Fatmir Sharofi: Djaloshi nga Dibra e Madhe, një jetë pranë rrjetës së elitës

1066
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier/ Në memorien e të gjithëve, nuk mund të harrohet sportisti që kontribuoi ndjeshëm në volejbollin kryeqytetas
Tirana me dy ekipe, Sharofi spikati veçanërisht si shuter
Fatmiri ishte djalë i familjes së nderuar Sharofi nga Dibra e Madhe, shumë e njohur për traditat atdhetare, e cila për t’i shpëtuar dhunës dhe raprezaljeve të shovinistëve serbë në vitin 1913, e la vendlindjen dhe erdhi e gjeti strehë e ngrohtësi në gjirin e familjeve tiranase. Ende i vogël në moshë ai dallohej mes bashkëmoshatarëve për shkathtësi e shpejtësi në lojna të ndryshme. Fakti që familja e tij banonte në afërsi të parkut nr. 2 të pionierëve, i cili në vitet 50-të ndodhej aty ku sot është Ministria e Jashtme, i dha mundësi të ushtrohej në disa sporte, por specialistët e orientuan në volejboll, ku talenti i tij spikati më së miri. Kështu nga dita në ditë falë vullnetit e përkushtimit Fatmiri arriti të inkuadrohej në radhët e ekipit të të rinjve bardheblu dhe ende pa i mbushur 17 vjeç, pra në vitin 1957 u bë pjesëtar i ekipit Tirana B, që garonte në kategorinë e dytë. Klubi bardheblu në ato vite garonte me dy ekipe. Një vit më pas, falë sigurisht dhe kontributit të djaloshit dibran, që dallohej veçanërisht si shuter, ky ekip u shpall kampion dhe u ngjit në kategorinë e parë.

Dy vite me Partizanin, “stazhi” për trofe bardheblu 
Ndërkohë Fatmiri thirret për të kryer shërbimin ushtarak dhe si ndodhte në ato vite u inkuadrua në radhët e Partizanin, që dominonte në volejbollin e meshkujve. Në radhët e të kuqve, Fatmir Sharofi përkrah emrave të njohur: P. Murzaku, M. Aga, A. Kona etj, fitoi tre tituj kampion më 1960, 1961 dhe më 1963. Por, veçmas kësaj niveli i paraqitjes së tij patì një stad rritje të cilësisë së lartë. Në radhët e Partizanit në vitin 1961 gjithashtu atij iu dha mundësia, të prekë edhe arenën e kampionatit evropian, ku të kuqtë në atë pjesëmarrje të parë të volejbollit shqiptar në kupën e kampioneve eliminuan kampionen e Austrisë, SC OMV Blau- Gelb Viena me dy fitore të pastra 3-0. Dy vite më vonë në verën e vitit 1963, në Tiranë u zhvillua turneu i volejbollit i skuadrave të

ushtrive mike, Fatmir Sharofi u shpall lojtari shqiptar më i mirë i turneut. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak Fatmiri u kthye në radhët e klubit bardheblu. Ishte koha kur në volejbollin shqiptar dominonin djemtë e Dinamos së trajnerit Vangjel Koja, por gjithsesi me Tiranën ai bashkë me Nj. Kosovrastin, A. Llagamin, A. Korbin etj, nën drejtimin e trajnerit të njohur Enver Maçi, në vitin 1967 arrijnë të fitojnë Kupën e Republikës. Kurse duke luajtur për ekipit kombëtar në turnetë eliminatorë të kampionatit botëror e evropian që u zhvillua në Turqi në vitin 1967 luajti 15 ndeshje.

Pas 11 sezoneve si trajner, ndarja e shpejtë nga jeta 
Në vitin 1972 pas një karriere prej 16 vitesh Sharofi i thotë “lamtumirë” rrjetës së volejbollit, pranë se cilës u shqua për kërcyeshmëri të admirueshme, goditje të zgjuara, elegante e njëherësh potente duke merituar vazhdimisht admirimin e duartrokitjet e spektatorëve. Pas kësaj i përkushtohet trajningut, teksa menjëherë merr drejtimin e ekipit të volejbollit për meshkuj të Tiranës. Në ato vite siç thamë dominimi i Dinamos ishte i padiskutueshëm, por bardheblut e Sharofit gjithsesi në luftë për vendin e dytë me Partizanin përpiqeshin të garonin me dinjitet. Nga viti 1976 deri në 1986, ai drejtoi ekipin e femrave në përbërje të të cilit patì volejbolliste të nivelit të lartë, si I. Iftiu, E. Axhani, I. Murzaku, N. Bajrami etj. Për arsye shëndetësore, pas 11 vitesh Fatmiri e la këtë detyrë dhe ushtroi profesionin e mësuesit të edukimit fizik në Liceun Artistik, ku doli në pension, por gjithsesi pa u shkëputur nga jeta sportive, madje duke kontribuar dukshēm në forumet e FSHV-së. Vitin e kaluar djaloshi dibran që aq shumë i dha volejbollit kryeqytetas u nda nga jeta, duke mbetur në kujtesën e gjithë atyre që e njohën dhe e admiruan në fushën e lojës shembull i sportistit të talentuar, pedagogut korrekt e njeriut model.
Fatmir Sharofi
Datëlindja: 20 tetor 1939/ Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: IKFS “Vojo Kushi” Mësuesi
Ekipet ku është aktivizuar: Tirana B 1956-1958; Puna e Tiranës 1958-1961; Partizani 1961-1963; 17 Nëntori 1963-1972
Trofe të fituar: Kampion me Partizanin: 1960, 1961 dhe 1962; Fitues i Kupës me Partizanin: 1963 dhe 17 Nëntorin 1967
Me ekipin kombëtar: 15 ndeshje.
Karriera si trajner: 17 Nëntori meshkuj 1972-1976; 17 Nëntori femra 1976-1986
Tituj që mban: “Mjeshtër Sporti” 1963, “Medalje e artë”2001
Vlerësime: “Nderi i Sportit Shqiptar”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi III, II dhe I,
“Mirënjohje” e FSHV
U nda nga jeta: 2017
Sigal