Fatmir Cuka: Sporti s’ka nevojë për fjalë, sepse fund në sport nuk ka!

908
Nga Klodeta GJINI
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-basketbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, më pas edhe trajner në ekipin kuqezi të koshit
Fatmiri dhe basketbolli: Ku ka qenë takimi i parë, dhe çfarë përfaqësonte basketbolli për ju?
Kontaktin e parë me basketbollin e kam pasur nëpërmjet shokëve të lagjes. Një ditë te ekipi i të rinjve të Dinamos, momenti i parë me trajnerin nuk mu duk shumë i ngrohtë. Unë isha shumë i shkurtër dhe i dobët, dhe në ditët e para më lanë me një top në krahun tjetër, nuk isha i inkuadruar në ekip. Gradualisht duhet t’i kishte tërhequr vëmendjen diçka trajnerit Milo, i cili së bashku me të madhin Fagu, ndoshta dalluan cilësitë e mia. Fillova të ushtrohem me skuadrën.

Një jetë, një karrierë me Dinamon, çfarë kujton më shumë nga ajo periudhë?
Dinamo përfaqëson gjithçka për mua, sepse është klubi ku u rrita dhe arrita të realizoj dëshirat e mia. Emri “Dinamo” ishte një familje e madhe, ku kishte sportistë elitarë dhe një klub me mjaft profesionistë. Personalisht, pata fatin të stërvitem pranë figurave si Shano dhe Trebicka, të cilët më motivuan më tepër të arrija cilësinë e tyre sportive. 

Zbavitesh më tepër si lojtar apo si trajner, cilat janë diferencat në dy rolet?
Mendoj që aktiviteti në basketboll është si puna e oqeanit, që nuk ka fund, por të tërheq thellë e më thellë. Vjen një moment që të duket sikur i di të gjitha, por në fakt çdo ditë mëson një gjë të re. Si lojtar zbavitem gjithmonë. Kemi krijuar një grup të mirë, ish lojtarë të NBA, me të cilët luajmë një ose dy herë në javë. 

Çfarë mësove nga eksperienca në Turqi?
Në momentin kur unë mbërrita aty, ata bënë një investim të madh tek basketbolli. Personalisht, pata fatin të punoja në Shqipëri me trajner mjaft të mirë, por vajtja në Turqi dhe eksperienca atje hapën një faqe krejt të re. Detyra ime ishte roli i trajnerit, dhe jo më në vendin tim, por në një vend të huaj. Kushtet, mënyra dhe organizimit pasuruan eksperiencën që kisha me elementë të rinj, por edhe me një kënd vështrimi tjetër. 

Aktualisht, ka trajnerë nga më të mirët në botë dhe shumë lojtarë turq luajnë në NBA.

Gjatë gjithë kohës të qëndrimit tim në Turqi, janë zhvilluar kurse dhe cikle trajningu, në të cilat kam marrë pjesë. Pak më vonë, kam qenë formatues aktiv si pjesë e grupit të formimit për trajnerët, dhe niveli i arritur më lejoi të jepja leksione për tre vjet në Universitetin e Sporteve të Ankarasë. Puna e palodhur atje më ka dhenë rezultatet e saj. Skuadra që drejtoja, fitoi disa herë titullin Kampione e Turqisë në nivele të ndryshme, si dhe nënkampione bote në turneun botëror zhvilluar në Izrael në vitin 1998.

Si u ndjeve në momentet e para në SHBA?
Karriera ime si sportist është zhvilluar në Shqipëri për një periudhë të gjatë tek Dinamo, por edhe si pjesëtar i ekipit kombëtar. Padyshim që, çdo sportist ka dëshirë të luajë në nivele të larta, në Evropian apo NBA. Këtë fat nuk e pata si rrjedhojë e atij sistemi që ishte, edhe pse kisha ftesa nga klube të ndryshme, por largimi ishte me pasoja të rënda për familjen. Kujtoj rastin e Gjermanisë në eliminatoret e Kampionatit Evropian apo në Ballkaniadën e Shkupit, Lojërat e Mesdheut në Selanik, ku unë u dallova në 5 sportistët më të mirë. Ofertat ishin mjaft serioze, por të parealizueshme nga sistemi.

Ekziston mundësia që të trajnoni në SHBA ndonjë skuadër basketbolli?
Sot është mjaft e vështirë për mënyrën se si funksionon sistemi këtu. Kam punuar me Orlandon dhe me Haëks për një kohë të gjatë si trajner në përgatitjen e lojtarëve. Pata fatin të punoj me lojtarë të mëdhenj, por kushtet, metodat dhe mënyra e stërvitjes këtu, janë si në një botë tjetër.

Çfarë do të thotë të stërvitesh lojtarë të nivelit elitarë?
Si çdo gjë në jetë, ndryshimet pasojnë njëra-tjetrën. Çdo gjë është në lëvizje, dhe ky rregull vlen edhe për mënyrat e stërvitjes, të cilat kanë ndryshuar shumë. Kjo sjell vështirësi, sepse shkalla e konkurrimit është shumë e lartë. Të gjithë lojtarët janë të suksesshëm. Rasti më i fundit është lojtari im Pachulia, i cili luajti në pesëshen e parë të Golden State.

Si është lidhja juaj me Shqipërinë?
Nga Shqipëria u bënë 26 vjet që jam larguar. Ndarja, distanca dhe koha bëjnë punën e tyre. Kam kontakte gjatë gjithë kohës me miq e shokë. Drejtova për një kohë shumë të shkurtër ekipin kombëtar, por u largova i dëshpëruar. Dhashë dorëheqje si rezultat i kushteve dhe i mendimit jo profesionist atje. Koha bëri të vetën, dhe duhej të kalonin 4 vjet për të dalë e vërteta në shesh. Në vend që të punohet, merret me fjalë më tepër. Sporti s’ka nevojë për fjalë, ai do punë.
Jeta është lëvizje, dhe lëvizja sjell zhvillim dhe ecje përpara. Kush mendon që ka arritur diçka, apo që është e mjaftueshme, mendoj se është e gabuar. Fund në sport nuk ka, por ka vetëm punë për suksese të tjera. Fillova në Turqi, por edhe sot personalisht i ndjek me kënaqësi kurset për trajnerët, apo aktivitetet të ndryshme
Sigal