marrë guximin të bëjë përgjegjëse Federatën Serbe të Futbollit, për dhunën e shfaqur në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Sipas Gjuriç, faji i vetëm i të gjithë asaj nate rëndon vetëm mbi autoritetet serbe që nuk bënë asgjë për të parandaluar hyrjen në fushë të 100 personave që me shumë gjasë ishin të dehur e për më tepër nuk duhej të ishin aty. Ai shprehet se vetë injorimi që i bënë dhunës dhe lejimi i huliganëve në fushë, me në krye Ivan Bogdanov çuan në të gjitha ato skena që u panë nga të gjithë dhe nuk ishin aspak të lejueshme, që nga koret raciste, injorimi i himnit shqiptar e deri tek dhuna e shfaqur ndaj futbollistëve në fushë. Kreu i klubit serb u shpreh edhe mbi dënimin e dhënë nga UEFA, duke e quajtur atë shumë të njëanshëm dhe duke shprehur se autoritetet serbe duhet tu japin shpjegime tifozëve serbë dhe tu tregojnë atyre se pse u futen në fushë huliganët, edhe pas atyre ngjarjeve që kapluan në Itali në 2010 ku përsëri një flamur shqiptar u pa që po digjej. Gjuriç nuk ngurroi as të sillte në vëmendje të publikut dhe mediave tragjedinë e “Heysel” ku në stadiumin belg po zhvillohej një ndeshje mes Juventus-Liverpool që përfundoi në një luftë të vërtetë me pasoja 39 të vdekur e 600 të plagosur. Ky shembull u soll në kujtesë si për të treguar se një stadium me tifozë nga të dy palët dhe me masat e pakta që u morën, mund të kishte dërguar në një tragjedi të vërtetë. Ndër të tjera ai shtoi se është ndjekur i njëjti skenar si më përpara, dhe për komisionerët e sigurisë kishte pasur të dhëna se një gjë e tillë mund të ndodhte por përsëri masat ishin vetëshkatërruese dhe minimale.

FSHF drejt Apelit, por jo pa argumentimin e vendimit të UEFA-s

Federata Shqiptare e Futbollit pret argumentimin mbi vendimin e UEFA-s që të ndërtojë mbrojtjen e dytë në Gjykatën e Apelit ashtu siç e përcaktuan që ditën e marrjes së vendimit. Në fakt kërkesa për argumentim është bërë që të premten nga ana e Federatës por akoma nuk ka ardhur asnjë përgjigje që cilëson dhe argumenton vendimin që u mor me datë 24 tetor. Sipas Artan Hajdarit, anëtar i FSHF, asnjë veprim nuk mund të ndërmerret nga ana e FSHF pa pasur më përpara cilësimin dhe mbi cilat fakte është marrë vendimi i UEFA-s. Sipas Hajdarit, mbrojtja do të ngrihet baras me faktet dhe se synohet vetëm tek fitorja në tavolinë. Ai shprehet se nuk e ndien aspak faktin se edhe Apeli, si pjesë e UEFA-s, mund të jetë organ i ndikuar nga vendimi i parë. Sipas tij, aty punojnë njerëz që janë profesionistë të vërtetë dhe që do e marrin çështjen në një trajtim më të gjerë çka do të bëjë që pavarësia e tyre në vendosje të rritet. Synimi kryesor i FSHF janë 3 pikët dhe nëse as me anën e Apelit nuk merren, atëherë Gjykata e Arbitrazhit do të jetë rruga e radhës, një fakt ky i konfirmuar edhe nga Hajdari. Sipas tij, kjo çështje mori ngjyrime të mëdha politike, pavarësisht se FSHF u mundua që të mos e ngatërronte anën juridike të çështjes me atë politike.

 Volejboll/  Skuadrat kryeqytetase “blindojnë” kreun, nuk kanë rivalë

Java e tretë në kampionat, foli më shumë për skuadrat pritëse, që arritën të merrnin fitore ashtu si Studenti, kampioni në fuqi i kampionatit që vazhdon akoma të ndjekë të njëjtin ritëm, duke mos ju ndarë aspak Tiranës kryesuese. Studenti arriti një fitore bindëse me Teutën, që u cilësua edhe kryendeshja e kësaj jave, por në fakt gjatë takimit Teuta nuk e pati asnjëherë mundësinë të rivalizonte apo qoftë edhe të “frikësonte” në lojë kryeqytetasit. Tirana, nga ana tjetër, vazhdon të udhëheqë bindshëm duke mundur Elbasanin 3-1, në një ndeshje që foli më së shumti për kryeqytetasit. Ndërkohë edhe Farka Volej, si skuadër pritëse, nuk e la t’i rrëshqiste nga dora elementi fushë, dhe korri një fitore 3-0 ndaj korçarëve që e vënë të njëjtin rang dhe numër pikësh me “bashkëqytetarët” Studenti dhe Tirana. Ndërkohë në volejbollin e femrave Partizani merr një vitore të merituar në Shkodër, duke mundur Vllazninë 3-0 në sete. Ndërkohë që edhe Tirana fiton jashtë shtëpisë, në Vlorë, me rezultatin 3-0, rezultat ky që e vë në pozita shumë të mira Tiranën për tu shpallur kampione për këtë vit. Ndërkohë që Teuta për femra mund Studentin, duke marrë në një farë mënyre “hak” për humbjen e Teutës për meshkuj, po ndaj Studentit.