Fatos Kaçaniku: Pas 50 viteve, Besëlidhja me ish-kampionë, sot mungon në sportin e notit

1351
Nga Preng GJIKOLA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, njeri nga notarët e parë lezhjanë, që ndjehet keq që sot nuk ka më ekip në këtë qytet 
Në gjysmën e dytë të muajt korrik 1966, në Lezhë ka startuar sporti i notit nën siglën e “Fitores”, emërtimi i Besëlidhjes deri në mars të vitit 1968, konkretisht në jubileun e 525 vjetorit të Besëlidhjes (kuvendit të Lezhës), nga ku mori emrin e sotëm “Besëlidhja”. Në gjysmën e dytë të muajt korrik të këtij viti, u mbushën plot 51 vjet nga ky eveniment sportiv, dhe për të përkujtuar diçka nga ky eveniment, kontaktuam me protagonistin e kësaj ngjarje që në atë kohë ishte vetëm 13 vjeç, Fatos Kaçanikun. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, ai tregoi emocionet e këtij starti, por edhe për vazhdimësinë. 
Si lindi dhe si u konsolidua sporti i notit këtu në Lezhë? 
Para 50 vitesh, konkretisht viti 1966, me nismën e mësuesit të pasionuar Agim Parruca, u krijua ekipi i notit që përfaqësonte për herë të parë klubin sportiv “Fitore” e Lezhës, në kampionatin e notit për të Rinjtë, i cili u zhvillua në Sarandë, nga 15 e deri 18 korrik 1966. Ekipi ynë u përfaqësua në këtë kampionat nga notarët e rinj lezhjanë, ku së bashku me mua, garuan edhe Selami Lishi, Shyqyri Kërpaçi, Jup Kadria, Kadri Dapi. Përfaqësimi i tyre në këtë kampionat ishte modest, pasi ishte hera e parë që një ekip lezhjan përfaqësohej në një veprimtari zyrtare të notit shqiptar.

Dhe ju filluat të merrni pjesë në Kampionatet Kombëtare të të rriturve?
Në gusht të këtij viti u zhvillua kampionati i të rriturve, po në qytetin e Sarandës, ku krahas notarëve të sipërpërmendur, morën pjesë dhe notarët e tjerë si, Mark Ademi, Gjergj Mlloja, Ferdinant Gjoka etj. Në vitin 1967, po me nismën e mësuesit Agim Parruca, për herë të parë në qytetin e Lezhës u ngrit dhe ekipi i femrave, i cili përfaqësoi ekipin “Fitore” të këtij qyteti, në kampionatin e të rejave dhe të rriturave, me notaret Safete Halluni, Shqipe Kaçaniku, Jolanda Nikolla, Liza Jaku, Rita Likaj, Ije Molla, Feride Reçi, Gjenovefa Ujka, Adela Kakarriqi, Safete Mersi.

Po në kampionatet e moshave, si ka qenë përfaqësimi i notarëve lezhjanë të asaj kohe?
Njëherësh, ekipi “Fitorja” u përfaqësua në kampionatin e fëmijëve, me notarët si, Shpëtim Bushati, Artan Emiri, Eduard Kraja, etj, por theksoj se Shpëtim Bushati, në stilin shpinë, doli kampion kombëtar për fëmijë. Gjithashtu, në kampionatet e notit të këtij viti filluan të duken dhe rezultatet të disa notarëve të këtij ekipi si, Shyqyri Kërpaçi në stil flutur, Selami Lishi në stil të lirë, Ferdinant Gjoka në stil bretkosë. Por, edhe ekipi i femrave pati rezultate të mira.

Pse pikërisht në vitin 1968 ju ndryshua emri skuadrës suaj?
Në vitin 1968, ekipi i Lezhës u quajt “Besëlidhja”, dhe në krye të këtij ekipi si trajner ishte profesori i dalluar i edukimit fizik, Arben Jorgoni, i cili më vonë u bë Kryetar i KOKSH-it. Nën drejtimin e tij, ekipi i Besëlidhjes nxori notarë kampionë, si Shpëtim Bushati për fëmijë, Shqipe Kaçaniku dhe Safete Halluni për femra, ndërsa disa notarë të Besëlidhjes, për rezultate të mira që kishin në kampionatet e notit si Shyqyri Kërpaçi, Selami Lishi, Ferdinant Gjoka u transferuan në Klubin Sportiv “Partizani”. Notari Shyqyri Kërpaçi në stilin flutur 200 m u shpall Kampion i Shqipërisë, dhe më pas atij iu dha edhe titulli “Mjeshtër Sporti”.

Cilët kanë qenë notarët apo notaret, që janë dalluar për Besëlidhjen e asaj kohe?
Theksojmë se me rezultatet e saj ekipi i femrave Besëlidhja, në vitet 1969 deri 1972, disa herë ka zënë vendin e tretë në kampionatet e notit, pas ekipeve të Butrinti të Sarandës dhe Lokomotiva e Durrësit, ku janë dalluar notarët Safete Halluni, Shqipe Kaçaniku, Jolanada Nikolla, etj. Në këtë ekip krahas mësuesit të pasionuar Agim Paruca dhe profesorit Arben Jorgoni kanë dhënë kontributet e tyre si trajner të ekipeve, Anton Vane, Doloreza Govani, si dhe notarët Shyqyri Kërpaçi, Selami Lishi, Ferdinant Gjoka, etj.

Nëse flasim për infrastrukturë, ku i zhvillonte Besëlidhja seancat stërvitore? 
Ky ekip kishte rezultate të mira në kampionate kombëtare, pavarësisht se seancat stërvitore i zhvillonte në kushte jo normale, si në det të hapur, pa zatra. Gjithashtu, stërvitjet zhvilloheshin në lumin Drin, në kushte mjaft të pa përshtatshme. Pavarësisht kësaj gjendjeje, notarët e këtij ekipi jepnin maksimumin e tyre në stërvitje, për të përfaqësuar sa më mirë Besëlidhjen.

Trajnerët, a kishin ndonjë kualifikim për të trajnuar notarët? 
Trajneri dhe mësuesi i pasionuar pas këtij sporti, Agim Parruca ishte me të vërtetë i talentuar, pa harruar Profesorin Arben Jorgoni, dhe trajnerët e tjerë Anton Vane, Doloreza Govani etj. Këta ishin jo vetëm certefikuar për trajnim, por ishin edhe profesorë në këtë sport, dhe falë tyre, Besëlidhja ia doli që të kishte rezultate dhe të përgatiste notarë cilësorë, që më pas garuan në ekipet më të mira të Shqipërisë.

Po garat zyrtare, ku i zhvillonit dhe si ishin kushtet? 
Garat kryesisht zhvilloheshin në Sarandë, Vlorë, apo Durrës, në det të hapur. Vetëm në Lushnjë kishte një pishinë të këtij lloji. Ekipi i notit në Lezhë pati jetëgjatësi të shkurtër, 10 vjet, por me rezultate shumë të mira, duke përfaqësuar denjësisht notin lezhjan në kampionatet kombëtare, dhe duke furnizuar skuadra si Partizanin apo Dinamon me kampionë.

E keni ndjekur sportin e notit në Shqipëri, në dekadën e fundit?
Po, dhe do të veçoja notin e kësaj periudhe, pasi ka disa vite që zhvillohen veprimtari të mirëorganizuara, në to janë thyer disa herë rekordet kombëtare. Edhe në eventet ndërkombëtare ku notarët shqiptarë kanë marrë pjesë, nëpërmjet medies kam mësuar se janë paraqitur mirë, sikundër edhe te Botërori në Hungari në muajin e kaluar.

Mesazhi juaj për këtë sport, që tashmë është harruar në Lezhë?
Jo vetëm në Lezhë, por në mbarë Shqipërinë, shumësportet janë totalisht jashtë vëmendjes. Megjithatë, qyteti i Lezhës e meriton një vëmendje serioze ndaj sportit të notit, duke krijuar kushte dhe iniciativa që ky sport të gjallërojë dhe të japë kënaqësi për qytetarët lezhjanë, pasi nuk mungojnë kapacitetet njerëzore për të zhvilluar këtë sport. 
Do veçoja notin e kësaj periudhe, pasi ka disa vite që zhvillohen veprimtari të mirëorganizuara, në to janë thyer disa herë rekordet kombëtare. Edhe në eventet ndërkombëtare ku notarët shqiptarë kanë marrë pjesë, nëpërmjet medies kam mësuar se janë paraqitur mirë, sikundër edhe të Botërori në Hungari në muajin e kaluar
Historia e protagonistit
Fatos Kaçaniku ka lindur në qytetin historik të Prizrenit më 3 korrik 1953, por familja e tij, e detyruar nga shtypja dhe persekutimi serb, u largua nga Kosova për t’u vendosur në qytetin e Lezhës, historik si edhe Prizreni. Edhe pse u largua nga persekucioni i një pushtuesi, shumë shpejt i ati u burgos nga pushteti komunist i kohës për motive të pastra politike. Duke analizuar këtë fenomen të dhimbshëm që preku masivisht edhe kosovarët e ardhur për shkak të persekucionit serb, m’u kujtuan dy vargje të rapsodit të njohur kosovar që ka banuar në Rashbull të Durrësit, edhe ky i larguar po nga nga përndjekja serbe: “Oj Kosovë, kur ta kthyem shpinën / e lamë borë dhe e gjetëm dimën”. Përveç notit, ai ka garuar edhe në atletikë për Besëlidhjen, duke u shpallur kampion për zonën e veriut në vrapim 3000 m, në ambient të hapur, ndërsa aktualisht, ish-sportisti i talentuar Fatos Kaçaniku, punon si jurist pranë DAR Lezhë. 
Sigal